Forcat “Shqiponjat” nën hetim / Verifikohet transferimi i policit që vrau Klodianin dhe denoncimet e publikut

341
Sigal

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur hetimet ndaj repartit “Shqiponja” ku bënte pjesë edhe efektivi, Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau me dashje 25-vjeçarin Klodian Rasha. Objekt i hetimit mësohet se do të jetë transferimi i policit të arrestuar nga komisariati i Kamzës, por edhe procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të efektivëve në repart si dhe denoncimet për sjelljen e kësaj strukture ndaj qytetarëve.

Reparti i posaçëm i policisë “Shqiponja”, ku bënte pjesë edhe efektivi Nevaldo Hadëraj, është vënë nën hetim nga SHÇBA pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. Njëkohësisht me prokurorinë e Tiranës, SHÇBA ka nisur verifikimet për repartin “Shqiponja”, lidhur me procedurat e pranimit të efektivëve në këtë strukturë.

Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se pas ngjarjes hetimi administrativ është fokusuar tek zbatimi i procedurave nga ana e drejtorisë së Policisë së Tiranës për përzgjedhjen e efektivëve që emërohen në këtë repart.

Ndonëse objekt i punës së SHÇBA-së është hetimi i policisë,verifikimet janë fokusuar tek transferimi i efektivit të policisë Nevaldo Hadëraj tek njësia “Shqiponja”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka dyshime se mund të ketë pasur anashkalim të procedurave të kontrollit me transferimin e 31-vjeçarit Hajdari pranë njësisë “Shqiponja”, pasi ai më herët shërbente tek komisariati nr.5 në Kamëz.

Transferimi i efektivit u krye vetëm 3 javë para se ti merrte jetën me armën e shërbimit, të riut Klodian Rasha. Nisur nga vrasja e 8 dhjetorit, SHÇBA do të marrë shqyrtim dhe denoncimet e publikut lidhur me repartin special “Shqiponja”.

Deri në këtë fazë të hetimeve prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshime se vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, është kryer me dashje edhe pse SHÇBA e referoi çështjen fillimisht për veprën penale të kryer në tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes për oficerin Nevaldo Hadëraj, ndërsa gjykata ka caktuar “arrest me burg” ndaj tij deri në fund të hetimeve.