Haxhinasto gropos 150 milionë dollar në Malet e Mokrës

1016
Sa kalon doganën greke në Kapshticë ndodhesh para një kantieri gjigand ndërtimi, ku punohet 24 orë në çdo ditë të javës. Ajo është “Autostrada Egnatia” që fillon nga Stambolli dhe përshkon gjithë Greqinë Veriore dhe ka mbërritur tashmë në Kapshticë. Ky është investimi më i madh në Ballkan e Greqi: 1000 km autostradë (Kipoi-Igumenicë, plus 9 zgjatimet që lidhen me Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë), 100 km tunele, 1660 ura e viadukte
“Via Egnatia” është ndërtuar midis viteve 146 dhe 120 para Krishtit, fillimisht duke ndjekur gjurmët e një rrugë të vjetër para-romake nga Dyrrachium në detin Adriatik deri afër Selanikut në detin Egje. Më vonë, ajo u zgjat nga Evro në Bizantium dhe përfundimisht morri emrin “Egnatia” e gjithë rruga, dmth nga Roma deri në Konstandinopojë, për nder të Gnaeus Egnatius, prokonsullit romak që e ka ndërtuar atë. Në Perandorinë Romake, “Via Egnatia” qe rruga më e rëndësishme që lidhte kryeqytetin e Romës nëpërmjet Dyrrachiumit me Konstandinopojën. Dhe deri në shekullin e 16 ajo ishte rruga kryesore për komunikimin midis popujve të lindjes e perëndimit për tregtinë, fenë, ideologjitë, kulturat, ekonomitë, mënyrat e jetesës, etj.
Logjika më e thjeshtë e një kryeministri shqiptar për futjen e Shqipërisë në lojën globale të transportit do të qe së pari rijetësimi i “Via Egnatia”. Ky është një ekuacion i zgjidhur 2000 vjet më parë, që s’ka nevojë për shumë shkencë. Në thelb përveç ish-kryministrit Meksi, si njohës i mirë i lashtësisë, asnjë kryeministër në 25 vite nuk e kuptoi rëndësinë e kësaj rrugë e aq më tepër në 15 vitet e fundit, kur morri jetë ndërtimi i “Autostradës Egnatia”. 
Procesi i Berlinit
Me hapjen e mundësisë nga “Procesi i Berlinit” për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar fonde nga BE (që ka financuar 45 % të “Autostradës Egnatia”), hapi i parë që qeveria Rama duhej të bënte ishte vazhdimi i kësaj autostrade nëpër Shqipëri dhe lidhja e saj me portin e Durrësit dhe vazhdimi i saj në veri drejt Kroacisë. Kjo është e vetmja autostradë e BE-së që ka ardhur në kufirin shqiptar. Minimalisht nga ana procedurjale qeveria shqiptare duhej ta klasifikonte vazhdimin e kësaj autostrade nga Kapshtica në Elbasan (130km) në “Rrjetin bazë të transportit të BE” (TEN-T Core Network). Por kjo nuk ka ndodhur edhe pas shumë letrave dhe artikujve që kam shkruar për këtë çështje dhe bisedave direkte me zyrtarët tanë! Përkundrazi Qeveria Shqiptare është dakordësuar në SEETO që segmenti Elbasan-Kapshticë të jetë një “Rrugë ndihmëse”, nga e cila Elbasan-Qafë Thanë ka nevojë vetëm për përmirësim të rrugës ekzistuese, ndërsa Pogradec-Kapshticë quhet e përfunduar!
I vetmi segment që ka kërkuar financim Shqipëria nga BE dhe i është aprovuar nga “Plani 5 -vjeçar 2016-2020 i SEETO për Zhvillimin e Transportit të Ballkanin Perëndimor” është “Rruga Berat-Tepelenë” në listën e “Projekteve prioritare që iu ligjërohet financimi”, ç’ka është një dështim dhe një budallallëk e nonsense total!
Ndërkohë që as në listën e “Projekteve Prioritare që do të përgatiten deri në vitin 2020” Shqipëria nuk ka paraqitur 2 segmentet më strategjike: Autostradën “Elbasan-Qafë Thanë” e “Qafë Thanë-Kapshticë”, që janë vazhdim i “Autostradës Egnatia” dhe njëkohësisht i “Korridorit 8”, të cilin Maqedonia po e ndërton në nivel autostrade. Pra në Kapshticë e Qafë Thanë vijnë dy autostrada të rëndësishme dhe Qeveria Shqiptare nuk planifikon asnjë autostradë që të lidhet me këto segmente deri në vitin 2020!
Por përkundrazi në një mungesë totale vizioni Qeveria po ndërton me një kredi 150 milionë dollarësh, marrë nga Banka Islamike e Zhvillimit dhe Fondi Saudit i Zhvillimit, rrugën e pa nevojshme malore “Qukës-Qafë Plloçë”, me një karrexhatë, e gjatë 44 kilometra (me kosto mbi 3.5 milionë US$/km). 
Përse na shërben “Rruga Qukës–Qafë Plloçë”?
1 – “Rruga Qukës–Qafë Plloçë” është vetëm 3 km më e shkurtër se rruga ekzistuese “Qukës–Qafë Thanë-Qafë Plloçë”. Pra nuk përfitohet ndonjë rrugë më e shkurtër. Por në një të ardhme është i pashmangshëm ndërtimi i Korridorit 8-të, “Qafë Thanë–Elbasan”, pra dhe segmenti “Qafë Thanë-Qukës” (15km), i cili përfshin një tunel afërsisht 3km të gjatë në Qafë Thanë, “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” do të jetë krejt pa leverdi, pasi “Qafë Thanë-Qafë Plloçë” është vetëm 25km dhe distanca Qukës-Qafë Plloçë do të jetë më e shkurtër 4km nga drejtimi i Qafës së Thanës.
2 – Sipas ekspertëve në të ardhmen është plotësisht i pamundur kthimi saj në autostradë me standarte si “Autostrada Egnatia”. Të gjithë ekspertët e kanë kritikuar projektin. Sipas të dhënave tona, projektin de-facto e ka bërë një ish zëvendësministër (E.N.), pa studime serioze inxhinierike, socio-ekonomike e ambjentale (alla shqiptarçe), sa për të marrë financimin arab. 
3 – Por skandali më i madh inxhinierik është se “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” do të kalojë në mbi 20 kilometra në kuota mbi 1000m e në rreth 5-6 kilometra në kuota 1200-1300m. Ndërsa korridori rrugor, që kalon nga Qafë Thana shmang maksimalisht kuotat e larta (kuota më e lartë në Qafë Thanë vetëm 750m e në Qafë Plloçë 850m). Nivelet tejet problematike, në kuota mbi 1000m deri në 1300m të alternativës Qukës – Qafë Plloçë, nëpër malet e Mokrës, e bëjnë këtë zgjidhje krejt të gabuar e të pajustifikueshme. Për kushtet klimatike të zonës, do të thotë që në dimër kjo rrugë është e pakalueshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të bllokimeve të shpeshta që ndodhin në Qafë Thanë, që është 600m më ulët se kuota më e lartë e kësaj rruge. Ky s’është një GABIM, por një KRIM EKONOMIK SHUMË I RËNDË dhe një shpërdorim ekstrem i papërgjegjshëm i fondeve publike.
Leverdia e studimeve shqiptare
Studimet tona paraprake nxjerrin shumë më me leverdi gjurmën përgjatë liqenit të Pogradecit, ku ekspertet sygjerojnë 25km autostradë malore (Lin-Qafë Plloçë) në një kuotë ~30m mbi nivelin e liqenit, për arsye ambientale.
Lidhja me “Autostradën Egnatia” ka avantazhe sepse:
1. Distanca Athinë-Tiranë është 100km më e shkurtër me lidhjen nga Kapshtica, se sa nga Kakavija, që nuk ka për të pasur një autostradë edhe për shumë e shumë vite në të dy anët e kufirit. Kjo është rruga më e shkurtër drejt Turqisë dhe veriut e jugut të Greqisë, që ka 90% të popullsise dhe potencialit ekonomik grek, kundrejt zonës së varfër të Greqisë perëndimore me vetëm 1 milionë banorë.
2. Distanca Athinë-Tiranë-Trieste është 150km më e shkurtër se nga Korridori 10 (Athinë-Beograd-Trieste).
3. Distanca Stamboll-Tiranë-Trieste është vetëm 70km më e gjatë se Stamboll-Beograd-Trieste, pra është konkuruese.
4. Gjurma përgjatë liqenit të Pogradecit është më optimalja, pasi distanca Athinë-Pogradec-Shkup barazohet me distancën Athinë-Selanik-Shkup (705km). Pra kjo është një devijim i sukseshëm i Korridorit 10. Pa llogaritur që gjithë trafiku i Korridorit 10, që ka desinacion Greqinë Perëndimore e ka më shkurt të kalojë nga Pogradeci, se nga Selaniku.
5. Lidhja me “Autostraden Egnatia” në terma ekonomike do të thotë që Shqipëria bëhet pjesë efektive e dy “Korridoreve Ndërkontinentale Kineze të Mëndafshit” që lidhin Europën me Azinë. Për dijeni vetëm kalimi i këtij korridori nga Porti i Pireut do t’i sjellë Greqisë 14 miliardë euro në vit dhe do të krijojë rreth 134.000 vënde të reja pune http://www.kathimerini.gr/841332/article/oikonomia/ellhnikh-oikonomia/plan-b-apo-polye8nikes-logw-eidomenhs. Dmth kalimi i “Korridorit të Mëndafshit” nga Greqia do t’i japë të ardhura ekonomise greke, më shumë se GDP-ja e Shqipërisë! 
Kjo është një mënyrë shumë agresive e inteligjente e të menduarit dhe e planifikimit strategjik, për të rritur valencat ekonomike të Shqipërisë. 
Pra a duhej të përpiqej qeveria shqiptare ta devijonte në mënyrë efektive “Autostradën Egnatia” nga Shqipëria dhe Adriatiku?! 
Ne i kemi sygjeruar me kohë qeverisë, që “Rruga Qukës-Qafë Plloçë” duhet të braktiset fare. Më mirë të humbasim kaq sa janë harxhuar, se sa të humbasim 150 milionë dollarë dhe një mundësi për të bërë diçka më të mirë me këtë financim. Ka ende kohë, që të ndalim investimin e gabuar. 
Sipas nesh Qeveria duhet të vlerësojë si dy projektet më strategjike rrugore: 
-ndërtimin e “Autostradës Elbasan–Qafë Thanë-Kapshticë” (140km), që të lidhet me “Autostradën Egnatia” e me “Korridorin 8”, si dhe vazhdimi i saj
– në autostradën “Tiranë-Lezhë-Ulqin” pjesë e Korridorit Adriatiko Jonian. 
Për këtë Qeveria duhet të kontraktojë kompani ndërkombëtare të klasit të parë në projektim autostradash (jo shqiptare, pasi rrugët tona tregojnë më së miri aftësinë e tyre), që të bëjnë urgjent një PRE-FEASIBILTY STUDY ROUTE SOLUTION për “Lidhjen e Autostradës Egnatia me Autostradën Adriatiko-Joniane”, që të ketë një projekt profesional në Takimin e Parisit. 
Groposja e 150 milionë dollarëve
Por deri më tani Qeveria është e vendosur që të groposë mbi 150 milionë dollarë në malet e Mokrës me rrugën “Qukës-Qafë Plloçë”, duke e vënë veten në rolin e një sekseri të dorës së dytë, pasi kremin ketij projekti ja kanë ngrënë më parë. Kjo është një vjedhje e rëndomtë, që për disa milionë euro bakshish, që dikush mund t’i merrte me projekte edhe më serioze, ne do të paguajmë 150 milionë dollarë, plus interesat. Vetë firmat ndërtuese tallen me cilesinë e projektit dhe prokuruesit e tij.
Në tre vite Qeveria ka dështuar duke mos bërë asnjë kilometër rrugë të re kombëtare e nuk po bën asgjë për një strategji afatgjatë transporti, si mjeti kryesor për rimëkëmbjen ekonomike. Ajo ka dështuar në mënyrë spektakolare me “Rrugën e Arbërit”, bile edhe me segmente që ishin bërë gati nga qeveria e mëparshme. Me ç’duket vizioni maksimal dhe arritja më e rëndësishme për qeverinë është “Rruga e Lumit të Vlorës”, me gjerësi 7 metra dhe me asnjë mundësi për t’u kthyer në autostradë në të ardhmen. 
Transporti është dështimi më spektakolar i Qeverisë, që tregon një mungesë të theksuar vizioni në këtë sektor dhe për ekonominë në përgjithësi.


Përgatiti: Geri SELENICA 
Sigal