“Foltorja” e radhës, Berisha fton demokratët: Nesër do të takohemi në Gjirokastër

201
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se “Foltoren” e radhës do e mbajë në Gjirokastër.

Takimi i tij me demokratët e Gjirokastrës do të zhvillohet nesër në orën 18:00 në sallën e Hotel Olimpik. Duke ftuar demokratët të marrin pjesë, ai thekson qëllimin e aksionit të tij politik.

“Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Më herët, ai është takuar me demokratët e Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës dhe Shkodrës. Ky tur i Berishës nisi pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD.

Duke e cilësuar vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha nul dhe duke hedhur akuza për pazare politike mes këtij të fundit dhe kryeministrit Edi Rama, Berisha vendosi të nisë aksionin politik.

Sipas tij, kjo lëvizje synon të rikthejë PD në “shina” dhe te vlerat e krijimit të saj. Në krah të Berishës, kanë dalë shumë demokratë.