Historia e 8-vjeçares, Manxurana Bega që humbi në varrin masiv të kampit famëkeq të Krujës

1103
Agron MEMA

Histori që nuk duhen harruar
Rrëfimi i Gëzim Mero Begës: si u internua aktivistja e LANÇ-it, Sulbena Peçi (Bega), Nëna e 8- vjeçares dhe motra e dëshmorit Balil Peçi si dhe kushërira e parë e Xhaferr Peçit, ish-Komandant i Gardës së Republikës për 30 vite, dhe kalvari i vuajtjeve të kësaj familjeje
Debati i hapur kohët e fundit për krimet e komunizmit në Shqipëri, në përgjithësi gjatë sundimit 50-vjeçar, dhe në veçanti për trajtimet çnjerëzore në kampet famëkeqe të përqendrimit dhe internimit, kanë nxjerrë në dritë shumë fakte rrëqethëse e drithëruese. Dhe ky është një hap përpara për të hedhur tisin e së vërtetës në mënyrë që njerëzit të kenë një hapësirë më të gjerë, jo vetëm në njohjen e diktaturës në koncept, por edhe të krimeve të saj. Krime që ende fshihen në labirintet misterioze të arshivave dhe historisë së diktaturës, të mungesës dhe zhdukjes së dokumenteve, të shumë retushimeve dokumentare, por edhe në memorien njerëzore. Këtë e tregoi reaksioni i fundit mediatik, se sa të fshehta ruajnë akoma njerëzit në kujtimet e tyre dhe sa rrëfime dolën në dritë. Këto të fshehta të jetës në burgjet dhe kampet e internimit të sistemit komunist duhet të dihen e të publikohen. Kjo i shërben historisë kombëtare. Dhe jo vetëm, por edhe për vetë faktin se Shqipëria ka pasur një specifikë të veçantë në këtë drejtim, krahasuar me vendet e Lindjes Komuniste, trajtim që vendoset në shenjën e barazimit me terrorin dhe sistemin stalinist. Politika e modeluar sipas stileve dhe formave staliniste instaloi diktaturën më egër në botë. Dhe kjo diktaturë në Shqipëri, nga sa flasin faktet e dala në dritë, nga dëshmitë okulare të personave që i kanë jetuar dhe vuajtur mbi kurrizin e tyre me fatkeqësi, vuajtje, kanibalizëm sistemi, është ushtruar në formën më të tmerrshme. Por kjo panjohuri dhe fshehje e diktaturës deri në detaje më të imëta të funksionimit të saj, që nuk ka asgjë njerëzore, bën që ende nuk është reflektuar në kuptueshmërinë e thellësisë e përmasën e vërtetë të vet diktaturës. Në mbështetje të kësaj domosdoshmërie që sjell koha sot, kanë qenë edhe qëndrimet dashakeqëse të disa historianëve të bëra me qëllim për të mbajtur ende të fshehtë krimin e vërtetë, anën më të errët të diktaturës, të kësaj tragjedie kombëtare. Ata qëllimisht ngatërrojnë formën me përmbajtjen e vuajtjes që shkaktuan kampet e internimit në Shqipëri. Ato ua kalonin edhe kampeve fashiste në kapërcim të dukshëm të të drejtave njerëzore deri në mohimin e shenjtërisë e saj; jetës. Dhe sidomos ndaj kundërshtarëve të saj politikë, dhe jo vetëm ndaj tyre, por edhe pasardhësve të tyre në breza. Po le të kthehemi e të nisim nga historia që u bë shtysë për këtë shkrim ekskluziv për gazetën “Telegraf” me kërkesë të vetë rrëfyesit Gëzim Mero Bega. Është histori tepër rrëqethëse kjo që na rrëfen Gëzimi. Por nuk është vetëm një histori që i përket vetëm atij. Ajo i përket gjithë shqiptarëve, gjithë bashkëvuajtësve të diktaturës, familjeve që patën të njëjtin fat të trishtë e tragjik. Janë të tilla, sepse nën ndriçimin e së vërtetës janë identike, është i njëjti fat, binjakë siamezë për nga ngjashmëria, sepse diktatura nuk bënte dallime në trajtimin e kësaj shtrese shoqërore me instrumentet e saj. Këtu ndodhet me vend të themi edhe dy fjalë prezantimi për lexuesin se kush është rrëfyesi i kësaj historie, Gëzim Mero Bega. Është një intelektual i mirëfilltë në Sarandë. Në faqet e gazetës “Telegraf” ka ardhur me prezencën disa herë me shkrimet dhe fabulat e tij dhe përditë, çdo mëngjes e gjejmë me këtë gazetë në dorë. Ai lindi në Golem të Labërisë së Gjirokastrës. Mbaroi shkollën e mesme mjekësore “Jani Minga” në Vlorë në vitet 1981-1985 me rezultate të larta, por dyert e universitetit qenë të mbyllura për të nga fantazma “biografi”. Qenë vitet më të ashpra të diktaturës kur pak kohë që qe larguar nga jeta diktatori Hoxha dhe fati i Gëzimit për ëndrrën e shkollës së lartë do të qëndronte në sirtarët e ëndrrës me dëshpërimin dhe mospërkuljen. Nga mungesa e kuadrove profesionistë detyrohen ta caktojnë si ndihmësmjek në ambulancën e fshatit Kolonjë, disa kilometra larg fshatit të tij, kilometra që Gëzimi 18-vjeçar detyrohej t’i përshkonte përditë me brengën e zemrës dhe porosinë e të atit që të punosh më shumë nga të gjithë, ashtu si e kish porositur edhe vite më parë që të mësonte më shumë nga të gjithë, se vetëm kështu mund t’ia dalim, se koha nuk i dihet si vjen dhe kemi moralin të flasim për persekucionin e sistemit. Dhe ashtu ndodhi. Dhe koha ndërroi dhe Gëzimi punoi. Autoritetet partiake dhe pushtetare të kohës u detyruan të vlerësonin punën e tij deri sa i erdhi certifikata nga Kuvendi Popullor në vitin 1986, po jo në emrin e tij, sepse emri i tij nuk duhej për diktaturën. Certifikata shkruante: “Ambulanca shembullore në Kolonjë”. Po kush e bëri shembullore këtë ambulancë? Cinizmi nuk kish brirë e as kufi. Gëzimi vijoi punonte pa munguar asnjë ditë nga puna duke përshkuar kilometrat e rrugës së keqe. Suksesi e ndjek edhe në ushtri në vitin 1988. Pasi kryen të gjithë depistimin e efektivit ushtarak të divizionit të Beratit “Riza Cerova”, vjen vlerësimi përsëri nga Kuvendi Popullor si shembullor në “Depistim dhe regjistrim në spitalin ushtarak të Beratit”. Pas ushtrie punon si inspektor higjene në Gjirokastër, ky emërim falë punës dhe vlerësimeve të Kuvendit Popullor. Gëzimi përmend me respekt kudo ndihmën e madhe dhe të pakursyer të Dr. Laver Stroka për aftësimin profesional dhe shërbim të përsosur e korrekt ndaj pacientit. Viti 1991 e gjen në qytetin e Sarandës ku del dhe dallëndyshja e parë private në këtë qytet me hapjen e klinikës së parë private të Sarandës “Medikall – Produkt – Center”, ku përfshiheshin shërbimet; klinikë-farmaci-depo farmaceutike. Dhe në vitin 2000 i jep shtysë të mëtejshme aktivitetit të kësaj klinike duke sjellë 14 specialistë të ndryshëm mjekësh nga spitali universitar i Janinës në shërbimin mjekësor të qytetarëve të Sarandës dhe më tej akoma, shpesh vinin dhe nga Greqia të vizitoheshin për shkak të çmimeve të vizitave mjekësore në këtë klinikë. Krahas punës Gëzimit i mbetej për të realizuar ëndrrën e mbetur peng nga rinia e tij e hershme; arsimimi, universiteti. Dhe arrin të diplomohet për farmaceutikë në Universitetin e Tiranës. Tanimë kishte shtuar, plotësuar e përforcuar ambiciet profesionale. Por Gëzimi nuk ka vetëm këto kontribute shoqërore dhe intelektuale të profesionit të tij. Ai është autor i tre vëllimeve me fabula ku spikat humori i hollë kundër veseve më të liga të shoqërisë, si mjek që e do trupin e njeriut të shëndoshë e të pastër, ashtu e do dhe shoqërinë e sotme shqiptare. Emri dhe personaliteti i tij për kontributet e dhëna ka zënë vend në botime shkencore mjekësore, botime enciklopedike, historike, mediatike, nëpër stenda të institucioneve të ndryshme si aktivist, sponsor dhe bamirës. E bëmë këtë prezantim për të treguar se sa fisnikë kanë qenë ata njerëz dhe sot pasardhësit e tyre, që cikatura i cilësonte “armiq” të popullit dhe i internoi e burgosi, u preu çdo të drejte dhe lirie duke përdorur mbi ta torturat, mjetet dhe shantazhet më çnjerëzore. Po ju me të drejtë do të pyesni se çfarë e lidh direkt Gëzimin me kampet e përqendrimit, pasi pak, një tis i mjegullt, u përmend më lart? Po! Dhe këtë na e tregon vetë Gëzimi kur e pyesim. Me buzëqeshjen e tij fisnike tregon historinë e trishtë e të dhimbshme të familjes së tij. Rrëfen e sytë i lëngëzohen nga pikat e lotit që fillojnë të rrëshqasin faqeve të tij, zemra i ngashërehet nga dhimbja. Bëhet mjaft emocional, por e mban veten dhe tregon në qetësi të plotë duke të parë drejt në sy me buzëqeshjen që duket sikur kërkon pafajësi për emocionet e përjetuara, por një zemër e ndjeshme s’mundet ti përballojë dot. Vetëm një zemër katile i duron, si zemra e atyre që i shkaktuan këto dhimbje të tmerrshme. Tregon se gjyshi i tij, Memo Bega, së bashku me gruan e tij Sulbenën dhe tre fëmijët e tyre, Fatimja 10 vjeçe, Manxurana 8 vjeçe dhe Merua (babai i Gëzimit) 4 vjeç, provuan kampet e internimit qysh në vitin 1945. Ndonëse Sulbena, gjyshja, qe motra e dëshmorit Balil Peçi dhe vajza e xhaxhait të Xhaferr Peçit ish-komandant i gardës për 30 vite, diktatura nuk e kurseu por përdori kanibalizmin e saj. Ujkonja diktaturë kish uri të madhe e nuk përmbahej kjo bishë e egërsuar ndaj jetëve njerëzore. Por edhe vet Sulbena kish qenë aktiviste e LANÇ-it, megjithëse fisi i burrit, jo. Dy djemtë e tij, të gjetur nga Sulbena me gruan e parë të burrit të saj qenë ballistë. Madje tregohet një rast që Sulbena mori iniciativën për të çuar postën e partisë komuniste në n/prefekturën e Gusmarit ku qenë të përqendruara me shumicë forcat balliste. Asnjë nga burrat e fshatit nuk i doli zot kësaj detyre që kërkonte partia komuniste. Sulbena, duke ulur në gjunjë krenarinë dhe burrërinë tyre, deklaroi se e çonte ajo postën. E mori e vendosi në shtëllungën e leshit të furkës dhe duke tjerrë u nis në rrugëtimin e vështirë mes edhe një moti të keq e një të ftohti të hidhur. E dorëzoi postën dhe u kthye shëndoshë e mirë në fshat. Por këto dhe biografia e familjes nga vinte bijë, familje e lidhur tërësisht me Luftën dhe partinë, nuk u morën parasysh nga cikatura komuniste e sapo ardhur në pushtet. Në 10 janar 1945 u vendos që kjo familje të internohej në kampin famëkeq të Krujës. Dhe urdhri u zbatua. Familja e Begajve, duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit dhe lënë pas mallin e shtëpinë, rrugëtoi drejt ferrit të Krujës. Këtu nis dhe historia më e dhimbshme e kësaj familjeje ku vulgariteti dhe forca fituan mbi të drejtën. Sipas dokumenteve të publikuara, në Shqipëri, në Krujë dhe Berat ishin krijuar në atë kohë dy kampet e internimit dhe ai i Krujës mblidhte popullsinë e jugut. Kampet e përqendrimit internues të popullatës, si hapësirë kohore, funksionuan nga viti 1945-1953, ku popullsia e tyre, familjarë të të dënuarve dhe të arratisurve, mbahej e izoluar dhe e ruajtur me forca të armatosura të regjimit. Por në të vërtetë Shqipëria deri në fund të sistemit komunist i ngjante një kampi të tërë internimi të rrethuar me tela me gjemba. Koha e internimit të familjes Bega erdhi kur në vitin 1945 qeveria komuniste e sapo ardhur në pushtet, ndjente frikën e ekzistencës së mbajtjes së pushtetit të saj dhe këto familje i selektonte dhe klasifikonte si baza të mundshme strehimi dhe përgatitjeje të një kryengritjeje të armatosur nga forcat e armatosura të arratisura jashtë vendit. Shiheshin nga frika si baza të reaksionit, ndaj vendosi shpërnguljen e kësaj popullate të cilësuar si armiq dhe të afërm të armiqve. Në kampin e Krujës ku shkoi dhe familja Bega, qenë strehuar kryesisht pleq, gra e fëmijë në kushtet më mizerable. Kur familja Bega mbërriti në kampin e Krujës pa rreth e rrotull një vend të rrethuar me tela me gjemba. Akoma s’po kuptonin se çfarë ndodhte vërtetë me ta. Njerëz të rreckosur e të sakatepsur lëviznin në hapësirën e ngushtë dhe ushtarë të armatosur me automatikët e frikshëm që i ruanin përreth. Kampi dukej se qe një frymëzim hitlerian. Dhe kjo, si nga ndërtimi, trajtimi dhe jetesa që bëhej. Por për fat të keq, sipas statistikave, në ditët tona nuk kanë mbërritur materiale fotografike dhe ato listore të këtyre kampeve të tmerrshme. Është një dokumentacion shumë i pakët dhe i mjegullt nëpër arshiva. Pra jemi të qartë se, për familjen Bega, ky internim nuk erdhi dhe aq krejt papritur. Sulbena Peçi erdhi nuse tek Memo Begaj, pasi këtij i vdiq gruaja e parë dhe me të bëri tre fëmijë. Gjeti dhe dy djem, të cilët u inkuadruan me Ballin Kombëtar pas Ismail Golemit; Hajdinin dhe Arapin, të cilët ditën e çlirimit u arratisën jashtë shtetit, historinë e të cilëve vetëm pak kohë më parë e kemi publikuar në faqet e gazetës”Telegraf”. Ky qe shkaku i internimit, pasi dhe qëllimin e diktaturës e shpjeguam më lart pse u ndërmor një urdhër tillë. Por edhe më para forcat e sigurimit, në bashkëpunim me spiunët e fshatit, kishin tentuar të provokonin në shtëpinë e Begajve, por Sulbena kishte pikasur djallëzinë. Ata i bënin thirrje t’u hapte derën se qenë ballistë e kërkonin bukë. Era e pabesisë sillej si fantazmë rreth shtëpisë së saj. Dhe ky provokim qëllimkeqës u përsërit disa herë, aq sa një natë nuk duroi më por u thirri me ulërimë:-Ikni që këtej e mos t’u shoh më se do thërras fshatin t’u telendis. Provokatorët u larguan dhe Sulbena njohu njërin që qe bashkëfshatar. Ky njihej në breza si spiun, madje në kohën e Italisë, italianët e kishin stampuar në shpatull me shkronjën “S”. Pa kaluar shumë kohë, në kampin e Krujës do t’i ndodhte tragjedia familjes Bega si dhe shumë familjeve të tjera brenda asaj dite. Epidemia dhe uria kishte përfshirë popullsinë e kampit, sidomos fëmijët nuk duronin më. Manxurana 8 vjeçe vdes nga uria dhe etja për ujë. Nuk kish asnjë thërrime buke dhe asnjë pikë uji. Atë ditë vdiqën shumë dhe i varrosën së bashku në një varr masiv, eshtrat e të cilëve edhe sot nuk janë gjetur dhe bashkë me to edhe të Manxuranës së vogël, pavarësisht kërkimeve të shumta për të. Dokumentacioni i kohës e vërteton këtë vdekje masive shkaktuar nga epidemia dhe uria të shumë fëmijëve në kampin e Krujës me anë të një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të asaj kohe, sipas të cilit thuhet se “Për periudhën dhjetor 1944 – mars 1946, internoheshin familjet e të arratisurve politikë dhe të kundërshtarëve të tjerë. Prandaj i kishin lënë pa bukë, pa barna, pa shtroja, duke sjellë vdekjen e personave të ndryshëm”. Në kampin e Krujës ishin të internuar familjet e jugut dhe siç tregon raporti i mësipërm buka nuk jepej rregullisht, veprim, i cili shkaktoi dhe vdekje urie tek fëmijët. Këtë situatë të dhimbshme studiuesi Uran Butak, familja e të cilit ishte internuar në Krujë kur Urani ishte 8 vjeç në moshën e Manxuranës, e sjell në shkrimin e tij “Detyra e historianit është të konsultojë dhe ballafaqojë disa burime” ku në një episod nënvizon vdekjen e fëmijëve dhe të Manxuranës së vogël në këtë kamp, se: “uria, papastërtia dhe keqpërdorimi shtonin vdekjen e shumë njerëzve. Asnjë nuk guxonte të mos shkonte në punë. Dy prindër nuk u lejuan të mungonin një ditë nga puna që të kujdeseshin për vajzën e tyre të vogël e të sëmurë. Dhe vajza e vogël vdiq pa praninë e nënës së vet që mund të bënte diçka për të”. Diktatorët shikonin se kampi i Krujës, mars 1945 – shtator 1947, nuk qe i përshtatshëm për shfrytëzimin e banorëve të tij për punë. Të internuarit duhet të punonin se edhe buka që u jepej, 600gr. në ditë, u duhej ta paguanin vet. Kështu u transferuan në kampin tjetër famëkeq të Tepelenës. Në kampin e Krujës qenë rreth 900 veta dhe mes tyre 299 gjirokastritë ku bënte pjesë edhe familja Bega. Udhëtonin për në Tepelenë me kokën pas, se kishin lënë Manxuranën, diku aty nën dhe të përqafuar me fatin e dhimbshëm të shumë bashkëmoshatarëve të saj të pafajshëm. Në Tepelenë kjo familje ndenji deri në 30 dhjetor 1946, kohë kur u lirua pasi doli amnistia e 28 Nëntorit 1946, ku nga 552 familjet përfituan edhe këta. Kujtojmë se në këtë kohë për amnistinë funksiononte akoma ligji i Mbretit Zog që jepej për kundërshtarët politikë me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Familja Bega u kthye në fshat, por jo e plotë. Mungonte Manxurana e vogël. Kishte mbetur në dherat e Krujës. Manxurana e pafajshme 8 vjeçe që iku nga kjo jetë pafajësish, e pangopur dhe e etur për një pikë ujë. Sulbena, nëna e saj, sa herë dëgjonte fjalën, Krujë e përshkonin në gjithë trupin e saj drithërimat, ofshante dhe qante. Shikonte nga dera se mos era i sillte zërin e Manxuranës që e thërriste: Nënë! Bukë, ujë! Moj nënë pse nuk dëgjon, ku ke shkuar moj nënë, më ka marrë malli për prehrin tënd? Po babi ku është? Po motra dhe vëllai? Ku jini, o nënoke? Kam ftohtë! Errësirë, pa bukë dhe ujë. Sulbena i përsëriste dhe me zë këto fjalë sa herë dëgjonte fjalën, Krujë. Kruja i mbajti të fshehur Manxuranën, pjesën e trupit dhe shpirtit të saj, Manxuranën e vogël që nuk arriti dot ta gëzonte jetën e nëna nuk i dha dot një thërrime bukë e një pikë ujë në frymën e fundit të saj. A ka gjë më të rëndë e më të dhimbshme për një nënë kur fëmija kërkon vetëm pak bukë e një pikë ujë të mbajë shpirtin gjallë? Po ka vesh cikatura të dëgjojë! Ku ka zemër krimineli të dëgjojë lutjet e shpirtit njerëzor, zemrën e nënës dhe të një fëmije, ku dinë të mëshirojnë vampirët! Sulbena i përsëriste këto fjalë dhe sa qe gjallë nëpër oborr, shkallë e dritare mbillte manxurana erëkëndshme. I dukej sikur kompensohej me aromën e tyre, aromë që i bëhej se e sillte vajza e saj e vogël, që qe larg , aty në baltën e Krujës, në një varrezë të përbashkët me shumë bashkëmoshatarë të sajë. Dhe me këto fjalë vdiq dhe me manxurana mbuluar si amanet i plotësuar. Kështu u kthyen në fshat nga internimi shpirtvrarë dhe Memua nga dhimbja do të largohej shpejt nga jeta duke e lënë Sulbenën me jetimë të vegjël. Por ajo i rriti dhe i martoi, madje vajzat me familje komuniste, sepse qenë fisnike. Po në fshat nuk i lanë rehat. Vitet kalonin dhe fëmijët rriteshin. Babai i Gëzimit, Merua, mësonte shumë në shkollë, por i detyruar nga kushtet ekonomike e la shkollën. Zemra e tij e vrerosur se qysh katër vjeç provoi internimin dhe u rrit jetim, tani do mendonte edhe për ekonominë e shtëpisë. Por ia nisi jetës pa frikë. U mor edhe me sportin e mundjes ku doli dhe kampion kombëtar, por shpejt u përjashtua nga sporti, se pas e ndiqte hija e internimit dhe e dy vëllezërve të arratisur. Biografia e zezë e ndiqte pas si hienë. Edhe si punonjës i mirëmbajtjes së rrugës, botore, nuk e lanë. Spiunët qenë më shumë të zellshëm se të aktivizuar. Një bashkëfshatar rastësisht e pa dhe ngriti alarmin: “Hiqeni vëllain e ballistëve nga rruga se do na minojë rrugën! Ç’do armiku aty?” Por edhe kur vinin letrat nga vëllezërit e arratisur, përsëri spiunët e zellshëm sokëllinin se duhej ruajtur shtëpia e armikut se do na përmbysin etj. Kaq u desh dhe e hoqën. Nisi jetën si bari ku dallohej për zotësi, zgjuarsi dhe nikoqirllëk, mikpritës dhe bujari. Fisniku mbetet fisnik dhe asnjë diktaturë nuk mundet dot t’i rrudhë shpirtin dhe ndjenjat njerëzore. Demokracia e nderoi me titullin “Qytetar Nderi i Komunës Picar”. Por tregojnë dhe një histori të tij, histori që tregohet për humor, por bart në vetvete filozofinë jetësore të ndryshimit të sistemeve mbi pronën, qëndrimin ndaj saj dhe të karaktereve njerëzore: “Mero Bega ngriti stan të madh me ardhjen e demokracisë. Tanimë koha kish sjellë epokën e hapjes së rrugëve dhe inisiativave të lira për njeriun e zot e të aftë, punëtor e të ndershëm në djersën e tij. Secili korrte çfarë mbillte. Njëherë i shkojnë në stan disa ish-kuadro të sistemit socialist që Mero i njihte mirë. Të shohim sa kanë ndryshuar me kohën që erdhi, mendoi me vete. Dha porositë për përgatitje dhe biseda filloi. Dreka do shtrohej kur të bënte Merua shenjë. Kastile vonoi. Mysafirët nuk duruan dhe menduan ta thumbonin. 

-Po mirë, o Mero, dikur që sa na dëgjoje zërin e ia hiqje kokën dashit dhe e shkoje në hell, tani as dhallë nuk na dhe. 

-Hëm, ja bëri Merua me vete, akoma nuk kanë ndryshuar, ata kanë mbetur. Dhe ua ktheu: -E di, o miq, e di. Nuk e kam harruar, jo. Po atëherë isha me tonat, tani jam me të miat. Miqtë panë njëri-tjetrin dhe u ngritën të iknin. Mero i drejtoi nga hija e gorricës ku i priste dreka. Pra, i nderuar lexues, kjo nuk është thjeshtë një histori që i përket Gëzimit. Gëzimi sot shkëlqen me punën dhe kontributin e tij në shoqëri. Ndaj dhe merr përsëri gazetën”Telegraf” të lë mbi tavolinë, që e ka si kafen e mëngjesit dhe lëshon komplimentet e tij të drejtpërdrejta e pa lustra për gazetën që i pëlqen se, krijon hapësira të shumta për klasën e të persekutuarve, për shëndetësinë, ushtarakët, pensionet. Mban qëndrim korrekt dhe kritik me paanësi për realitetin që jetojnë sot shqiptarët. -Është kohë shumë e vështirë, -vijon më tej bisedën, -Njerëzit kanë shumë halle.(dhe vërtetë në farmacinë e tij shikon qytetarë që performanca e veshjes tregon varfëri). Dhe njerëzit duhen besuar kur e kanë vërtetë një hall të tillë. Dhe duhen ndihmuar, sidomos për shëndetin se ku qëndron roli human? Jeta, familjen tonë e ka mësuar t’i gjendet tjetrit në hall, aq më shumë kur vuan nga sëmundjet të ndryshme e kërkon kurim, shërim, kërkon jetë. Kemi vuajtur vetë e kemi humbur jetë. Për një çast ndalet dhe na tregon bllokun me listën e gjatë të emrave borxhlinj që kanë marrë ilaçe. Shuma e borxheve është e madhe. 

-Ja,- tregon,-si të bësh? Si të veprosh? Fol atëherë për një shtet dhe qeveri që qytetarët e tij nuk blejnë dot as ilaçet për kurim. Atëherë vdisje për bukë dhe për ujë, tani për ilaçe. Ç’ka ndryshuar për neve?

Kjo qe historia e dhimbshme, por edhe krenare e familjes Bega.

“Tek ka rrjedhur, do pikojë”
Sigal