Flasin profesorët Nezha dhe Susaj: Universiteti që ka nxjerrë mijëra agronomë, veterinerë, inxhinierë pyjor, ekonomistë agrarë

Në 71 vjetorin e Universitetit Bujqësor  të Kamzës, Tiranë

 

-Flasin Prof. Dr. Ago Nezha dhe Prof. Dr. Lush Susaj

Sigal

  71 VJET  HISTORI  ( 1 9 5 1  –  2 0 2 1)

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) është institucion i arsimit të lartë në Shqipëri, që ofron studime mbi agronominë, veterinarinë, ekonominë agrare, inxhinierinë pyjore, mjedisin rural, dhe degë të ngjashme. UBT është qendra më e madhe e edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri. Kampusi i UBT-së është i vendosur në një kodrinë të pyllëzuar në periferinë veri-perëndimore të Tiranës, rreth 7 km nga qendra e qytetit.

Historiku

UBT u krijua më 1 nëntor 1951 si Institut i Lartë Bujqësor (ILB). Më 1991 u emërtua Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT). Deri në vitin 1990 universiteti ishte i organizuar në katër fakultete (Agronomi, Ekonomi Agrare, Inxhinieri Pyjore dhe Veterinari) me rreth 6000 studentë e 480 pedagogë. Në vitin 1992-1994, përmes asistencës së dy projekteve SARA, të financuar nga qeveria e SHBA-së (USAID) dhe atij GTZ të financuar nga qeveria Gjermane, u krye ristrukturimi akademik i universitetit. Nga viti 2001-2002 UBT është në një proces të ri të ristrukturimit në përputhje me “deklaratën e Bolonjës“, UBT, në vitin akademik 2005-2006, pritet të organizojë studimet sipas skemës së re 3+2+3 (Bachelor, Master dhe Doktoraturë). Në UBT kërkimi shkencor konsiderohet si një komponent esencial i jetës akademike. Kërkimi është realizuar në sajë të projekteve nacionale me pjesëmarrjen në programet “Bujqësia dhe Ushqimi, Bioteknonologjia dhe Diversiteti Biologjik”, në projektet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në projektet bilaterale me qeverinë greke dhe italiane, në projektet DAD, në projektet e NATOS, në projektet IMG Tempus, në projektet e Bankës Botërore, në projektet për kërkim dhe zhvillim të akorduara nga qeveria shqiptare me një buxhet special në vitin 2004. UBT është iniciator i lidhjeve të shkencës me prodhimin. Këto lidhje janë konkretizuar përmes marrëveshjeve të lidhura me biznesin shqiptar. UBT ka marrëdhënie bashkëpunimi me shume universitete në Evropë dhe SHBA, si me Universitetin e Hohenheimit-Stuttgart, Universitetin Humboltd-Berlin, Universitetin e Bonit, Universitetin e Gotingenit në Gjermani; Universitetin e Viterbos, Universitetin e Potencës, Universitetin e Udines, IAM-Valenzano, Universitetin e Barit, në Itali; Institutin Politeknik dhe Universitetin Shtetëror të Virxhinias, Universitetin e Atlantës, Universitetin e Kolorados, Universitetin Georgia, Universitetin e Oklaomës, në SHBA; Institutin Nacional Politeknik të Nansisë dhe Qendrën Ndërkombëtare Mesdhetare të Studimeve Agronomike (CHIEHAM), në Montepelie, Francë; Universitetin Aristoteli të Selanikut, Universitetin e Patras, në Greqi; me Universitetin ST. Kliment Ohridski-Bitola, Maqedoni dhe Universitetin e Shkencave Agronomike dhe Mjekësisë Veterinare në Bukuresht, Rumani.

Fakultetet

  • Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit/ Fakulteti i Mjekësisë Veterinere/ Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit/ Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit/ Fakulteti i Shkencave Pyjore/ Fakulteti i Ekonomisë & Agrobiznesit (FEA)

Fakulteti i Ekonomisë & Agrobiznesit (FEA) ka një jetë relativisht te re. Ai zë fill që nga viti 1971 (në atë periudhë emërtohej-Fakulteti i Ekonomisë Agrare). Ish Fakulteti i Ekonomisë Agrare, funksionoi si i tillë deri në vitin 1994, periudhë e cila përkon me ristrukturimin tërësor të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky ristrukturim çoi në fuzionimin e këtij Fakulteti në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë, me dy departamentet përkatëse, Departamenti i “Drejtimit te Fermave dhe Agrobiznesit” dhe Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave Agrare. Ky ristrukturim, i cili filloi në vitin 1994 dhe përfundoi në vitin 1998, u realizua me konsulencën e projektit SARA (American Support for Agricultural Restructuring in Albania) dhe kishte si objektiv themelor përgjigjen ndaj kërkesave të reja që do të ofronte zhvillimi i bujqësisë dhe i sistemit të agrobiznesit në tërësi. Në vitin 2007, si pasojë e ristrukturimit të ish-Fakultetit të Bujqësisë, u krijua Fakultet i Ekonomisë & Agrobiznesit, i cili ka aktualisht tre departamente, Dep. i “Drejtimit të Agrobiznesit” dhe Dep. i Ekonomisë dhe Politikave Agrare dhe Dep. i Financë Kontabilitetit.

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare (FMV)

Fakulteti Mjekësisë Veterinare ofron programe studimi në tre drejtime kryesore aftësimi: Shëndetin e kafshëve të prodhimit, Shëndetin e kafshëve të shoqërimit, Shëndetin publik. Ky fakultet udhëhiqet nga koncepti bashkëkohor i profesionit të veterinerit: “të parandalojë dhe luftojë sëmundjet e kafshëve; të kontribuojë në mbarështimin sa më të mirë dhe rritjen e prodhimit të kafshëve; të mbrojë njerëzit nga infeksionet që vijnë nga kafshët dhe nga ushqimet me origjinë shtazore”. Fakulteti ofron njohuri në fusha si: kontrolli i produkteve me origjinë shtazore, sëmundjet e specieve, riprodhimi dhe patologjitë e tij, sëmundjet e derrave dhe shpendëve.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM)

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit ofron lëndë dhe njohuri si: parashikimi i burimeve ushqimore, zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, mbrojtja dhe rigjenerimi i burimeve, përdorimi racional i burimeve prodhuese, sigurimi i produkteve ekologjikisht të pastra, dhe siguria ushqimore

Prof. dr. Ago Nezha

UBT një tempull në zhvillim i dijes profesionale

Në atë kënd të gjelbëruar të Kodër-Kamzës ku UNIVERSITETI  BUJQËSOR mbetet një tempull në zhvillim i dijes profesionale e shkencore, koha e “gjurmëve të mbetura” nga brezat është si një univers, që sjell mbi supe vite që shkuan, dashurinë e takimeve të paharruara, udhëza drite që sollën ndryshime epokale në jetën universitare dhe i dhanë dritë gjithë Shqipërisë !. Mblidhemi si dikur, agronomë, ekonomistë, veterinerë, inxhinjerë pyjesh e zooteknikë, të gjithë mbuluar me thinjat e bukura të moshës, që i bëjnë hije me atë “nurin” e hijshëm të humorit, mbjellë si grurë në fytyrat buzëgaz… Çdo përvjetor ngjall emocione të veçanta dhe të paharrueshme. Në këto udhë jubilare Universiteti ynë duket si një “ monument drite” në Tempullin e Dijes, një trashëgimi e pasur e mësimdhënies në auditore dhe profesionit shkencor në parcelat eksperimentale. Kremtimi dhe kujtimi me madhështi i 70-vjetorit me histori e thesare të shenjta të diturisë kombëtare, është tashmë një traditë e bukur dhe emrat e pedagogëve të shquar, që nuk rrojnë më, janë gdhendur  me shkronja të arta si kujtim i përjetshëm i brezave studentorë…

 

Prof. dr. Lush Susaj

Universiteti Bujqësor mbetet unik

Universiteti Bujqësor i Tiranës i krijuar që në vitin 1951, mbart kontribute, kujtime dhe vlera të jashtëzakonshme për historinë e zhvillimit arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë. Deri në vitin 1990 dhe më pas, të gjitha zhvillimet pozitive në fushën e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, ushqimit, agropërpunimit, agroeksportit dhe turizmit, e kanë zanafillën tek platformat, programet dhe projektet e hartuara e të zbatuara nga dora dhe mendjet e ndritura të profesorëve dhe studentëve të dalë nga katedrat dhe auditorët e universitetit bujqësor. Universiteti Bujqësor i Tiranës, për nga specifikat e kurikulave dhe programeve mësimore që zhvillohen, për nga specifikat e praktikave mësimore e profesionale që duhet të kryhen mbi bimët dhe kafshët që rritën në ambiente të hapura, për nga specifikat e hapësirave të gjera që duhen për bazën e mekanikës bujqësore e blegtorale, për nga specifikat e hapësirave të tjera që duhen për stallat dhe klinikën veterinare, për vreshtin dhe pemëtoret didaktike, për koleksionet dhe kopshtin botanik, për serat e kultivimit të luleve dhe perimeve, për kantinat e pijeve alkoolike, etj, njëlloj si në të gjitha vendet e tjera të botës, është unik, është shumë kompleks dhe i pakrahasueshëm me asnjë nga universitetet e tjera të vendit.