Haxhinasto dhe Sequi: Siguria rrugore prioritet

520
Sigal

Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore zhvilloi dje konferencën e organizuar në Tiranë për sigurinë rrugore. Të pranishëm në këtë tryezë ishin Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, zv.ministri i MAS, Arbjan Mazniku, zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe plot speciliastë të fushës. Fjalën e hapi znj. Fitnete Sulaj, kryetare e Këshillit Shqiptar të Sigurisë.

Edmond Haxhinasto

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi se siguria rrugore mbetet prioritet i qeverisë dhe se vendosja e standardeve europiane është domosdoshmëri për të gjitha llojet e transportit. Gjatë konferencës së organizuar në Tiranë për sigurinë rrugore, Haxhinasto theksoi se, qeveria duhet të rrisë përgjegjësinë dhe të ndërgjegjësojë qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe rrugëve. “Janë rritur investimet për sigurinë rrugore në buxhet. Kemi një paketë masash ligjore dhe operative. Do ndërhyhet në kode, në ligj, me qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin e publikut. Të përgatisim siç duhet drejtuesin e mjetit, sepse ai është shkaku kryesor i aksidenteve. Sistemi do të jetë “corruption proof” (i imunizuar ndaj korrupsionit). Reformë do të bëhet në mënyrën e certifikimit të automjeteve, duke e bërë dhe këtë proces “corruption proof”, pra që të mos ketë certifikime që vijnë nga korrupsioni, nga blerja e tyre”,- tha Haxhinasto.

Ettore Sequi

Ndërkaq ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, u shpreh se, Bashkimi Europian vlerëson ambicien e qeverisë dhe ministrisë për të vënë në prioritet dhe axhendë një ndër problemet e Shqipërisë, që është siguria rrugore. “Këmbësorët janë ata që preken nga aksidentet. Numri i aksidenteve rrugore është shumë i lartë. BE do të asistojë qeverinë dhe të gjitha masat për sigurinë. Duhet të kuptojmë se siguria dhe promovimi i saj janë qasje mendore, e si të tilla duhen kuptuar”, tha ambasadori Sequi.

 Objekti i veprimtarisë së Këshillit Shqiptar të Sigurisë Rrugore

 • Parandalimi dhe reduktimi i numrit të aksidenteve rrugore

• Bashkëpunimi dhe komunikimi me të gjitha autoritetet përkatëse të Qeverisë, me qeveritë lokale dhe komunat, organet profesionale, agjencitë e sigurimeve shoqërore kombëtare e të tjera, si dhe institucionet ndërkombëtare dhe OJF-të me qëllim

uljen e numrit të aksidenteve rrugore dhe promovimin e sigurisë rrugore në Shqipëri.

• Bashkërendimi i kërkimeve përkatëse dhe zbatimin në mënyrë të dobishme të rezultateve të dala nga këto kërkime.