Flakë nga salla e pajisjeve? Reagon spitali i Sarandës: Nuk kishte zjarr, u izolua defekti

125
Sigal

Policia dhe Spitali i Sarandës japin versione të ndryshme mbi atë që ndodhi në sallën e pajisjeve të Radiologjisë mëngjesin e të premtes.

Sipas burimeve policore, “për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në sallën e pajisjeve radiologjike”.

Ndërkohë në një sqarim shpërndarë për mediat, Spitali i Sarandës thotë se ka pasur tym në pajisjen UPS të skanerit.

Spitali i Sarandës bën me dije se “nuk ka pasur zjarr apo dëme ne pajisje të tjetra”.

Efektivët e zjarrfikëses kanë konstatuar tym që kishte përfshirë dhomën ku kryhen rezonancat, si pasojë e një shkëndije elektrike.

Fatmirësisht në këtë orar nuk ka pasur pacientë për të kryer rezonancën.

Mësohet se një mjet zjarrfikëse dhe 3 efektive morën pjesë për të normalizuar situatën. Ndërsa policia ka nisur hetimet.

Sarandë/Informacion paraprak:

Më datë 17.06.2022, rreth orës 08:30, në spitalin e Sarandës, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në sallën e pajisjeve radiologjike. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Reagon Spitali i Sarandës:

“Duke u nisur nga lajmi i publikuar në media se ka rënë zjarr në Spitalin Bashkiak Sarandë, sqarojmë se:

Në orën 8:00 të mëngjesit të sotëm u konstatua tym në pajisjen UPS të pajisjes mjekësore Scaner.

Menjëherë u njoftua shërbimi zjarrfikës dhe ai i Policisë së shtetit duke bërë të mundur izolimin e menjëhershëm defektit.

Spitali Bashkiak Sarandë bën me dije se nuk ka pasur zjarr apo dëme ne pajisje të tjetra.
Duke i siguruar qytetarët se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, Spitali Bashkiak Sarandë vijon punën normalisht në shërbim të qytetarëve”.