Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit

29
Sigal

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar për dy muaj paraburgimin të pandehurit Naim Murseli dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Murselit në fund të vitit të kaluar, tha të martën për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e gjykatës Mirlinda Gashi.

“Masa do t’i llogaritet nga data 27 qershor 2024 deri më datën 26 gusht 2024, në kushtet ligjore të parapara nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës”, tha Gashi.

Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia i arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë G.P, dhe K.K.

Ata janë mbajtur në paraburgim për dhjetorit të kaluar, në pritje të gjykimit.

Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij – nënë e dy fëmijëve – dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro.

Mllef e zemërim shprehën mijëra qytetarë kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa në Prishtinë kishte edhe protesta me thirrjet për drejtësi për Liridonën.

Vrasja e Liridonës e çoi në katër numrin e grave të vrara në vitin 2023 në Kosovë, sipas raportimeve të policisë.

Nga viti 2010 deri më sot janë së paku 57 gra të vrara në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës. Në të shumtën e rasteve, fajtorë ose të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë./rel