Haradinaj: Falja, i vetmi kompromis që i ofrojmë Serbisë!

425
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, se i vetmi kompromis që Kosova mund t’i ofrojë Serbisë është falja. Haradinaj u shpreh sërish kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për ato që i ka bërë në Kosovë. Fakti i njohjes dhe i marrëdhënieve, nënkupton një lloj pajtimi, realisht, një lloj faljeje. Pra, ky është kompromisi i madh që do të bëjmë ne. Një Kosovë e 17 shkurtit është një minimum, është një kompromis për të drejtën e shqiptarëve, nuk mundet ajo edhe me u zvogëlu më shumë! Në Ballkan nuk ka kufi perfekt dhe lëvizja me kufij është e rrezikshme.”- tha kryeministri Haradinaj në RTSH.

Haradinaj: Jam “ushtari” i parë i Amerikës…

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shpreson për një marrëveshje me Serbinë, ndonëse është i vendosur të mos ulet në tryezën e bisedimeve me kushte. Në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, Haradinaj tha, se vendosmëria për të mos hequr taksën për mallrat e Serbisë nuk është kundërvënie ndaj SHBA.

“Mos ta bindim veten se bohemi më miq me Amerikën, duke ia heq taksën Rusit, se Rusit ia kemi qit ne jo Serbisë. Një ditë prej ditësh Amerikës i konvenon që Kosova të jetë vetvetja, jo gjithë kohën me t’i dhënë detyra dikush. Kjo temë ka të bëj, jo me Amerikën, por me Serbinë dhe Rusinë dhe unë jam vija e frontit – pra jam ushtari i parë i Amerikës në vijën e frontit me Rusinë. Nuk e kam dallimin me Amerikën. E kam dallimin me armikun tim të qindra vjetëve e për të cilin du edhe unë me pas opinion qysh zgjidhet problemi jem me to – se jam palë. Nuk mundet dikush me më tregu mu qysh ka me u zgjidh problemi mes Kosovës dhe Serbisë? Do të dëgjohem unë se jam palë.”- tha Kryeministri i Kosovës në Televizionin Publik.

Haradinaj: Tarifa në Rrugën e Kombit, logjikë e gabuar!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e sheh tarifën në Rrugën e Kombit si një barrierë të shtuar në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare. Haradinaj tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, se ia ka shprehur mendimin e tij edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Mendoj që është një logjikë e gabuar. Shqipëria e ka treg Kosovën, e ka konsumator si për detin, ashtu edhe për punë të tjera, do të thotë: Ti për me pru konsumatorin duhet me e josh. Si e josh? Për shembull, me thonë Shqipëria që çdo makinë e Kosovës që hyn ia japim një bonus për një kafe dikund dhe kështu ti rrit frekuentimin, shton njerëzit, rrit klientelën. Më vjen keq që ka ndodh kjo me taksën, tarifën në Kalimash! Edhe ma keq kalojnë transportuesit, pagesa e skanerit që është shumë e shtrenjtë. Është e pashpjegueshme. I kemi fol, i kemi fol. Si nuk i kemi fol, por megjithatë … ne nuk mundemi tash me qit kushte Shqipërisë: Po nuk e hoqe atë, do të bëjmë këtë. Nuk bohet ashtu. Shpresoj që do të gjindet ndonjë zgjidhje, por zor është me imponu zgjidhje!”- tha Ramush Haradinaj në RTSH.