Gjykatës Kushtetuese/ Ndaloni padrejtësinë e Gjykatës së Lartë ndaj ish-ushtarakëve

543
Drejtësia të vendosë DREJTËSINË për ish ushtarakët e liruar e në rezervë

Shoqatat e ushtarakëve të liruar dhe në rezervë, në të gjithë vendin, të cilat përbëjnë një masë të konsiderueshme të popullsisë, duke përfshirë dhe familjet e tyre, kanë kohë e vite të tëra, që janë shprehur e shprehen për padrejtësitë që u janë bërë e u bëhen ish ushtarakëve të liruar, në pension dhe në rezervë, në mohimin e të drejtave të tyre, të përcaktuara në Statusin e Ushtarakut, e kryesisht në Statusin e Ushtarakut, të miratuar në muajin Mars të vitit 2004. Këto të drejta të miratuara me shumicë parlamentare, me mbi 135 vota, nga viti 2006 e sidomos nga viti 2009 e 2010 e pothuajse deri më sot, kanë ardhur duke u eliminuar e duke u zhbërë nga institucionet e ndryshme e Sigurimet Shoqërore. Kohët e fundit, nga data 24.12.2016 me vendimin Nr 3 Kolegji Unifikues i Gjykatës së Lartë me relator zotin Xhezair Zagonjari ai dhe kryetar i Gjykatës së Lartë dhe relator përsëritës për të drejtat e ushtarakëve iu heq ish ushtarakëve edhe ato të drejta të fituara më parë me vendim gjykate dhe i ribën ata përsëri debitor. Zbatimi i këtij vendimi famëkeq i Gjykatës së Lartë jo vetëm që ju heq të drejtat e fituara me ligj e me vendim gjykate, por ai i ribën debitorë, thellon më tej diskriminimin, përbuzjen e masakrimin e të drejtave të ushtarakëve ekonomikisht, por ai u ul dhe degradon të gjitha vlerat e tyre të fituara me përkushtimin e zbatimin me besnikëri të detyrave ndaj Atdheut e Kushtetutës. Por, mbi të gjitha ai i vret ata moralisht dhe psikologjikisht, duke i eliminuar edhe fizikisht për së gjalli nga kjo jetë e shoqërisë shqiptare!

Sa veprim i turpshëm e diskriminues!
SHKURSH. Dhe AKUSH ( Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë), si dhe specialistë të mirëfilltë e profesionistë, ekonomistë, juristë etj, ju kanë relatuar e çuar apelim juve Gjykatës Kushtetuese këtë vendim dhe me avokat përfaqësues me të gjitha argumentet si ato ligjore dhe nënligjore dhe me fakte, që ju ashtu si gjithnjë të gjykoni, analizoni realisht si i vetmi institucion ligjor e më i lartë në këtë vend që të vendosni drejtësinë mbi padrejtësinë, për problemet e tejzgjatura e pambarim të ish ushtarakëve në këtë kohë të një tranzicioni të pa fund në Shqipëri. SHKURSH dega Vlorë duke qenë tepër e shqetësuar e të revoltuar nga vendimi i Kolegjit të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të plotë të ankimimit që është bërë nga Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve e Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve jemi në pritje të gjykimit tuaj. Shoqata e Ushtarakëve në Vlorë, në mënyrë të sinqertë dhe me besim të plotë tek juve, zotërinj të nderuar të Gjykatës Kushtetuese ju drejtohemi që të ndaloni një herë e mire e përfundimisht, padrejtësitë e njëpasnjëshme e të herë pas hershme që u janë bërë dhe që u bëhen ish ushtarakëve të cilët janë më të persekutuar se të persekutuarit politik, i kanalizojnë i ndajnë e i copëtojnë në trajtime me të njëjtin ligj, në kategori të ndryshme, me diferenca e dallime nga më të ndryshmet dhe nga më diskriminueset e masakrueset, duke i sorollatur e përcjellë pa fund dhe pa ju zgjidhur asnjë problem. Nuk ka më keq dhe poshtërim më të madh që i është bërë dhe i bëhet kësaj shtrese të popullsisë, këtyre kuadrove në breza që kanë kryer vetëm detyrat dhe kanë zbatuar vetëm Kushtetutën e tyre deri në vdekje. Shoqata e Ushtarakëve Vlorë shpreson e beson fort tek institucioni juaj, tek personaliteti juaj si i vetmi institucion që keni mbrojtur e mbroni e vendosni drejtësinë mbi padrejtësitë që janë bërë e bëhen në këtë vend. Ju e keni vërtetuar e pasqyruar këtë drejtësi që kërkohet si Gjykatë Kushtetuese në shumë vendime të tjera që keni marrë edhe më parë për probleme të tjera të ndryshme e deri në problemet kombëtare. Ju e keni vërtetuar edhe në dy vendimet tuaja të mëparshme që keni marrë kur keni gjykuar problemet e ankesat pranë jush nga Shoqata e Ushtarakëve të Shqipërisë. Është moment kritik, është moment me rëndësi, por edhe me vlerë që ju të nderuar zotërinj të Gjykatës Kushtetuese të vendosni një herë e mirë drejtësinë për ish ushtarakët e liruar të keqtrajtuar e të përbuzur në të gjithë këto vite. Ju e kini nderin , prestigjin dhe forcën ligjore për t’i treguar të gjithë institucioneve shtetërore vendimin tuaj kushtetues të plotë e me detajime e përcaktimet tuaja për zbatimin e Statusit të Ushtarakut ashtu si e kanë dhe vendet për rreth nesh dhe ato të Bashkimit Evropian, ku duam të bëhemi anëtarë të tyre. Ne shpresojmë e besojmë fortë tek ju, sepse ne si ish ushtarakë në çdo cep e skutë të Republikës së Shqipërisë kemi kryer e zbatuar në çdo kohë detyrat e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si të tillë ne përsëri besojmë tek ju, tek mbrojtësit e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë

Dega, V L O R Ë
Kryetar: Maksim Ramohitaj
Sekretar: Tajar Rustemi.
Sigal