Hyjnë në fuqi udhëzimet, tarifat për shërbimet dytësore të përmbaruesve privatë deri në vlerën 50,000 lekë

107
Sigal

Nga vlerë 5,000 lekë për kryerjen e njoftimeve zyrtare deri në 50,000 lekë për konstatimin e fakteve që cenojnë reputacionin apo sigurinë ushqimore do të jenë tarifat për shërbimin dytësor të përmbaruesve privatë.

Tre udhëzimet e ministrisë së drejtësisë që përcaktojnë nivelin e tarifave të veprimtarisë dytësorë të përmbaruesve privat janë botuar në Fletoren Zyrtare.

Në udhëzimin për tarifat për kryerjen e njoftimit të dokumenteve zyrtare vlera e tarifës varion nga 5,000 lekë kur njoftimi në adresën e deklaruar deri në vlerën e 10,000 lekëve për adresë të deklaruar në rrethe, duke përfshirë edhe parapagimin për shpenzimet e udhëtimit. Bëhet fjalë për kryerjen e njoftimit të akteve gjyqësore dhe dokumenteve zyrtare, me kërkesë të gjykatës apo kryerjes së njoftimit të dokumenteve zyrtare, me kërkesë të personave fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë.

Udhëzimi “Për caktimin e tarifave të veprimtarisë dytësore të përmbaruesit gjyqësor privat për shitjen e sendeve në ankand publik”, përcakton tarifat për shitjen e sendeve në ankand, si ato të çmueshme, sendet e paluajtshme.

Tarifa për kryerjen e shitjes së sendit në ankand publik varion nga 5,000 lekë deri në 10% të vlerës së sendeve të çmueshme.

Ndërsa në udhëzimin “për caktimin e tarifave të veprimtarisë dytësore të përmbaruesit gjyqësor privat për kryerjen e konstatimeve të fakteve, sendeve dhe dukurive lehtësisht të verifikueshme, që nuk kërkojnë njohuri specifike teknike, sipas legjislacionit në fuqi variojnë tarifa nga 10,000 lekë për fakte të cilat pasqyrojnë dëmet e ardhura si pasojë e tërmeteve, zjarreve apo përmbytjeve. Ndërsa tarifa më e lartë në vlerën e 50,000 lekëve për konstatimet në lidhje me cenimin e personalitetit apo dhe sigurisë ushqimore.

Tarifat për njoftimin e dokumenteve zyrtare

Për kryerjen e njoftimit të dokumenteve zyrtare, me kërkesë të personave fizikë dhe juridikë privatë, vlera e tarifës përllogaritet, si më poshtë:

a) kur nuk kryhet njoftimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e saktë, tarifa është 5,000 lekë;

b) kur nuk kryhet njoftimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e pasaktë, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës prej 7,000 lekësh dhe vlerës së tarifës për konstatimin e adresës, të parashikuar në udhëzimin në fuqi të ministrit të Drejtësisë;

c) kur njoftimi kryhet në adresën e deklaruar në një qytet tjetër, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej vlerës 10,000 lekësh dhe vlerës së parapaguar të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit;

ç) kur njoftimi kryhet në adresën e padeklaruar në një qytet tjetër, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës së gjysmës së pagës minimale në shkallë vendi, vlerës së parapaguar të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit, si dhe tarifës për konstatimin e adresës, të parashikuar në udhëzimin e ministrit të Drejtësisë.

Për kryerjen e njoftimit të dokumenteve zyrtare, me kërkesë të personave juridikë publikë, vlera e tarifës përllogaritet, si më poshtë:

a) kur nuk kryhet komunikimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e saktë, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës së gjysmës së pagës minimale në shkallë vendi dhe vlerës së parapaguar të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit;

b) kur nuk kryhet komunikimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e pasaktë, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës së një page minimale në shkallë vendi dhe tarifës për konstatimin e adresës, të parashikuar në udhëzimin në fuqi të ministrit të Drejtësisë;

c) kur njoftimi kryhet në një njësi administrative tjetër të një qarku tjetër, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës së tarifës të përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike dhe vlerës së parapaguar të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit.

Për kryerjen e njoftimit të akteve gjyqësore, vlera e tarifës përllogaritet, si më poshtë:

a) kur nuk kryhet njoftimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e saktë, tarifa është 5,000 lekë;

b) kur nuk kryhet komunikimi në adresën e deklaruar dhe adresa e deklaruar është e pasaktë, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës prej 7,000 lekësh dhe tarifës për konstatimin e adresës, të parashikuar në udhëzimin në fuqi të ministrit të Drejtësisë;

c) në një njësi administrative tjetër/të ndryshme të një qarku tjetër, tarifa është e barabartë me shumën që rezulton prej mbledhjes së vlerës së tarifës të përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike dhe vlerës së parapaguar të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimet.

Për efekt të llogaritjes së tarifës të përcaktuar në pikat 2 deri 4 të këtij kreu, vlera e shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit nuk mund të jetë më e ulët se: a) 9,000 lekë, për distancën që varion nga 50 km deri në 100 km; b) 18,000 lekë, për distancën që varion nga 100 km deri në 150 km; c) 20,000 lekë, për distancën që varion nga 150 km deri në 200 km; ç) 22,000 lekë, për distancën që varion nga 200 km deri në 300 km; d) masa e një page minimale në shkallë vendi, për distanca mbi 300 km.

Tarifat për shitjen e sendeve në ankand

-Llojet e sendeve që i nënshtrohen tarifave të shërbimit për zhvillimin e ankandit: a) sendet e çmueshme në pronësi të të interesuarit; b) sendet e paluajtshme në pronësi të të interesuarit ose në bashkëpronësi të tij; c) sendet e luajtshme në pronësi të të interesuarit, që nuk përjashtohen nga qarkullimi civil.

-Tarifa për kryerjen e shitjes së sendit në ankand publik përbëhet nga: a) tarifa e aplikimit në shumën 5,000 lekë; b) tarifa e zhvillimit të procedurës së ankandit, që mbulon publikimin e kërkesës në faqen elektronike të zhvillimit të ankandeve, kostot dhe shërbimin e përmbaruesit në shumën e 3 pagave minimale mujore; c) tarifa mbi vlerën e shitjes së sendit në ankand, që përcaktohet në varësi të sendit, si më poshtë: i. për sendet e paluajtshme në pronësi të të interesuarit, në masën e 3% të vlerës së shitjes së sendit; ii. për sendet e çmueshme në pronësi të të interesuarit, në masën 10% të vlerës së shitjes së sendit; iii. për sendet e luajtshme në pronësi të të interesuarit, që nuk përjashtohen nga qarkullimi civil, në masën e 5% të vlerës së shitjes së sendit.

Tarifa e shërbimit të kryerjes së konstatimeve të fakteve, sendeve dhe dukurive

Tarifa e shërbimit të konstatimit të fakteve, sendeve dhe dukurive lehtësisht të verifikueshme, që nuk kërkojnë njohuri specifike teknike, sipas legjislacionit në fuqi, është pagesa që kryhet nga pala e interesuar për të mundësuar marrjen e këtij shërbimi ligjor nga përmbaruesi gjyqësor privat.

Vlera e tarifës për konstatimet sipas pikës 2 të kreut III, përllogaritet si më poshtë: a) për fakte të cilat pasqyrojnë dëmet e ardhura si pasojë e tërmeteve, zjarreve apo përmbytjeve në pasurinë e palës së interesuar, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e 10,000 lekëve b) për konstatimin e fakteve që lidhen me përdorimin e emrit të palës së interesuar nga një person tjetër, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e 5,000 lekëve; c) për konstatimin e adresës, vendbanimit ose vendqëndrimit të palës së interesuar, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e 5,000 lekëve;

ç) për konstatimet sipas shkronjave “ç”, “d”, “dh” dhe “e” të pikës 2 të kreut III, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e pagës bazë minimale mujore; d) për konstatimet në lidhje me cenimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të palës së interesuar, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e 50,000 lekëve;

dh) për konstatimet e vendeve dhe të mjeteve të personit të dëmtuar me qëllim mbrojtjen e të drejtave ndaj shoqërive të sigurimit, vlera e tarifës së shërbimit është në masën 50,000 lekëve; e) për konstatimet në lidhje me respektimin e kushteve të sigurisë, vlera e tarifës së shërbimit është në masën e 50,000 lekëve; për konstatimet në lidhje me produktet që i ofrohet konsumatorit, vlera e tarifës është në masën e 10,000 lekëve; f) për konstatime në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj palës së interesuar, vlera e tarifës është në masën e 10, 000 lekëve; g) për konstatime në lidhje me respektimin e të drejtës së ekskluzivitetit, vlera e tarifës është në masën e 20,000 lekëve;

gj) për konstatimet në lidhje me publikimet të pavërteta ndaj palës së interesuar, vlera e tarifës është në masën e 20,000 lekëve; h) për konstatimet e dorëzimit të pasurisë së paluajtshme, në bazë të kontratës së porosisë, sipërmarrjes apo shitjes, vlera e tarifës është në masën e 50,000 lekëve; i) për konstatimet e mospërmbushjes së detyrimit të takimit të fëmijës me prindin, vlera e tarifës është në masën e 5,000 lekëve; j) për konstatimet në internet dhe rrjete sociale që ndërveprojnë me njëra-tjetrën në platformat e internetit, vlera e tarifës është në masën e 10,000 lekëve.

k) për konstatimet mbi pajisjet, aparatet elektronike të identifikuara në pronësi të punëdhënësit nga prodhuesi ose mjeteve të tjera teknologjike që ruhen ose lidhen me sistemin e informacionit profesional të punëdhënësit, vlera e tarifës është në masën e 10,000 lekëve. l) për konstatimet lidhur me ndotjet nga zhurmat dhe lloje të ndryshme të ndotjes, vlera e tarifës është në masën e 10,000 lekëve. 3.

Vlera e tarifave të shërbimit për konstatimet e përmendura në shkronjat “b” deri “l”, si më sipër, zbatohen vetëm nëse koha e përdorur nga përmbaruesi nuk e tejkalon 1 orë pune dhe rritet progresivisht në të njëjtën masë për çdo orë shtesë, derisa shërbimi i kërkuar nga pala kërkuese të përmbushet nga përmbaruesi.

Kur konstatimet kryhen në një qytet tjetër, sipas kërkesës së palës së interesuar, tarifës së konstatimit, sipas pikës 2 të këtij kreu, i shtohet edhe vlera e parapaguar e shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit.

Vlera e shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit nuk mund të jetë më e ulët, se: a) 9,000 lekë, për distancën që varion nga 50 km deri në 100 km; b) 18,000 lekë, për distancën që varion nga 100 km deri në 150 km; c) 27,000 lekë, për distancën që varion nga 150 km deri në 200 km; ç) 36,000 lekë, për distancën që varion nga 200 km deri në 250 km; d) 45,000 lekë, për distancën që varion nga 250 km deri në 300 km; dh) 54,000 lekë, për distanca mbi 300 km.