Gati aksioni për drejtorët e zhytur në trafiqe

500
Prokuroritë në disa rrethe të vendit janë urdhëruar të nisin hetime intensive lidhur me denoncimet dhe akuzat e depozituara ndaj dhjetëra drejtuesve dhe zyrtarëve, të cilët prej kohësh janë pjesë e rrjeteve të trafikut dhe korrupsionit. Burimet të sigurta nga disa prokurori rrethesh thanë për “Telegraf” se “ka disa muaj që kanë ardhur në rrugë operative dhe rrugë profesionale, njoftime, sinjalizime, denoncime dhe akuza ndaj drejtuesve dhe zyrtarëve të nivelit të dytë, të cilët akuzohen si njerëz të lidhur me klanet e korrupsionit, trafiqeve dhe madje janë kthyer në vegla të bindura të tyre duke bashkëpunuar për të fituar miliona”. Nisur nga shumë sinjalizime dhe denoncime me bazë fakte të pakundështueshme, hetuesit e rretheve janë urdhëruar të nisin përgjimin, gjurmimin e dhjetra drejtuesve dhe zyrtarëve dhe mbledhjen e fakteve të cilat lidhen nga emërimet, punësimet, tenderat, pazaret e tjera që lidhen me detyrën, për të kopsitur dosjet penale. Në “tavën” e Prokurorive në rrethe janë zyrtarë të graduar pas 23 qershorit 2013, drejtues ndërmarrjesh dhe institucionesh, vartësit dhe miqtë e tyre, sekserët dhe lidhjet e tyre të dyshimta dhe po punohet për dokumentimin e veprimtarisë antiligjore të tyre. Ka kohë që edhe institucionet e shtetit në rrethe janë kthyer në çerdhe pazaresh të pista, janë kthyer në prona të atyre që u graduan pas 23 qershorit 2013 nga ministrat e kësaj qeverie dhe që sot po abuzojnë dhe po zhvatin paratë e taksapaguesve duke nisur nga tenderat e duke përfunduar tek pazaret e punësimeve dhe largimeve nga puna duke shkelur ligjet. Në këtë hetim bëjnë pjesë Drejtoria e Punësimit, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Arsimore dhe disa drejtori të tjera që nuk zbatojnë ligjet e shtetit dhe urdhërat e dikastereve nga të cilat varet, por vetëm ato të pasurimit të menjëhershëm. Situata në rrethe ndoshta mund të jetë më alarmante se në Tiranë, tha për “Telegraf” një burim nga grupet e hetimit. Kjo pasi sipas tij “shtrirja e tentakulave të korrupsionit ka krijuar rrjetin i cili ndoshta ka dalë përtej sferës së mbulimit dhe kontrollit edhe nga vetë ministrat e linjës, të cilët aktualisht nuk janë të zotët ti bëjnë zap dhe ti detyrojnë ata për asgjë, pasi janë përlyer”. Kjo situatë kaq e keqe e ndërlikuar dhe dramatike për administratën dhe institucionet në rrethe, ka degraduar imazhin dhe misionin e posteve nga ata që u graduan fill pas 23 qershorit 2013, nga ata që sot janë ministrat e kësaj qeverie. Shpesh drejtuesit e institucioneve në rrethe dalin jashtë kontrollit, nuk pyesin as zv/ministrat dhe as ministrat, as deputetët dhe askënd tjetër, duke nxjerrë si mburojë lidhjet e tyre edhe me njerëz të drejtësisë, apo rrjetin e sekserëve dhe korrupsionit që ka mbërthyer gjithçka. Deri tani hetimet kanë nisur për afro 47 zyrtarë dhe drejtues që rezultojnë me shkelje ligjore, abuzime dhe lidhje të fuqishme me klanet e korrupsionit, duke u bërë milionerë në vetëm pak vite. KLSH, ILDKP, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe grupet hetimore në rrethe, kanë nisur bashkëpunimin dhe dokumentimin e veprimtarisë antiligjore të pashallarëve në disa rrethe të vendit, hetimin e atyre që aktualisht nuk pyesin më as për eprorin, as për ministrin, as për ligjin, dhe shumë shpejt nuk do të pyesin as për kryeministrin e vendit. Burimet thanë se me situatën e krijuar në disa rrethe nga implikimi i këtyre zyrtarëve në shpërdorime detyre dhe shkelje të rënda ligjore (duke mos përmendur shkeljet në etikën e ushtrimit të detyrës) njoftim ka marrë edhe kryeministri Rama, i cili nuk dihet pse ka preferuar të heshtë për momentin. Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve që kryeministri vendit ka bërë dhe bën vazhdimisht në takimet me ministrat dhe vartësit e tij të rrangjeve të tjera mbi “pastrimin e Shqipërisë nga korrupsioni”, duket se situata në rrethe ka një tjetër qasje. Faktikisht dy gjëra janë të dukshme: e para, ose Rama si kryeministër nuk e njeh fare situatën, realitetin mbi të cilin po ecën kuturru shteti nga qendra në bazë nga mungesa e informacioneve dhe e dyta, ai e njeh fare mirë dhe preferon të mos godasë pasi i ruhet prishjes së shumë ekuilibreve dhe lidhjeve që do ta dëmtonin atë në zgjedhjet e ardhshme. Ajo që dihet dhe është e pamohueshme mbetet fakti se, në rrethe tashmë të graduarit e Ramës dhe ministrave të tij kanë pushtet absolut, aq sa ai do ta ketë tepër të vështirë t’i prekë ata jo deri në fund të këtij mandati qeverisës, por edhe sikur në zgjedhjet e tjera të përgjigjshme ai të fitojë sërish.

Nga Alma Jonuzi
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 10.12.2015
Sigal