Ministria e Brendshme, para se të rendisë statistika, ta nisë me shkuljen e palmave anti-Kod Rrugor në autostradë
Disa dit më parë, titullari i Ministrisë së Brendshme, së bashku me organizatën policore europiane “PAMECA”, organizoi një seminar-debat të zgjeruar, në lidhje me problemin e rënduar të aksidenteve rrugore në Shqipëri. Nuk themi se nuk bëjnë punë edhe seminaret, por kur ato nuk lidhen me praktikën konkrete të veprimtarisë së zbatimit të kushteve të shërbimit të qarkullimit rrugor në rrugë, ato mbeten veçse “ese” që lexohen sa për “evidencë arritjesh”. E kemi fjalën për kundërshtinë që ndeshëm mes fjalëve të thëna në seminarin e Durrësit, ku u fol “shkencërisht” për zbatimin e ligjit, për sigurinë rrugore dhe ballafaqimin me realitetin që shteti nuk plotëson dhe madje shkel hapur e rëndë detyrimet teknike, për të pasur siguri rrugore.
Qeveria shkuli reklamat 20 metër larg dhe “nguli” palmat… 3 metër afër rrugës!
Ligji e përcakton qartë: reklamat që vendosen anës rrugëve automobilistike, duhet të jenë në distancë jo më pak se 20 metër larg vijës anësore të rrugës, kjo e parashikuar në parametrat teknikë të rrugëve, sipas standardeve europiane të garantimit të qarkullimit rrugor normal e të sigurt, sipas kritereve të sigurisë rrugore. Po si veprohet në praktikën shqiptare, prej shtetit shqiptar? Në autostradë dhe në rrugë të tjera nacionale në Tiranë, Durrës e në akse të tjera me fluks qarkullimi dhe dyndje reklamash, reklamat po hiqen. Por po zëvendësohen me palma! Qeveria shkuli reklamat dhe “nguli” palmat. Ajo që nuk përputhet me Kodin Rrugor është fakti që këto “palma qeveritare”, janë mbjellë 3 metër larg kufizimit anësor të rrugës. Kjo është antiligjore në aspektin e zbatimit të Kodit Rrugor dhe të kushteve teknike për sigurinë rrugore. Ka një standard teknik, të përcaktuar qartë dhe prerë nga ekspertët rrugorë të vendeve të BE, që detyron entin e rrugëve (ministrinë përkatëse) të çdo vendi, që të mos mbjellë as pemë anës rrugëve nacionale në distancë më të afërt se 6 metër. Palmat që mbolli kryeministri, janë 3 metër larg vijës anësore të rrugës, tamam sikur ka kufizuar një rrugicë oborri rezidence private! E ndërsa ekspertët rrugorë shqiptarë e kanë kundërshtuar këtë shkelje të Kodit Rrugor Shqiptar dhe këtë shkelje të hapur e flagrante të standardit europian të sigurisë rrugore, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e përshëndet si “rilindje” të transportit rrugor. Ndërsa ministri i Transporteve, Edmond Haxhnasto, siç duket po pret deri sa palmat të krijojnë kurorën me gjethe dhe të japë… hijet e tyre me koncesion! Në vlerësimin e gazetës “Telegraf”, por edhe të ekspertëve të sigurisë rrugore, tingëllon demagogjik seminari i policisë shqiptare, zhvilluar në Durrës me organizatën policore “PAMECA”, ku mbaheshin leksione, renditeshin shifra aksidentesh, përmendeshin fonde financiare, jepeshin këshilla, shprehej edhe dhimbje për viktimat aksidenteve e bëheshin thirrje për të evituar aksidentet rrugore! Ndërsa në terren, nuk bëhet asgjë nga ato që thuhen. Nëse ministri, do të dëshironte të jepte një provë të vetme konkrete, për ta bërë konkret seminarin me organizatën “PAMECA”, duhej ta niste seminarin me shkuljen e palmave të ngulura në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe standardet e sigurisë rrugore të vendeve të BE. Ministri Tahiri, siç shkuli kioska, lokale, vila, parcela me hashash, shtylla e sahate elektrikë të paligjshëm, lojëra bixhozi, tezga rruge që pjekin misra etj., të shkulte edhe palmat e mbjella në mënyrë të paligjshme në autostradë…
Aksidentet, 80% shkaktohen… nga cenimi i kritereve teknike të rrugëve
Sipas ekspertëve rrugorë shqiptarë (jo të atyre që paguhen nga shteti), në Shqipëri janë 978 kilometër rrugë nacionale jashtë standardeve dhe me rrezikshmëri të madhe qarkullimi për njerëzit, mjetet dhe mallrat. Bilanci i aksidenteve është alarmues. Në çdo 5 ditë, ndodhin minimalisht 3 aksidente rrugore të çdo shkalle, 1 prej të cilëve me viktima. Edhe pse në kosto ndërtimi dhe në “inventar”, këto 970 kilometër rrugë figurojnë si “rrugë me standarde si në vendet e BE”, fakti dëshmon të kundërtën. Edhe me një vështrim formal, të dikujt që nuk është specialist, konstaton se rrugët në Shqipëri janë jashtë standardeve. Ministri i rrugëve Haxhinasto, bën mirë që përpara se të kapardiset me investimet e sinjalistikës dhe cilësisë së ndërtimit të rrugëve, duhet të pranojë realitetin që rrugët e ndërtuara në Shqipëri nuk kanë as 30% siguri rrugore dhe këtë tregon fakti, që 80% e aksidenteve që ndodhin përgjatë rrugëve tona, kanë si “burim” cilësinë e keqe të rrugëve dhe mungesën e sinjalistikës atje ku duhet dhe të sinjalistikës së gabuar në afro 40% të akseve e gjatësive të rrugësve. Atje ku duhet tabelë “kalim nxënësish”, vendoset tabelë “fermë lopësh”! atje ku duhet tabelë “kthesë”, vendoset tabelë “Urë 1 kalimëshe”! Sipas ekspertëve rrugorë, Shqipëria ka rrugë për të kaluar makinat, por nuk ka rrugë për qarkullim normal e të sigurt, por ka edhe akse problematike me rrezik për automjetet. P.sh., jashtë standardit të sigurisë teknike cilësohen akset Fier-Berat, Tepelenë-Ballsh, Përmet-Këlcyrë-Leskovik, Lushnjë-Berat, Gjirokastër-Sarandë, Bushat-Pukë, Fier-Ballsh, Tiranë-Burrel-Peshkopi etj., në të cilat nuk të ofrohet asnjë element teknik sigurie e sinjalistike.
Evidenca/ Rrugët, burime aksidentesh
– Në 30% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe sinjalistika orientuese e qarkullimit është e vendosur në kundërshtim të plotë me kushtet konkrete praktike të orientimit për qarkullim rrugor normal e të sigurt.
– Në 40% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe shenjat orientuese të qarkullimit, janë të padukshme dhe jashtë përdorimit nga dëmtimet, vjedhjet ose fshirja e figuracionit.
– Në 80% të gjatësisë të rrugëve nacionale (autostradave) shqiptare, nuk ka as mbikalime dhe as nënkalime, ndërkohë që në akset rrugore, ka 1473 nyje ndërprerëse qendrash banimi e lëvizjesh kalimi të detyruara të popullatës dhe hyrje-daljeve të ndërmjetme të njerëzve, mjeteve, bagëtive, mallrave.
– Në 50% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, sidomos autostradave, madje dhe mbi mbikalime, tabelat orientuese të qarkullimit rrugor janë të mbuluara prej reklamave gjigande të firmave private, të cilat janë ngjitur me paretet anësore të rrugëve, ndërkohë që sipas ligjit duhet të jenë mbi 20 metër larg tyre.
– Afro 65% e rrugëve nacionale në Shqipëri, janë vetëm me 30% kompletim, siguri teknike e fizike për të qarkulluar normalisht e pa pasoja.
Përparim HALILI