Gjendet pa jetë emigranti shqiptar i zhdukur para 6 ditësh, 51-vjeçari dyshohet se u vra nga pronari grek

84
Sigal

Mediat shqiptare në Greqi thanë se 51-vjeçari shqiptar, Ilir Mera, u gjet i vrarë, pasi ishte zhdukur prej mesditës e të martës, 1 nëntor, në zonën e Arethousa, Selanik.

Mediat greke raportuan se ditën e zhdukjes, 51-vjeçari Mera ishte në punë në zonën e Arethousa-s dhe ishte zhdukur ndërsa po shkonte te një stacion autobusi për t’u kthyer në shtëpi, në afërsi të liqenit, në Selanik.

Sipas të dhënave të para Mera dyshohet se është vrarë nga pronari grek ku ai punonte së fundmi.

Vrasja e shqiptarit Ilir Mera e çon në 245 numrin e viktimave në radhët e emigrantëve në Greqi dhe pason atë të biznesmenit shqiptar të ndërtimit Xhani Topalli, i cili u gjet i vrarë 9 ditë pasi zhdukjes, pasditen e 28 gushtit 2022 në Rodos të Greqisë. Gjetja e trupit të 46-vjeçarit u bë i mundur pas arrestimit të vrasësit të dyshuar, 53-vjeçar, pronar i një hoteli, i cili tha se i kishte borxhe biznesmenit shqiptar.

Hetuesit grekë zbuluan se vrasja e Topallit u bë me litar, ndërsa 53-vjeçari pati bashkëpunëtor në krim edhe djalin e tij dhe të dy bashkë në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos. Në vitin 2019, 46-vjeçari kishte marrë përsipër rinovimin e hotelit të autorit, i cili rezulton se i kishte rreth 75 mijë euro borxhe. Autori pretendoi se 46-vjeçari shqiptar po i bënte presion për t’i marrë paratë dhe se i kishte shkuar shumë herë në hotel nën efektin e alkoolit, duke i shkaktuar shqetësime.

Ndërkohë rezultojnë ende të zhdukur shtetasit shqiptarë Altin Kodra, 50 vjeç dhe Ramadan Grëmshi, 52 vjeç, për të cilët nuk ka asnjë të dhënë, nëse janë gjallë apo janë vrarë.