Flet Zv. Rektore e UMSH, Phd.Nevila Rama &Dr. Gent Stroni: Ja marrëveshjet që punësojnë studentët e mjekësisë në UMSH në Gjermani dhe vendet e BE, nga praktikat e paguara te kurset e gjuhës falas

Ja si integrohen në tregun e punës studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UMSH, nga praktikat profesionale të paguara në vendet e BE tek kurset e gjuhës falas

-Studentët e UMSH-së realizojnë praktikën profesionale që përbën 40-50% të programit, në çdo vend të BE-së. Ne kemi mundësuar që gjatë kësaj periudhe që ata do të kalojnë atje, për realizimin e praktikës, ata të paguhen në të njëjtin nivel si kolegët e tyre qytetarë e rezidentë të vendeve të BE.

-Ne u ofrojmë studentëve tanë kurse të gjuhëve të njohura në BE, pa pagesë dhe me intensitet e nivele të ndryshme

NOA

– Në lidhje me strategjinë e ndërkombëtarizimit të UMSH kemi lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi me disa institucione të edukimit në Gjermani në fushën e shëndetësisë, që u mundësojnë studentëve praktikën profesionale ta realizojnë në Gjermani, pa patur nevojë që të ndjekin kurse plotësuese.

INFO

Fakulteti i Shkencave Mjekësore

Infermieri e Përgjithshme

Fizioterapi

Teknik Laboratori

Intervistoi: Biora Vojka

Pas diplomimit të brezit të 13-të të studentëve, Universiteti Mesdhetar duket të jetë sërish zgjedhje e parë për maturantët. Deri më 13 shtator në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë janë të hapura regjistrimet pranë sekretarisë mësimore në 4 fakultete me 50 programe studimi të akredituara. Me ID,  diplomë gjimnazi, listë notash e 2 fotografi me vete maturantët mund të regjistrohen, e më tej të monitorojnë në kohë reale tek U-Albania nëse mbeten vende bosh në degën e tyre të preferuar. Në një intervistë për “Telegraf” Phd.Nevila Rama Zv. Rektor e UMSH dhe Koordinatori i Përgjithshëm i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Gent Stroni zbuloi se një ndër ristë që Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është fakti se studentët kanë mundësinë që të realizojnë në vendet e BE praktikat profesionale, të cilat janë të paguara dhe asistim me kursin e gjuhës falas, falë  strategjisë së ndërkombëtarizimit të UMSH.

 

Fakulteti i Shkencave Mjekësore po përgatit profesionistë të formuar të së ardhmes në shëndetësi

Phd.Nevila Rama

Zv. Rektor e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

 

-Ju keni marrëveshje binjakëzimi me Gjermaninë dhe spitalet gjermane, a është kjo arsyeja që, kërkesat e studentëve drejtohen drejt UMSH ?

 

Përgjatë dekadave të fundit, globalizimi dhe ndërkombëtarizimi kanë pasur një ndikim të madh në sistemin e arsimit të lartë në mbarë botën. Rritja e konkurrencës ndëruniversitare, rankimi i universiteteve në shkallë globale, ndryshimi i kërkesës dhe ofertës për dhe në arsimin e lartë, i ndikuar nga fenomene të cilat janë shfaqur vrullshëm dhe që ndikohet nga zhvillimet teknologjike, kanë përforcuar tendencat që synojnë një transformim të përshpejtuar të universiteteve në mbarë botën. Në këtë sfond, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është i pregaditur t’i përgjigjet këtyre dinamikave sfiduese, duke “përqafuar” kërkesat e reja për universitetin e shekullit të 21 dhe në mënyrë të veçantë për të akomoduar pritshmëritë, nevojat e kualifikimit, ofrimin e mundësive për brezat e rinj dhe rolin e Universitetit në realizimin e tyre të ardhshëm jetësor. Kjo qasje e UMSH-së është një nga faktorët të cilët bëjnë që kandidat studentët me lehtësi të përzgjedhin programet të cilat organizohen në UMSH.

Në lidhje me këtë dhe në vijim të realizimit të strategjisë së ndërkombëtarizimit të UMSH në plan të gjerë dhe në veçanti me fokus në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, ne kemi lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi dhe kemi nënshkruar protokolle specifike me disa institucione të edukimit në Gjermani të cilat operojnë në fushën e shëndetësisë. Duhet të theksoj që curricula e programeve që ofrohen në FSHM është ndërtuar në përqasje me standardet, kompetencat dhe aftësitë profesionale të shpallura dhe të pranuara tashmë nga vendet anëtare të procesit të Bolonjës, si dhe me Udhëzuesin e EFN (Federata Evropiane e Infermierëve) dhe e krahasueshme dhe e përqasur me sistemet e tjera evropiane të arsimit të lartë, gjë e cila u konfirmua edhe nga partnerët tanë në Gjermani duke lehtësuar përgatitjen paraprake për hartimin dhe realizimin e këtyre marrëveshjeve. Këto protokolle, u mundësojnë studentëve të cilët regjistrohen në programet e studimit që organizohen në FSHM të Universitetit tonë, që praktikën profesionale ta realizojnë në Gjermani në kushte të barabarta me studentët të cilët vijnë nga institucione të cilat operojnë në vendet e BE-së, pa patur nevojë që të ndjekin kurse plotësuese.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik. Prof. Dr Anastas Angjeli dhe Friedrich Heimerer, menaxher i programit internacional të karrierës duke nënshkruar marrëveshjen me Kolegjin Heimerer për praktikat profesionale në Gjermani.

-Profesoreshë, përsa i përket tregut të punës, pasi e dimë që me rëndësi pas studimeve është vendi i punës, çfarë mund të më thoni në mënyrë më të detajuar lidhur me praktikat e paguara  të degëve të mjekësisë, ku asistoni studentët?

Në ditët e sotme, shihet një ndryshim i shpejtë dhe evoluim i kërkesave të tregut të punës të cilat po ndryshojnë si pasojë edhe e zhvillimeve teknologjike. Përballë kësaj tendence, universitetet po ballafaqohen me misionin e tyre për të organizuar, përditësuar curriculat e tyre, për t’iu përshtatur kërkesave të reja të tregut të punës të cilat po ndryshojnë qasje edhe ndaj menaxhimit të kapitalit human. Agresiviteti dhe etja për profesionistë janë dukuri të qarta në ndryshimet e tregut të punës në vendin tonë, rajon e më gjerë. për fuqi punëtore shumë të kualifikuar si pasojë e një sërë faktorësh duke filluar nga migracioni e deri te plakja e popullsisë, kanë sjellë në plan të parë nevojën që zhvillimi i praktikave profesionale të studentëve, të jetë sa më efektive në aspektin e kompetencave dhe aftësive profesionale që akumulon studenti gjatë realizimit të tyre, nën kujdesin e tutoratit të përzgjedhur nga institucionet ku ato realizohen. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka hyrë në një dinamikë të re, duke synuar realizimin e praktikës profesionale në përshtatje me zhvillimet që po pëson tregu dhe vetë shoqëria. Sa i përket programeve të cilat organizohen në FSHM, si e theksova edhe më lartë, standartizimi i curriculave me ato të universiteteve të vendeve të BE-së, u lehtëson studentëve të UMSH-së të realizojnë praktikën profesionale që përbën 40-50% të programit, në cdo vend të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, njohurive dhe kompetencave. Për më tepër, në sajë të protokolleve të bashkëpunimit me partnerët tanë në Gjermani, ne u mundësojmë studentëve që praktikën profesionale ta realizojnë në institucione të shëndetit në këtë vend. Për një tranzicion më të lehtë të kohës së tyre atje, duke patur parasysh që ata janë studentë dhe ende nuk kanë krijuar të ardhura personale, ne kemi mundësuar që gjatë kësaj periudhe që ata do të kalojnë atje, për realizimin e praktikës, ata të paguhen në të njëjtin nivel si kolegët e tyre qytetarë e rezidentë të vendeve të BE. Në të njëjtën kohë, për realizimin me sukses dhe pa vështirësi të praktikës, ne u ofrojmë studentëve tanë kurse të gjuhëve të njohura në BE, pa pagesë dhe me intensitet e nivele të ndryshme, që i mundëson gjithsecilit avancimin individual në përputhje me prirjet, preferencat dhe projektimit te së ardhmes së tyre.

Gjithashtu në kuadër të rrjetit ALUMNI, edhe për studentët e FSHM, Universiteti Mesdhetar, përgjatë gjithë karrierës së tyre mbetet një pikë referimi e rëndësishme, ku ata do të gjejnë asistencën, këshillimin dhe ekspertizën e duhur për problematikat dhe sfidat me të cilat përballen në ushtrimin e profesionit në dhënien e kujdesit shëndetësor me kompetencë profesionale, në zgjidhjen e problemeve shëndetësore në shërbim të individit dhe komunitetit.

Sistemi shëndetësor shqiptar është duke u përballur me sfida të ndryshme, që lidhen me cilësinë e kujdesit shëndetësor. Një  ndër faktorët e shumtë, që  kontribuojnë  në  cilësinë  e produktit “Shëndet” dhe të  shërbimeve shëndetësore, ka të  bëjë  me kompetencat dhe nivelin e aftësive profesionale të  profesionistëve të  shkencave mjekësore të  Shëndetit (infermier, mami, laborantë,, imazheristë, teknicienë të lidhur me fushat e shëndetit, fizioterapeftë  etj), të  cilët përbëjnë  numrin e konsiderueshëm në sistemin tonë  shëndetësor dhe, që  mbulojnë  punën më  voluminoze në  dhënien e kujdesit shëndetësor gjatë  24 orëshit në  marrëdhënie me pacientin.  Fakulteti i Shkencave Mjekësore po përgatit profesionistë të formuar në degë të ndryshme, duke siguruar mësimdhënie dhe kërkim, për të adresuar sfidat që hasen sot në sistemin shëndetësor dhe në praktikën mjekësore, në dhënien e kujdesit shëndetësor sa me cilësor dhe me kosto/efikacitet. Pikërisht, për këtë arsye, duke u azhornuar me problematikat, që hasen në sistemin tonë shëndetësor dhe në institucionet shëndetësore në vend dhe në Europë, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është angazhuar maksimalisht për të dhënë kontributin e tij në përgatitjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe ne mirëpresim e sigurojmë të gjithë studentët që të jenë pjesë e këtij kontributi madhor në funksion të njeriut.

Viti i ri akademik afron studentët me lëndët profesionale pranë pacientit falë investimeve në FSHM

Dr. Gent Stroni

Koordinator i Përgjithshëm i Fakultetit të Shkencave Mjekësore

Cilat do jenë risitë e këtij viti në Fakultetin e Shkencave Mjekësore?

Ky është viti i dytë ku programet në këtë fakultet do kalojnë në lëndët profesionale dhe veçanërisht në praktikat e këtyre lëndëve, që do të thotë shumë më pranë pacientit, mostrave biologjike të marra prej tyre, dhe kujdesit për këta pacientë.

Si e shihni nisjen e këtij viti të ri akademik?

Si çdo vit i ri akademik kërkon motivim për të bërë programimin në detaje të mbarëvajtjes për gjatë gjithë 2024-2025. Kërkohet përgjegjësi që studentet përveç marrjes së dijeve, të ndihen mirë në auditore, në kampusin universitar, të krijojne lidhje shoqërore, por pa u ndarë nga dëshira për njohurite e reja shkencore..

Pse studentët zgjedhin Mesdhetarin, cilat janë avantazhet e Universitetit që ka fituar këtë sharm në perceptimint e rinjve që duan të studiojnë në UMSH?

Filluar nga vendndodhja. Vendosja e këtij Universiteti në një zonë jo larg zonës rinore si Blloku apo dhe Komuna e Parisit, dhe gjithë pjesës perendimore dhe jug-perëndimore të Tiranës e bën shumë të aksesushëm, por edhe atraktiv këtë Universitet.

Studentet kanë gjetur në këtë vend një klimë që u përshtatet plotësisht. Ku pedagogët janë jo vetëm dijedhënesit e tyre, por edhe kolegë. Së bashku ata përpiqen për të realizuar, jo vetëm projekte mësimore shkollore, por edhe përgjegjësi qytetare, të cilat i bëjnë të shkrihen me njeri -tjetrin si në rastin e ditës botërore të Diabetit apo Hipertensionit, ku studentë dhe pedagogë gjenden në mjedise të hapura në ndihmë të komunitetit dhe të njerëzve me këto patollogji.

Cilat janë specialitetet që ka më shumë nevojë sistemi shendetësor?

Në situatën e një tranzicioni, vihet re qartësisht që nevojat në sistemin shendetësor janë të mëdha në të gjithë drejtimet. Shtohen këto kur mendohet që një pjesë e mirë e atyre që dalin në larminë e shëndetësisë largohen për në vendet perëndimore, që po ashtu kanë nevojë për kuadrot mjekësore të të gjitha niveleve dhe profesioneve.