Gati koncesioni: 4000 ha pyje do zhduken  për dru zjarri, lëndë ndërtimi dhe  mobilje

Pas bregdetit dhe maleve, shteti po përgatit një tjetër grabitje me logon PPP: 4000 hektarë pyje në 15 rrethe do t’i jepen privatit me qira për 99 vite për prerje masive, nën maskën e “ripyllëzimit”. Sharra e koncesionarit do sjellë krizë të re në furnizimin me dru zjarri për qytetarët, duke rritur çmimet. Ja qytetet që janë në vijën e kuqe.

 

Sigal

Qeveria po përgatit një tjetër grabitje me logon PPP: 4000 hektarë pyje në 15 rrethe do t’i jepen privatit me qira për 99 vite për prerje masive, nën premtimin mashtrues të “ripyllëzimit”. Bashkitë nxirren jashtë loje, monopoli hyn në lojë…

 

Qeveria po përgatit një tjetër grabitje me logon PPP: 4000 hektarë pyje në 15 rrethe do t’i jepen privatit për prerje masive, nën premtimin mashtrues të “ripyllëzimit”. Bashkitë nxirren jashtë loje, monopoli hyn në lojë. Ashtu siç ndodh në çdo konçesion të dhënë gjatë qeverisjes së Ramës, edhe këtë herë gjithçka ka nisur me “urdhër nga lart”, nga vetë Kryeministri. Ministrat vetëm formalisht firmosin dhe mbulojnë pazaret me dokumente.

Burime nga Ministria e Mjedisit kanë bërë të ditur për “Pamfleti” se është në përgatitje një tjetër aferë grabitjeje të pasurive publike: 4000 hektarë pyje të larta dhe të mesme do t’i jepen një privatit për 99 vite, në formën klasike të PPP-së, Partneritet Publik- Privat, që në Shqipëri do të thotë: “Publiku jep pasurinë, privati merr përfitimin.”

Në këtë konçesion janë të përfshirë Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovaçionit Delina Ibrahimaj dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit. Ata po bëjnë gati dokumentet për një projekt që do të paraqitet si një “kërkesë e padërguar nga privati”, por që në fakt është marrëveshje e bërë në prapaskenë me firmën dhe bekimin e kreut të qeverisë.

Projekt-kontrata është model i njohur: Privatit i jepet me qira për 99 vite territori pyjor, me justifikimin se do të investojë për mirëmbajtje, zgjerim dhe ruajtje të pyjeve. Por përvoja 30-vjeçare ka treguar se këto premtime janë mashtrime zyrtare për të legjitimuar shkatërrimin. Asnjë nga qiratë e mëparshme nuk ka sjellë ripyllëzim, vetëm prerje, zhdukje dhe shitje druri në treg.

Sipas dokumenteve, pyjet që do të preken ndodhen në 15 rrethe, ndër të çilat Tropoja, Malësia e Madhe, Kukësi, Shkodra, Dibra, Elbasani, Skrapari, Përmeti dhe Korça. Zonat janë pjesë e territoreve me status të mbrojtur, por siç dihet, “statusi” në Shqipëri nuk ndalon dot sharrën kur ka një konçesionar të afërt me qeverinë.

Ajo që është edhe më skandaloze, është fakti që bashkitë, të çilat aktualisht administrojnë pyjet dhe i japin me qira simbolike (15 lekë për m2), do të nxirren jashtë loje. E gjithë pasuria do të kalojë në dorë të një monopoli të ri, i çili do të vendosë vetë ku, si dhe sa do të pritet. Kjo do të krijojë një krizë të re në furnizimin me dru zjarri për qytetarët, duke rritur çmimet dhe varësinë nga një klient i qeverisë.

Qeveria po përpiqet ta shesë këtë projekt si “zhvillim të qëndrueshëm” të sektorit pyjor. Në realitet, ky është një plan për të shkatërruar sistematikisht pyjet e fundit të Shqipërisë, të çilat i kanë shpëtuar deri më sot vetëm sepse janë të thella dhe të vështira për t’u aksesuar. Me këtë konçesion, edhe ato do të bien.

Kjo është edhe një tjetër goditje ndaj natyrës, mjedisit dhe pasurisë kolektive të shqiptarëve, që nga viti në vit po reduktohet për t’u kthyer në para për një grusht njerëzish me lidhje të drejtpërdrejta politike.