Gazeta Telegraf/Anastas Angjeli, deputeti më i paguar për punë si deputet dhe të tjera angazhime profesionale, për vitin 2015

475
Deputeti më i paguar për punë si deputet dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015 rezulton zoti Anastas Angjeli, i cili ka të ardhura nga Kuvendi në vlerën 2.6 milionë lekë, dhe të ardhura nga mësimdhënie në universitete jo publike rreth 2.9 milionë lekë.
Sigal

Njëqind e katër deputetë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e deputetit. Ndërsa pjesa tjetër kanë dhe të ardhura nga paga dhe shpërblime edhe në detyra të tjera si anëtarë të Këshillit të Ministrave apo pranë institucioneve të edukimit universitar.

Njëmbëdhjetë Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë se kanë përfituar bonuse në vitin 2015. Vlerën më të madhe të të ardhurave nga bonuse e ka deklaruar deputeti Alban Zeneli, i cili ka përfituar 3.2 milion lekë me Vendim të Këshillit të Ministrave si pagesë për shpenzime për mjekim.

Anastas Angjeli dhe Edlira Cekrezi janë deputetët e vetëm që deklarojnë Të ardhura si Këshilltarë apo Anëtarë Bordesh për vitin 2015.

Të ardhurat nga interesa nga depozita bankare, letra me vlerë dhe obligacione është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Janë tridhjetë e tre deputet që deklarojnë të ardhura të vitit 2015 nga ky burim. Deputeti me vlerën më të lartë të këtyre të ardhurave është deputeti Ben Blushi, i cili deklaron të ardhura nga obligacione në vlerën 2 437 986 lekë. Zonja Liljana Elmazi dhe zoti Genc Ruli pasojnë listën.

Dyzetë deputetë të Kuvendit përfitojnë të ardhura nga qiratë. Deputeti që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Astrit Veliaj me 25.7 milionë lekë. Piro Kapurani gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht 13.3 milionë lekë. Pesëmbëdhjetë deputet rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë kuvendit.

Tek kategoria të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje rezulton deputeti Tom Doshi në krye të listës me njëqind e njëmbëdhjetë milionë lekë të ardhura nga bizneset. Eduard Selami deklaron të ardhura ne vlerë 56 mijë dollarë amerikan nga një biznes në SHBA dhe Dashamir Peza deklaron të ardhura nga biznesi prej 2.4 milion lekë. Të tjerë deputet kanë të ardhura të sipërmarrjeve, bizneseve dhe ndarje e dividendëve, por ato janë të kategorizuara si të ardhura të personave të familjes.