I grabitën pronën me vendim gjykate në Shqipëri, dosja në Strasburg

590
Pavarësisht se në dukje nuk të jep një përshtypje të tillë, në Elbasan skandalet me pronat e ligjshme mbushin pothuajse gjysmën e arkivave të Prokurorisë së Rrethit. Skandalet me pronat e ish-pronarëve në Elbasan prej vitesh kanë vajtur në Strasburg dhe shumica e tyre janë kthyer prej andej në favor të palëve të dëmtuara. Vendimet absurd kanë autorë zyrtarët, sekserët pushtetarët, gjyqtarët, të cilët me vendime të paligjshme u kanë grabitur troje dhe prona të qytetarëve të Elbasanit, pavarësisht se disponojnë tapi të 100 apo 150 viteve më parë. Grabitja e trojeve ka ndodhur dhe po ndodh duke shkelur ligjet e shtetit, duke shkelur etikën profesionale dhe duke marrë ryshfete në miliona, duke ngritur në sistem korrupsionin. Një rast i tillë ka ndodhur edhe me familjen e vjetër elbasanase të ish-pronarit të tokave Alush Mukja, ku pavarësisht se trashëgimtarët e tij kishin fituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit tokën prej 24 mijë metrash katrore, (2.4 hektarë) dhe pavarësisht se kishin nxjerrë edhe certifikatën e re të pronësisë nga ZRPP ka mjaftuar një vendim i papritur i paligjshëm i një gjyqtari të korruptuar të quajtur E.P., pas një procesi të paligjshëm, që prona e tyre t’i kalojë padrejtësisht një personi që nuk dispononte asgjë, nuk dispononte asnjë dokument zyrtar dhe ligjor, asnjë provë shkresore dhe materiale, veç një letre të zverdhur të Reformës Agrare të 1946 dhe milionave që korruptoi gjyqtarin. 

Flet trashëgimtari: 

Familja Mukja është një prej qindra familjeve autoktone në Elbasan, që ka trashëguar troje dhe prona te tjera. Ajo trashëgonte nga gjyshi i tyre Alush Mukja, veç të tjerave edhe një sipërfaqe toke prej 24 mijë metrash katrore e cila ndodhet në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik dhe pikërisht atje ku sot është ngritur një qendër e madhe tregtare, buzë rrugës. Në vitin 1946 ish-qeveria komuniste ja ka marrë pronat dhe tokat ish-pronarit Alush Mukja, gjithashtu edhe tokën në fjalë e cila ishte pjesë e pronave të tij. Vetëm pas afro 45 viteve trashëgimtarët e tij e rimarrin atë, duke paraqitur në KKKP, Bashki dhe ZRPP, një tapi prone të vitit 1917, sipas të cilës, Alush Mukja “ishte pronar i trualli 24 mijë metra katrore, pronë në dalje të qytetit të Elbasanit”. Realisht trashëgimtarët e familjes Mukja, nipërit dhe mbesat e tij, deklaruan se “në tapinë e vjetër të vitit 1917, thuhet shprehimisht se “gjyshi ynë Alush Mukja ka kufitarë në këtë prone edhe Haxhi Halilin, Xhemali Qorrin, Met Shëngjergji, ndërkohë që pasi kemi dorëzuar dokumentacionin në Kadastër, Bashki, KKKP, neve na njihet toka dhe marrim tapinë e parë nga ZRPP dhe më pas edhe tapinë e re , pas fitimit të gjithë proceseve gjyqësore”. Duke vazhduar tregimin e tyre trashëgimtarët e Alush Mukjes thanë se “pikërisht në këto momente kur ne po i gëzoheshim pronës së kthyer pas afro 50 vitesh, na del në skenë një fare Ligor Boçi me origjinë nga Gjinari, pjesëtar i familjes së Mihal Boçit dhe na hedhin ne në gjyq ne, duke pretenduar se “toka është prona ime, e kam marrë nga Reforma Agrare në 1946”. Nuk po i besonim syve dhe veshëve, një pretendim skandaloz, absurd, i pabazuar në ligj, në dokumente ligjore dhe logjikë njerëzore, një mashtrim me skenar të menduar mirë. Por atë që nuk e pranojnë ligji dhe logjika, duket se e pranon korrupsioni gjyqtarëve. 

Këtu nisi kalvari vuajtjeve dhe peripecitë tona. Nisin gjyqet dhe ne si trashëgimtarët e gjyshit tonë Alush Mukja fitojmë të gjitha gjyqet, në te gjitha shkallët deri tek Gjykata e Lartë, pra marrim të drejtën tonë, pasi kishim dhe kemi, edhe sot një dosje të madhe me dokumente ligjore, tapi të vjetra dhe të reja. Ligor Boçi e rihap procesin gjyqësor ndaj nesh dhe e humbet sërish, duke pasur kundër ZRPP, Kadastrën, KKKP, Gjykatat, etj. Ndërkohë pas krahëve tona dhe duke mos na njoftuar fare ne , zhvillohet një tjetër proces gjyqësor në Elbasan. Procesi gjyqësor zhvillohet dhe mbaron brenda një afati rekord dhe pa na njoftuar fare ne trashëgimtarët e zotit Alush Mukja për gjithçka, gjyqtar i çështjes E.P, i cili mori në shqyrtim padinë e pabazuar në ligj të shtetasit Ligor Boçi, kundër Bashkisë Elbasan, KKKP, vendos dhe i jep të drejtën një njeriu mashtrues, duke na marrë 24 mijë metra katrore toke. Një skandal të tillë nuk ka parë ndoshta edhe drejtësia e Enver Hoxhës. Brenda një kohe të shkurtët, nxirret tapia e tokës, kur një tjetër dhe aq më tepër origjinalin e disponojmë ne dhe shitet, thuhet se në lojë ishte edhe një ish-ministër”.


 Trashëgimtaret e familjes Mukja deklaruan se “ne e kemi denoncuar shkeljen ligjore të paparë ndonjëherë në Shqipëri në 2008, tek KLD, tek Ministria Drejtësisë, tek Presidenti asaj kohe zoti Bamir Topi, por gjyqtari i korruptuar E.P. ka marrë nga ekipi kontrollit KLD vetëm “Vërejtje” dhe kaq, ndaj ne kërkojmë përmes denoncimit në gazetën tuaj “Telegraf”, të sensibilizojmë Ministrinë e Drejtësisë dhe kreun aktual të saj zotin Ylli Manjani, KLD dhe Presidentin Bujar Nishani, të nisin ndaj ish-gjyqtarit të Elbasanit sot pranë Gjykatës Tiranë ndjekjen penale dhe të na kthehet vlera e tokës së shitur padrejtësisht. Ne trashëgimtarët e familjes Mukja kërkojmë nga shteti, që gjyqtari ti jepet organeve të drejtësisë dhe të përjashtohet nga e drejta e ushtrimit të funksionit tij si gjyqtar. KLD dhe Ministria e Drejtësisë të ndalen në rastin e grabitjes së 24 mijë metrave katrore tokë të familjes Mukja, pasi do të zbulojnë qindra raste të tjera korruptive të gjyqtarit E.P. dhe shumë kolegeve te tij në Elbasan”. Trashëgimtarët e familjes Mukja shprehin habinë e tyre, se “si ka mundësi që të fitohen të gjitha shkallët e gjyqësorit nga ne , të merret edhe tapia e re e pronës së ligjshme dhe të arrihet të merret një vendim tjetër gjyqësor, në fshehtësi të plotë nga një gjyqtar kaq i korruptuar siç është dhe të grabitet në ditën me diell në institucionet e shtetit prona e ligjshme”. Trashëgimtarët e familjes Mukja kërkojnë drejtësi dhe shprehen se do t’i drejtohen edhe Strasburgut dhe Ambasadës se SHBA në Tiranë, për të kërkuar të drejtën e një prone të vjedhur nga vendime të paligjshme gjykate, bazuar jo mbi tapi dhe dokumente origjinale, por mbi letra me shkrim dore, ku shkruhej në krye të saj VFLP të Reformës Agrare të 1946, nga Enver Hoxha”. 
Sigal