Gerdi Hoxha: Në fokus, përmirësimi i sistemit të rekrutimit dhe karrierës së gjyqtarëve

598
Sigal

Në fjalën e tij, në Konferencën për Reformën në Drejtësi, Kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerdi Hoxha, u shpreh: “Është paksa e vështirë të flasësh si përfaqësues i gjyqtarëve, pasi ke dëgjuar një lumë kritikash për sistemin e drejtësisë në tërësi dhe punën e gjyqtarëve në veçanti. Megjithatë, më duhet të them se disa nga kritikat më të forta janë edhe fryt sa i perceptimit të gabuar aq edhe i mosnjohjes së funksionimit të një procesi gjyqësor. Konkretisht, disa nga drejtimet kryesore të reformës në drejtësi, që do të jenë në fokus të angazhimit të Unionit janë: 1. Përmirësimi i sistemit të rekrutimit dhe karrierës së gjyqtarëve të të gjitha niveleve, duke i dhënë rol parësor formimit profesional dhe integritetit moral nëpërmjet një parimi të thjeshtë natyror: zgjedhje–përzgjedhje–elite. Do të jetë një ndër sfidat kryesore të Unionit bërja e ligjit “Për statusin dhe karrierën e gjyqtarit. Ky ligj do të përcaktojë në mënyrë objektive të drejtat, detyrat, kohën dhe sasinë e punës që duhet të përballojë një gjyqtar, kushtet e punës, trajtimin financiar dhe material personal dhe familjar të gjyqtarëve, gradat sipas aftësisë dhe eksperiencës, etj.. Në këtë mënyrë, do t’i jepet fund emërimit dhe promovimit subjektivist të gjyqtarëve, lënies në mëshirë të fatit të trajtimit financiar dhe material të tyre dhe familjeve, duke u krijuar një sistem trajtimi mbi kriteret e meritokracisë, sasie dhe cilësisë së punës së gjithsecilit, pavarësisht nga shkalla e gjykatave, në të cilat bëjnë pjesë. Nëse kërkojmë standarde të dhënies së drejtësisë si në vendet e BE-së, atëherë, duhet që së paku gjyqtarët të kenë standarde të përafërta trajtimi dhe karriere me homologët e tyre në këto vende, standarde, të cilat për fat të keq sot nuk janë të barabartë as me shtete në luftë e me probleme të theksuara fisnore e fetare. 2. Rekrutimi i studentëve të Shkollës së Magjistraturës, që do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm do të duhet të bëhet mbi baza dhe kritere sa më objektive, duhet rritur me të paktën 2 vjet mosha e pranimit të kandidatëve për magjistratë. Tashmë, Shqipëria nuk është më në kushte emergjence dhe duhet të kenë të drejtën të punojnë gjyqtarë dhe prokurorë persona më të formuar jo vetëm profesionalisht, por edhe në aspektin social, duhet të ndryshojë mënyra e trajnimit të studentëve magjistratë të vitit II, duke u dhënë më shumë përgjegjësi, në përpilimin e akteve me fuqi ligjore, për t’i kthyer në ndihmës të vërtetë të gjyqtarëve dhe prokurorëve pranë të cilëve kryejnë praktikën mësimore. Së fundi, duhet rikthyer praktika e mirë e stimulimit të studentëve më të mirë të drejtësisë, e para disa viteve, sipas së cilës studentët më të mirë të kenë të drejtë të emërohen në gjykatat dhe prokuroritë më të mira të vendit (Tiranë, Durrës). Në këtë mënyrë do të rritet cilësia e aplikantëve për t’u bërë gjyqtarë dhe prokurorë, pasi e ardhmja e tyre do të jetë e garantuar. 3. Forcimi i mekanizmave të kontrollit, duke shkuar drejt rritjes së cilësisë së kontrollit nëpërmjet shkallëve të sistemit gjyqësor dhe jo nga inspektorate jashtë sistemit si dhe duke kërkuar përzgjedhjen e personave, që do të ushtrojnë kontroll mbi gjyqtarët, sipas kritereve objektive të personave sa më të formuar, me një përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor. Kjo arrihet duke stimuluar juristët (gjyqtarë dhe prokurorë) me përvojë, për të punuar si inspektorë dhe një nga stimujt është edhe promovimi i tyre në shkallët më të larta të sistemit gjyqësor. Së pari,forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi gjyqtarët është edhe eliminimi i dualizmit në kontrollin e tyre. Së dyti, duhet rregulluar sa më parë procedura e ankimimit të masave disiplinore të dhëna nga KLD ndaj gjyqtarëve. Sistemi aktual i ankimit të këtyre masave në Gjykatën e Apelit është problematik në rrafshin kushtetues pasi, emërimi dhe karriera e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit është funksion kushtetues i KLD-së. Për pasojë, nuk mund të flasim për një gjykim nga një gjykatë e paanshme dhe e pavarur. Së fundmi, një ndër aspektet kryesore është edhe inkurajimin e goditjes së rasteve në shkelje të ligjit dhe etikës nga gjyqtarët konkretë dhe eliminimi i kulturës së dënimit kolektiv. 4. Reformimi i Kodeve të procedurave të gjykimit në fushën administrative, civile dhe penale. Nëse kërkohet shpejtësi dhe cilësi në gjykime atëherë, duhet të ndryshojmë rregullat, të cilat normojnë procesin gjyqësor, për ta bërë atë më të shpejtë dhe më cilësor. Ndoshta është koha që së paku në fushën e procedurës civile të kemi një Kod të ri, i cili të përmbajë disa institute të reja (si marrëveshja paraprake mes prokurorit dhe të pandehurit) si dhe të eliminojë disa institute që kanë rezultuar tërësisht joefikase dhe shkaktar të zvarritjes së dhënies së drejtësisë në mjaft raste edhe të dështimit të dhënies së saj në kohën e duhur. 5. Duhet urgjentisht të shtohet numri i gjyqtarëve në gjykatat administrative, veçanërisht në Gjykatën Administrative të Apelit. Duke qenë se, kjo është një gjykatë e vetme për gjithë Shqipërinë, fluksi i madh i çështjeve për gjykim ka bërë që kjo gjykatë pothuajse të asfiksohet dhe të humbasë një ndër objektivat kryesore të krijimit të këtyre gjykatave. SHPEJTËSIA. Nëse një çështje apelohet sot në Gjykatën Administrative të Apelit, seanca e parë do të jetë, minimum në muajin maj apo qershor?! Nga ana tjetër, është e pamundur që t’u kërkosh 7 anëtarëve të kësaj gjykate të gjykojnë nga 20 apo më shumë çështje në ditë. Edhe zgjidhja e gjetur së fundmi nga KLD, duke komanduar gjyqtarë nga gjykatat e Apelit të rretheve nuk ka rezultuar efiçente, madje, ajo mbart në vetvete edhe probleme kushtetuese, gjykimit nga një gjykatë e krijuar me ligj. Sipas ligjit për funksionimin e Gjykatave Administrative, gjyqtarët që gjykojnë në këto gjykata, përveç eksperiencës në punë, duhet të kenë plotësuar edhe një kriter tjetër ligjor; kryerjen e konkursit dhe kapjen e një minimumi pikësh të barabartë me 90 pikë. Por, në asnjë rast, gjyqtarët e komanduar nuk e plotësojnë kriterin e dytë. Këto janë disa nga drejtimet kryesore, ku do të fokusohet vëmendja e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë”.