Sondazhi mbi mësimin në distancë / “70% mësojnë nga telefoni. Pjesmarrje e ulët në leksione”

324
Sigal

Një sondazh i organizuar nga Qëndresa Qytetare mbi mësimin online në 9 universitet publike dhe impaktin që ka kjo lloj mësimdhënie te studentët ka nxjerrë disa përfundime që japin një panoramë më të qartë mbi këtë metodologji të re.

Sipas organizatës “77.5% e studentëve e ndjekin mësimin online nëpërmjet telefonit, 20.5% nëpërmjet laptopit ose kompjuterit dhe vetëm 2% e aksesojnë mësimin nga tabletat e tyre. Kjo sipas tyre tregon një cilësi të dobët të të nxënit, pasi telefoni nuk të jep mundësinë për të bashkëvepruar mirë me materialet mësimore.”

Sondazhi ka marrë parasysh edhe koston që studentët paguajnë për të pasur akses në internet dhe rrjedhimisht në mësimin online.

“Bazuar në të dhënat e sondazhit 50.6% e studentëve shpenzojnë 20 euro në muaj për internet, 30.5% e tyre shpenzojnë 10 euro ndërsa 18.9% e studentëve shpenzojnë 30 euro e lart” 

Ndërkohë një tjetër përfundim i sondazhit ka qenë dhe pjesëmarrja e studentëve në mësim:

“Pjesëmarrja mesatare e studentëve në seminare dhe leksioneve në 9 universitete publike është në masën 60%. Ndërkohë që 38.5% e studentëve janë shprehur se nuk janë respektuar oraret gjatë mësimit online.”

Më tej studentët e 9 universiteteve publike e kanë vlerësuar me notën 6 efektivitetin e mësimit online, me notën 7 – 8 gadishmërinë e pedagogëve dhe me notën 5 – 6 shërbimin e ofruar nga sekretaritë e fakulteteve.

Në fund Organizata Qytetare ka bërë edhe disa rekomandime që sipas tyre në përputhje me rezultatet e sondazhit mund të përmirësojnë strukturën mësimore për Arsimin e Lartë.

–          Një fond specifik në buxhetin e vitit 2021 për sigurimin e qasjes në internet dhe mjete digjitale për të gjithë studentët.

–          Zhvillimin e mësimit të alternuar, leksionet online dhe seminaret në auditore për të minimizuar efektet negative të degëve me praktikë të integruar.

–          Ndryshimin e ligjit 80/2015 duke parashikuar “distance learning” si një nga format e mësimdhënies në arsimin e lartë.

–          Rivlerësim të tarifës së studimit duke marrë parasysh reduktimin e kostove administrative për shkak të mos përdorimit të ambienteve universitare.