Fushata mbaroi/ Mijëra gjoba dhe disa të arrestuar, Policia aksion në fundjavë

60
Sigal

Policia e Shtetit ka zbarkuar në rrugët e vendit gjatë fundjavës për të ndëshkuar shoferët të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Janë plot 2111 gjoba të vendosura gjatë fubdjavës, ndërkohë numri i shoferëve të arrestuar është 17. Një nga të arrestuarit është dhe shoferi i një autobuzi të linjës Tiranë-Tropojë, i cili u kap i dehur në timon pasi po bënte manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia sqaron se nga 17 drejtues mjetesh të arrestuar, 8 prej tyre e pësuan për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu, janë pezulluar 97 leje drejtimi, nga të cilat 76 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Kontrolle të pandërprera në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë fundjavës: 17 drejtues mjetesh të arrestuar, 97 leje drejtimi të pezulluara dhe 2111 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës, ditën e shtunë në mëngjes, ka parandaluar një ngjarje të mundshme rrugore me pasoja. Gjatë kontrolleve dhe monitorimit të qarkullimit, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë konstatuar në rrugën e Rinasit, një autobus 50 vendësh, që po kryente manovra dhe parakalime të gabuara. Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar autobusin dhe pas alkooltesit, rezultoi se drejtuesi i autobusit, shtetasi A. S., i cili po transportonte pasagjerë nga Tirana në Valbonë, drejtonte autobusin në gjendje të dehur, në masën 0.64 ml/l.  Drejtuesi i autobusit, shtetasi A. S. , 50 vjeç, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, ka intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.

Gjatë fundjavës, në të gjithë vendin janë arrestuar 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 97 leje drejtimi, nga të cilat 76 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu janë vendosur 2111 masa administrative për shkelje që janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore, si parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, shkelje semafori, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.