Grabitja në Rinas dhe vrasjet e bujshme, kush janë tre kokat e krimit që do izolohen në regjimin ’41 BIS’

106
Sigal

Viktor Ymeri alias Viktor Bajraktari, Klement Çala dhe Eldi Çala janë izoluar për një vit në regjimin e posaçëm “41 BIS”. Ky vendim u mor pas urdhrit të Ulsi Manjës për t’i izoluar kriminelët për një afat 1-vjeçar.

Vendimi vjen pas një bashkëpunimi dhe bashkëveprimi të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit SPAK, DBP, Policia e Shtetit, SHISH, SHKB. Tre personat në fjalë janë mjaft të njohur në botën e krimit.

Kush janë të izoluarit?
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë në burg për grabitjen e avionit me para në Aeroportin e Rinasit në 9 prill të 2019. Ata u arrestuan në mars të 2020 në një vilë luksoze në Qerret, teksa tashmë Klement Çala akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale. Më 9 prill të 2019 një grup personash arritën që të marrin sasinë e parave të transportuara me blinda nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri jashtë shtetit nëpërmjet Rinasit. Pas një përplasje me policinë mbeti i vdekur Admir Murataj, person afër Klement Çalës.

Ata akuzohen se janë anëtarë të grupit kriminal që planifikoi vjedhjen me armë të shumave monetare, shumë kohë para se të realizohej duke siguruar dhe përshtatur automjetin me të cilin kanë realizuar vjedhjen, automjetet e tjera me të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes, kanë siguruar mjetet e nevojshme për hapjen e dyerve të emergjencës së perimetrit të aeroportit, kanë siguruar armët luftarake, kanë studiuar lëvizjet e mjeteve monetare në brendësi të aeroportit duke e planifikuar me detaje kryerjen e vjedhjes.

Viktor Ymeri akuzohet se është pjesë e grupit që vranë Vajdin Lamajn. Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizajn, i ekzekutuar para disa muajsh në Durrës. Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Fillimisht, Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin. Ymeri tashmë është pas hekurave për dy vrasje mjaft të bujshme, atë të biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu.