Flet Dr. Enriko Ceko: Shqipëria ndër të pakëtat vende që nuk ka përparuar ekonomikisht në 30 vite. Populli në skamje, pasuria në dorë të oligarkëve

63
Sigal

Flet Dr. Enriko Ceko: Shqipëria teorikisht tashmë duhet të ishte vend i zhvilluar, meqë më parë në klasifikim bënte pjesë në vendet në zhvillim

Shqipëria është ndër të paktat vende në botë, që nuk ka bërë asnjë përparim në këto 30 vite në lidhje me të ardhurat

Jemi vendi me të ardhurat më të ulta në Europë, ku shumë produkte i blejmë më shtrenjtë se në vendet me të ardhura të larta.

– Tek ne disa persona dhe familje zotërojnë pjesën më të madhe të pasurisë së krijuar këto 30 vite, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri është e varfër.

Në Shqipëri deklarohet vetëm rritja ekonomike dhe kjo shitet si sukses i jashtzakonshëm, në një kohë që askush nuk e di se si llogaritet rritja ekonomike.

– Popullsia e një vendi përjeton nivele të larta të kënaqësisë së përgjithshme nëse njerëzit në këtë shoqëri janë pro-sociale, të shëndetshme dhe të begatë

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Edhe këtë vit Shqipëria është vendi me të ardhurat më të ulta në Europë, por që shumë produkte i blejnë më shtrenjtë se në vendet me të ardhura të larta. Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat mbi indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor kanë nxjerrë në pah disa nga produktet që shqiptarët i blejnë më shtrenjtë. Pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë 25% më shumë se mesatarja europiane. Alkooli më i shtrenjtë në Europë është në Irlandë, me 60% më shumë se mesatarja Europiane dhe më i liri në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, përkatësisht 33.7% dhe 26.4% e mesatares europiane. Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane. Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni dhe më të shtrenjtat në Islandë. Edhe një vend bujqësor, Shqipëria, qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane. Krahas qumështit dhe vajrat e yndyrat janë më të shtrenjta se mesatarja europiane Për të blerë një palë këpucë, që në Europë kushtojnë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri duhen 105.5 euro. Këpucët më të shtrenjta janë në Zvicër dhe më të lirat në Turqi. Kjo panoramë tregon se çmimet në Shqipëri janë të shtrenjta, por të ardhurat mbeten të ulëta. Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat tregojnë se të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri janë sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit. Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën, me 41% të mesatares europiane.

 

Edhe këtë vit, Shqipëria është vendi me të ardhurat më të uëlta në Europë, por që shumë produkte i blejnë më shtrenjtë se në vendet me të ardhura të larta. Kjo do të thotë se Indeksi i Lumturisë është sërish në nivelin e vitit të kaluar?

Në lidhje me indeksin e lumturisë kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga botimi i raportit të parë të lumturisë, që përkon me dhjetëvjetorin e përcaktimit të Ditës së Lumturisë, nga ana e Kombeve të Bashkuara, me anë të Rezolutës 66/281, që është data 20 Mars e çdo viti. Që nga ajo kohë e në vazhdim, qytetarët në mbarë botën kanë arritur të besojnë se sukseset e çdo vendi duhet që të gjykohen nga lumturia e popullit dhe nga ana tjetër tashmë ka një mënyrë për të matur lumturinë. Ajo që ndodh zakonisht në vende autokratike ku qeveria nuk pranon problematikën dhe difektet e qeverisjes, deklarohet vetëm rritja ekonomike dhe kjo shitet si sukses i jashtëzakonshëm, në një kohë që askush nuk e di se si llogaritet rritja ekonomike në këto vende dhe askush nuk bën oponencë pasi nuk ka institucione të pavarura për këtë. Kjo ndodh edhe me Shqipërinë. Është e vërtetë se ka zhvillim, por ky zhvillim nuk është i përhapur në mënyrë të drejtë në tërë popullsinë e Shqipërisë. Ka disa persona dhe familje që zotërojnë pjesën më të madhe të pasurisë së krijuar këto 30 vite, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri është e varfër. Vendet apo shtetet në botë përpara pandemisë ishin të ndarë në tre grupe, vende të varfra, vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara. Tashmë, kemi vende në zhvillim, vende të zhvilluara dhe vende shumë të zhvilluara. Pra, termi vende të varfra nuk ekziston dhe në fund janë vendet në zhvillim. Një pjesë e mirë e vendeve afrikane kanë pësuar një transformim rrënjësor, duke luftuar varfërinë dhe duke synuar zhvillimin e qendrueshëm duke patur për bazë gjithpërfshirjen dhe krijimin, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e mirëqenies (pasurisë) në mënyrë të drejtë midis qytetarëve në këto vende.

Në aspektin ekonmik çfarë mund të thuhet për Shqipërinë e këtyre 30 viteve?

Lexoni Eurostat dhe jepni vetë përgjigjen. Shqipëria është ndër të paktat vende në botë, që nuk ka bërë asnjë përparim në këto 30 vite në lidhje me fitimin e pikëve në renditjen ndërkombëtare për shumë indekse dhe në mjaft raste ka humbur edhe vendet që kishte duke u renditur më pas. Për shembull, ajo renditet në vendet 60 – 90 për inovacionin, krijueshmërinë, sofistikimin e tregut, sofistikimin e biznesit, indeksin e manaxhimit të cilësisë (standarded ISO), indeksin e pronësisë intelektuale, bërjen e biznesit, etj si këto, kur pjesa më e madhe e vendeve të Evropës Perëndimore renditen në vendet 1 – 40, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit midis vendeve 40 – 60. Edhe për indeksin e lumturisë, e njëjta gjë. Shqipëria teorikisht tashmë duhet të ishte vend i zhvilluar, meqë më parë në klasifikim bënte pjesë në vendet në zhvillim, që ishin midis vendeve të varfra dhe atyre të zhvilluara, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të përkeqësimit të gjendjes në tërësi dhe të mirëqenis së qytetarëve në veçanti. Pra, edhe pse Shqipëria renditet në vendet në zhvillim, tashmë është në fund të klasifikimit, pasi ky grup vendesh tashmë i përket vendeve, që më parë ishin të varfra. Popullsia e një vendi përjeton nivele të larta të kënaqësisë së përgjithëshme nëse njerëzit në këtë shoqëri janë pro-sociale, të shëndetshme dhe të begatë. Ajo që prej shekujsh Aristoteli e quajti “eudaimonia” dhe siç e spjegova edhe më lart, kur vlerësojmë një shoqëri, një situatë ose një politikë, nuk duhet të shikojmë vetëm mesataren e një shifre, siç është rritja ekonomike dhe të ardhurat për frymë. Ne duhet të shikojmë veçanërisht nivelin e varfërisë, mjerimit. Fakti se në Shqipëri ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me më pak se 100 lekë/ditë, ka një shumicë qytetarësh që jetojnë me 300 – 500 lekë në ditë dhe një shumicë qytetarësh, që jetojnë me rreth 700 lekë në ditë dhe pjesa tjetër, rreth 2-3% janë ata që me shpoti u themi “oligarkë” (sipas organizmave financiare ndërkombëtare). Është dëshpërues, dhe bëhet edhe më shumë dëshpërues kur vendet afrikane e kanë kaluar prej vitesh këtë gjendje dhe synojnë që në vitin 2030 në Afrikë të mos ketë më asnjë qytetar që të jetojë me më pak se 10 dollarë në ditë.

Kina, me më shumë se 1.4 miliardë banorë ka deklaruar se ka shpartalluar varfërinë dhe në vend nuk ka asnjë qytetar që jeton në varfëri. Në këtë vend, të ardhurat janë rritur dhe pritet që shpejt Kina të renditet në vendet e zhvilluara, duke forcuar ekonominë dhe hapur tregjet. Në Kongresin e fundit të Partisë Komuniste Kineze, Presidenti Xi Jinping deklaroi se vendi do drejtohet nga parimet e manaxhimit shkencor, një ndryshim rrënjësor nga Mao Ce Dun, që deklaronte se vendi do udhëhiqej nga parimet e Marksit dhe Leninit. Po kështu edhe India, Brazili, Vendet Arabe, etj. Pra, duhet që lumturia e qytetarëve të pranohet si synim madhor nga ana e qeverisë, në mënyrë që praktikat institucionale të ndryshojnë dhe orientimi i buxhetit të shtetit të jetë drejt mirëqenies kolektive dhe jo drejt mirëqenies së atyre që përfitojnë nga tenderat, koncesionet, partneritetet publike private, dhe nga korrupsioni në administratën publike. Në ato vende ku lumturia është synimi madhor i qeverisë, prioritet merr shëndeti, dhe veçanërisht shëndeti mendor, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me cilësinë e punës, jetës individuale dhe familjare dhe me mirëqenien e komunitetit.