Gomonia e djegur në Karaburun, Policia e Shtetit: Sekuestruam rreth 224 kg lëndë narkotike

442
Sigal

Policia
e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me gomonen e cila u gjet e djegur
dje në Gjirin e Gramës. Mësohet se mjeti Policia Kufitare ishte vënë në ndjeke
të një mjeti lundrues, i cili ishte lokalizuar në Karaburun. Pas sinjalizimit
edhe të Guardia di Financa-s, policia nisi aksionin për kapjen e gomones, e
cila u gjet e djegur. Po ashtu, burime policore pohojnë se në zonën e pyllëzuar
u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike.

 

DEKLARATA E POLICISË KUFITARE

Mbi bazën e informacioneve të marra më parë, efektivat e Policisë
Kufitare të D.R.K.M Vlorë kanë nisur një operacion gjatë natës së datës 13
Nëntor dhe paradites së datës 14 Nëntor. Mjetet detare të Policisë Kufitare
Vlorë e Dhërmi dhe të Guardia di Finanza-s, janë vënë në ndjekje të mjetit
lundrues. Gjatë mesditës së datës 14 Nëntor Shërbimet e Policisë Kufitare të
Stacionit Dhërmi kanë konstatuar në sektorin Rrugët e bardha -Gjiri Gramës, në
vendin e quajtur “Gjiri Shën Andreas”, Karaburun në breg, një mjet lundrues tip
gomone, i cili po digjej dhe në afërsi të tij disa qese dhe thasë plastmasi.

Përshkrimi i mjetit lundrues përputhej me informacionin që
dispononte Policia dhe që ishte vënë në ndjekje të tij. Menjëherë nga DVKM
Vlorë, u morën masa dhe me mbështetjen e D.V.P. Vlorë dhe Delta Force dhe
Guardia di Finanza, u ushtruan kontrolle nga deti dhe toka për personat që
dispononin këtë mjet lundrues dhe që i kishin vënë flakën për t’i shpëtuar
Policisë. Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor rezultoi se mjeti
ishte tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury” me fuqi
motorike 350hp i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në
bordin e mjetit vazhdonte të digjej një lëndë e dyshuar si lëndë narkotike e
llojit Cannabis Sativa.

Në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike
lëndë e dyshuar Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime
në gjuhën Italiane. Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe
disa pako të mëdha me lëndë narkotike. Përreth vendit ku u konstatua gomonia si
dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike.
Nga Policia po vijon krehja e zonës për kapjen e personave të dyshuar. Provat
materiale të gjetura në vendngjarje u transportuan nga Mjeti i Delta Forcë dhe
mjeti i Guardia di Finanza, për në Vlorë dhe ju kaluan për veprime të mëtejshme
proceduriale Seksionit të Narkotikëve në D.V.P Vlorë. Po punohet për
identifikimin e mjetit lundrues dhe të autorëve të kryerjes së kësaj vepre
penale. Veprimet dhe verifikimet u bënë bashkë me Nuklin e Guardia di Financa
të Vlorës.