Gabriel Escobar mbërrin në selinë e PD, takim me Lulzim Bashën

319
Sigal

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, ka mbërritur në selinë e PD në Tiranë, ku do të zhvillojë takimin e parë të vizitës së tij zyrtare me kreun e PD-së Lulzim Basha.

Ka qenë nënkryetarja e PD Jorida Tabaku dhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi që e kanë pritur zyrtarin e lartë amerikan në selinë e PD.

Rreth orës 14:30, do të ketë një takim me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ndërsa në orën 17:00, ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Vizita e Escobar vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha pas shpalljes non grata nga SHBA dhe pas pezullimit nga grupi parlamentar i PD nga kryedemokrati Basha që ka sjellë një krizë në PD.

Në një njoftim pak ditë më parë ambasada amerikane zbardhi detaje nga vizita e zyrtarit të lartë të SHBA në Tiranë si dhe temat kryesore që pritet të diskutohen.

Mes të tjerash, ambasada theksoi se “Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”.

“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.