Gëzim TUSHI/ Jo moral dogmatik, por “kufi njerëzor” për qytetarin…

    Për shkak të traditës sonë historike dhe sidomos nën efektet e sundimit totalitar të etikës formaliste në të kaluarën, u mësuam dhe u përshtatëm me ndërtimin e moral;it dhe adoptimin e sjelljes morale hipokrite, me defekte të thella konceptuale, empirike dhe humane. Ne që e jetuam një pjesë të jetës në atë kohë, jemi në gjendje të bëjmë vlerësime disi realiste dhe objektive për etikën dhe moralin e asaj kohe. Në fakt në periudhën e totalitarizmit dukej sikur shoqëria ishte më e stabilizuar moralisht dhe garante në mundësitë e saj, për ndërtimin e “njeriut të ri” me tipare morale të përcaktuara, e vërteta nuk është kështu. Nëse i bëjmë një analizë objektive situatës, zhvillimeve morale kontroversale të asaj shoqërie, do të duhet të pranojmë pa mëdyshje se në fakt gjatë gjithë periudhës gjysmë shekullore në shoqërinë tonë u luftua për të krijuar “dy morale” publike. Njëri, dhe më me peshë sociale, ishte morali konvencional, ai që përflitej dhe përkufizohej ideologjikisht në manualet etike të shkollës, në kodifikimin e sjelljeve brenda familjes dhe sidomos në strukturat që kishin për detyrë procesin e edukimit moral, i cili ishte shumë i rreptë, por tërësisht hipokrit dhe i pazbatuar. Nga ana tjetër ishte edhe një moral për njerëzit e pushtetshëm, të cilët kishin një tjetër moral, i cili ishte i butë dhe fare cinik në raport me atë konvencional. Ky është thelbi i realitetit moral të shoqërisë së kaluar.

    Në kohën postmoderne dhe në kohët që do e pasojnë atë, me siguri që është absolutisht e pamundur të ekzistojë mundësia që etika si e tillë të normativizohet duke u bazuar në ideologji. Sepse në themel të sjelljes morale të njeriut bashkëkohor nuk qëndrojnë vlerat e vjetra të “kanonizuara etikisht”, parimet e strukturuara në modalitete me natyrë të doktrinare filozofike që kanë ardhur prej epokave të tjera njerëzore. Natyrisht nëse problemin do e vlerësojmë historikisht, nuk na lejohet të bëhemi nihilist, të mohojmë se nga doktrinat etike dhe komportimet morale të njerëzve në të kaluarën, mund të ketë, dhe ka, gjëra që duhen vlerësuar për kontributin e tyre historik në etikë dhe në ndërtimin e sjelljes morale të njeriut, të përshtatur sipas stilit të jetës që ka qenë në kohë të ndryshme. Por ato nuk mund të jenë edhe sot të dobishme. Sepse në kohën postmoderne ato nuk kanë më forcë që të shërbejnë si “gur” i cakut etik, si module detyruese për të orientuar moralisht shoqërinë e sotme apo për të ndërtuar sjelljet dhe zakonet e njeriut të kohës. Sepse koha dhe njerëzit janë të ndërtuar me tjetër “materie etike”. Shoqëria shqiptare nuk është më me ato dimensione të vjetra ideologjike dhe etike. Koha postmoderne në jetën tonë ka relativizuar dukshëm natyrën normative të etikës të vlerësuar si sistem i qëndrueshëm vlerash, që sipas linjës së vlerësimit historik ka pasur për detyrë të “vendosë” standardin e përbashkët etik të sjelljes në shoqëri. Për pasojë, në kohën tonë është vështirë t’u kërkosh njerëzve të zotërojnë parime etike doktrinare e sjellje të unifikuara me natyrë etike dogmatike. Kjo është e pamundur në kushtet kur nuk ka asnjë forcë që e dikton sjelljen e njeriut në mënyrë ultimative, të bazuar në kode etike të diktuara tërësisht nga faktorë të jashtëm.

    NOA

    Në këto rrethana, është e udhës që për të rregulluar “etikën e shoqërisë”, për përmirësuar “sjelljen morale” të individit, së pari të kuptojmë të vërtetën se në jetën e sotme nuk ka shumë lidhje unifikuese direkte, që mund të funksionojnë midis asaj që etika na mëson se “duhet bërë” dhe devijancave të moralit të sjelljes konkrete të njeriut, i cili siç po duket qartë nuk bazohet në norma të etikës së shkruar për të vlerësuar “atë që bën” moralisht njeriu në jetën e vet të përditshme. Në këto kushte megjithëse në shoqërinë tonë ka akoma njerëz, që për motive të ndryshme nuk i pranojnë realitetet e reja morale, apo më saktë janë kundër realitetit të zgjerimit të kontureve të relativizmit moral, në fakt ai është një realitet social që po bëhet gjithnjë e më shumë i padiskutueshëm. Madje ky lloj perceptimi i moralit individualist më shumë se sa kolektivist, është model i pëlqyer nga shumica e njerëzve që jetojnë kohën liberale dhe individualiste, që kanë tendencë të theksuar dhe që me këmbëngulje kërkojnë që moralisht të jenë të lirë nga shtrëngimet e panevojshme të diktuara nga faktorë të “tepërt”, që janë “jashtë njeriut” dhe kundër dëshirave dhe kënaqësive të tij të personalizuara. Duam apo nuk duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, ne kemi hyrë në valët e shoqërisë postmoderne. Morali i kësaj shoqërie nuk bazohet ne etikën normativiste, por në të vërtetën që njeriu normal i kohës sonë nuk është më ai hipokriti etik i dikurshëm, i indoktrinuar ideologjikisht dhe moralisht asket, që bënte atë që i thonin të tjerët. Në jetën tonë kemi përballë njeriun moralisht individualist në thelb, që më shumë se ka nevojë për indoktrinim duhet pajisur më organikisht me një sistem vlerash abstrakte të pranuara, të përgjithshme të qytetarisë. Sepse ajo që kërkon koha jonë, nuk është formimi i “njeriu të burgosur”, që duhet të jetojë si “eremit” nëpër “manastiret etike” të së kaluarës mesjetare komuniste, por njeriu i vërtetë që sjelljen morale e kupton si mundësi dhe aftësi që të përshtatet me jetën e përditshme dhe njëkohësisht të luaj rolin e vet si qytetar.

    Vetëm me këtë lloj shikimi të etikës dhe sjelljes morale të njeriut, të kuptuar sipas parametrave të kohës postmoderne, njeriu është në gjendje që të jetojë i lirë, normalisht dhe të bëjë të mundur, nga pikëpamja sociale, një realitet të ri etik social dhe personal. Kjo do të thotë se shoqëria jonë është moralisht në momentin kur në mënyrë të pakthyeshme ecim në rrugën liberale, sipas të cilës” parimet e sjelljes morale janë çështje e zgjedhjes së vetë individit. Ideja etike e nevojës së ekzistencës së standardeve me natyrë objektive, apo të konceptuara si parime morale me vlerë të përgjithshme, duhet riparë si koncept inkoherent që duhet ndryshuar në aksin e perceptimit praktik. Kohës sonë duhet moralisht t’i flasim me “gjuhën” e saj. Nuk jam i sigurt për mundësinë e bazueshmërisë në kohën e relativizmit moral të termit “standarte morale” duke i nënkuptuar ato si vlera me natyrë objektive. Duke patur personalisht dyshim të qëndrueshëm për këtë gjë, për ekzistencën e standardeve morale të konceptuara si module, mendoj se duhet të ndryshojmë termat, konceptet dhe modalitetet etike të rindërtimit të sjelljes morale të njeriut të epokës postmoderne. Sipas mendimit tim, duke parë zhvillimet etike, sjelljet morale të njerëzve në shoqërinë tonë por dhe përtej saj, kam bindjen dhe dëshirën që të pranojmë nevojën për një ndryshim etik, që nuk është formal, por thelbësor për rindërtimin e realiteteve etike dhe sjelljeve morale të njeriut në shoqëri. Kjo do të thotë që në vend të konceptit social normativ, pak dogmatik e të sintetizuar në sintagmën “standarde morale”, duhet të konsiderojmë termin “vlera abstrakte” të sjelljes së qytetarit, duke i kuptuar dhe interpretuar ato si tipare që i duhen njeriut të kohës sonë për të qenë qenie humane që jeton në moralisht në shoqëri. Në këtë mënyrë do të kemi më shumë mundësi reale, shanse sociale, të ndikojmë në rindërtimin e bazës koherente morale të shoqërisë, stabilizimin e sjelljes adekuate etike të individit në shoqëri. Të mos harrojmë një gjë që është me rëndësi. Ka ikur koha kur etika ishte reduktuar si program që zhvillohet në rrugë formale. Sociologët duke parë këtë ndryshim që po ndodh kudo në perëndim, në tërë botën e qytetëruar janë të mendimit se në kohën e sotme për moralin nuk diskutohet as dogmatikisht as në rrugë skolastike. Kjo kohë kur etika funksiononte si “manual” i mësuar përmendësh në shkollë, nuk ka më shanse të ketë frute pozitive. Por ka rrugë të tjera të tërthorta, më utilitare e produktive. Për këtë arsye sociologët e moralit mendojnë se në epokën postmoderne më shumë edukimet etike formale e skolareske, kanë ndikim “spektaklet e drejtpërdrejta në televizion dhe ndikimet në media të cilët janë i vetmi forum ku mund dhe duhet të diskutohen çështjet morale”. Në këto rrethana që të kemi sukses në përmirësimin e situatës morale të shoqërisë, duhet të pranojmë pa kushte të vërtetën se në kohën e sotme përballja e njeriut me etikën dhe vlerat morale ka për të qenë gjithnjë e më shumë proces i individualizuar dhe mund të shfaqet në lidhjet ultrapersonale. Këtë tendencë e favorizon zgjerimi i bazamentit etik liberal të shoqërisë shqiptare, që ka marrë rrugë të pakthyeshme të individualizimit etik të sjelljes së njeriut. Kjo është arritje të madhe të qytetërimit e cila bën të mundur “gjënë madhështore”, që moralisht çdo njeri të ketë mendimin e vet. Madje edhe të ndryshëm nga të tjerët. Padyshim me pak sens mase dhe ndjenjë të përbashkët të pranimit të një sistemi vlerash morale abstrakte (në kuptimin të ngjashme e të përbashkëta) nuk ka asgjë të keqe, në se pranojmë se etikisht po ecim drejt një shoqërie në të cilën në një masë të konsiderueshme, si kurrë më parë vlerat morale po bëhen “çështje preferencash personale”. Kritiku social Os Guinness mendon se në kohën postmoderne “Nuk ka konstante morale, vlerat morale janë të vërteta vetëm relativisht ose të dobishme vetëm nga ana shoqërore, ndërsa çështja e etikës është vetëm një çështje rregullash themeltare optimale”. (John Blanchard, A beson perëndia te ateistët ?”, f 23). Nga ana tjetër filozofi liberal postmodernist amerikan Richard Rorty, duke analizuar këtë realitet të ri të etikës dhe moralit me kuraje thotë se: “Nuk ka asgjë thellë brenda nesh, përveç asaj që kemi vendosur vetë atje, nuk ka asnjë kriter që nuk e kemi krijuar vetë”.