FITUESIT E LOTARISË AMERIKANE

741
Sigal

Fituesit e Lotarisë Amerikane- Lista me udhëzimet e dokumentet e nevojshme dhe procedura e intervistës në Ambasadë

Dokumentet që duhen përgatitur për Intervistën. Cilët kategori duhet të sjellin dokumente shtesë. Rastet kur refuzohen aplikantët. Udhëzimet dhe procedura e Intervistës në Ambasadën amerikane

Të gjithë personat e zgjedhur fitues në procesin e Lotarisë Amerikane për vitin 2019 në maj të vitit te kaluar, tashmë kanë nisur përgatitjet për plotësimin e fazave të mëtejshme në procedurën tërësore të pajisjes me vizë emigruese dhe green card për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fazat e tjera, pas asaj fillestare ku u shpallën në mënyrë rastësore të përzgjedhurit, kanë të bëjnë me pajisjen dhe plotësimin e një sërë dokumentesh, vizitat mjekësore dhe intervista finale në Konsullatën e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Gazeta “Telegraf” i ka kushtuar gjithmonë një kujdes dhe interes të veçantë çështjeve që kanë të bëjnë me emigracionin, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve për sa i përket bashkimit familjar, pajisjes me viza, rregullave të emigracionit etj. Ndaj në vazhdimësi do të publikojmë informacione të vlefshme për çdo qytetar të interesuar për procedurën e Lotarisë Amerikane, bashkimit familjar etj.

Dokumentet që duhen përgatitur për Intervistën

Në listën e mëposhtme paraqiten dokumentet e nevojshme që secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të dorëzojë në Seksionin Konsullor 2 javë përpara datës së intervistës , përveç rasteve kur janë udhëzuar ndryshe nga Seksioni Konsullor. Këto dokumente duhen dorëzuar me postë të shpejtë në Seksionin Konsullor të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, përveç rastit kur ka mbetur më pak se 10 ditë nga data e intervistës tuaj. Në këtë rast, sillini të gjitha dokumentet në ditën tuaj të intervistës. Dokumentet që nuk janë në Shqip apo në Anglisht duhet të jenë të përkthyera në Anglisht dhe të noterizuara. Gjithashtu, vendimet e gjykatave mbi divorcin, apo mbi një krim duhet të jenë të përkthyera nga një përkthyes kompetent dhe të noterizuara:

  • Një kopje e datës tuaj të intervistës që keni marrë nga NVC-ja (nuk aplikohet për aplikantët e vizave të: lotarisë, të fejesës, birësimeve dhe të azilit).
  • Një fotokopje e faqes biometrike të pasaportës (ku ndodhet emri juaj dhe fotografia) të vlefshme mbi 6 muaj nga data juaj e hyrjes në Shtetet e Bashkuara. Mos e dërgoni pasaportën tuaj me postë, pasi do t’ju duhet gjatë vizitës mjekësore.
  • 2 fotografi me ngjyra me sfond të bardhë për çdo person që aplikon për vizë (5 cm x 5 cm, ose 2 inch x 2 inch).
  • Fletën e konfirmimit të formularit DS-260, Aplikimi për Vizë Imigruese që ju keni plotësuar online tek ceac.state.gov/iv.
  • 1 certifikatë lindjeje në 6 gjuhë për përdorim jashtë shtetit për secilin aplikant që ka lindur në Shqipëri. Ju duhet të paraqiteni tek Zyra e Gjendjes Civile (e bashkisë, njësisë bashkiake, apo komunës) ku jeni të regjistruar dhe t’i kërkoni Certifikatë Lindjeje për përdorim jashtë shtetit, e cila kushton 200 lekë. Certifikata duhet të ketë statusin tuaj civil të tanishëm. Certifikata nuk duhet të lexojë Certifikatë Personale. Nëse keni lindur jashtë Shqipërisë dhe keni shtetësi shqiptare, përveç certifikatës tuaj shqiptare të lindjes, ju duhet të sillni certifikatë lindjeje nga shteti ku ka lindur aplikanti, e përkthyer në Anglisht dhe e noterizuar.
  • Zarfin e pahapur të vizitës mjekësore. Nëse mjeku jua ka dhënë juve zarfin, ju duhet ta sillni në ditën e intervistës në Seksionin Konsullor. Në rast ripërsëritje të intervistës, apo për shkak mosparaqitje, Seksioni Konsullor mund t’ju kërkojë ta dërgoni vizitën mjekësore me postë.
  • Kopje origjinale ose të certifikuara të certifikatave të lindjes për të gjithë fëmijët e kërkuesit kryesor (edhe nëse nuk shoqërohet).

 

Aplikantët e kategorive të mëposhtme duhet të sjellin këto dokumente shtesë:

 Për aplikantët me bazë familjare:

  • Formularin I-864 Garancia e Mbështetjes nga sponsori për secilin peticion, së bashku me kopje të transkriptit të IRS-së të sponsorit, ose taksat federale të vitit më të fundit, formulari 1040, dhe formularin W-2.
  • Dëshmi të lidhjes ndërmjet peticionerit dhe aplikantit të vizës (si p.sh.: fotografi, letra, apo emaile).
  • Dëshmi e statusit të peticionerit dhe të rezidencës (domicile) në Shtetet e Bashkuara (fotokopje e pasaportës amerikane, e certifikatës së naturalizimit, ose e kartës së banorit të përhershëm të ligjshëm)
  • Certifikatë lindjeje e peticionerit (e qytetarit amerikan, apo me green card) dhe certifikatë martese (nëse aplikohet), e cila të jetë lëshuar më pak se një vit nga data e intervistës.

Sponsori Shtesë:

  • Nëse të ardhurat e peticionerit janë nën 125 për qind të nivelit të varfërisë (U.S. poverty guideline), peticioneri juaj përveç garancisë së tij të mbështetjes, Formulari I-864, duhet të sigurojë edhe një sponsor tjetër, ose të përdorë të ardhurat e një pjesëtari të familjes në mënyrë që të përmbushë kërkesën e të ardhurave. Secili sponsor shtesë dhe/ose pjesëtar i familjes duhet të plotësojë formularin e saktë I-864, Garancia e Mbështetjes së bashku me një fotokopje të transkriptit të IRS-së të sponsorit, ose taksat federale të vitit më të fundit, dhe formularin W-2 (nëse aplikohet). Peticioneri juaj duhet patjetër të dorëzojë formularin e tij I-864, pavarësisht faktit që ka ose jo një sponsor shtesë për çështjen tuaj.

Nëse jeni i/e martuar:

  • certifikatë origjinale martese. Pranohen si certifikatat e martesës që janë vetëm në gjuhën shqipe, ashtu edhe ato për përdorim jashtë shtetit që janë në formatin e përkthyer në gjashtë gjuhë.

Nëse keni qenë i/e martuar më parë:

  • Vendimin e gjyqit mbi divorcin të përkthyer në Anglisht dhe të noterizuar, ose certifikatë vdekjeje të bashkëshortit/es tuaj.

Nëse jeni i/e birësuar:

  • Vendimin e gjykatës mbi birësimin të përkthyer në Anglisht dhe të noterizuar.

Nëse jeni thjeshtri i peticionerit:

  • Certifikatë martese të peticionerit dhe të prindit tuaj biologjik dhe vendimin/et e gjyqit/eve të prindërve mbi divorcin të përkthyer në Anglisht e të noterizuar.

Për vizat me bazë punësimin:

  • Letër nga punëdhënësi juaj të lëshuar jo më parë se një muaj nga data e intervistës.

Nëse jeni mbi 16 vjeç:

  • Vërtetim të gjendjes gjyqësore nga shteti ku jetoni aktualisht; si dhe vërtetim policie nga shtete të tjera ku keni jetuar më parë: në rast se jetoni aktualisht në atë shtet dhe keni më shumë se 6 muaj që po banoni atje, ose në rast se keni jetuar më shumë se një vit në të kaluarën në atë shtet.

Për Vërtetimin e Gjendjes Gjyqësore nga Shqipëria: aplikoni tek Posta Shqiptare. Tek formulari i aplikimit për vërtetimin e gjendjes gjyqësore që ju jep Posta, duhet të shënoni “Ambasada Amerikane”. Vërtetimi duhet t’i përfshijë të gjithë emrat dhe/apo mbiemrat e përdorur, përfshirë mbiemrin e vajzërisë (para martese). Vërtetimet e gjendjes gjyqësore të aplikantëve për Vizë Amerikane do të dërgohen direkt në Zyrën Konsullore të Ambasadës Amerikane (gjithmonë nëse ju shënoni “për Ambasadën e SHBA-së” tek aplikimi). Vetëm vërtetimet e marra direkt nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore do të pranohen; aplikanti nuk mund të paraqesë vetë vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

Kujdes: Shpesh aplikantët refuzohen vetëm se ata nuk kanë përfshirë të gjithë emrat/mbiemrat e përdorur në vërtetim.

Për të dëshmuar që ju keni aplikuar për dëshminë e penalitetit, ju duhet t’i dërgoni NVC-së (ose Seksionit Konsullor, në varësi se ku është dosja juaj) një kopje të mandatit të arkëtimit nga Posta Shqiptare me një shënim të shkurtër në Anglisht: “Receipt of Application for the Albanian Police Record”. Të gjitha dokumentet duhet të jenë marrë nga zyrat përkatëse jo më parë se një vit nga data e intervistës. Nëse ka kaluar një vit nga aplikimi juaj i parë, ju duhet të riaplikoni për vërtetimin e gjendjes gjyqësore. Nëse ju keni dorëzuar tek NVC më parë një vërtetim policor nga një shtet tjetër, dhe ai është lëshuar më parë se 1 vit, dhe ju jetoni akoma në atë shtet, atëherë ju duhet të keni me vete në intervistë një vërtetim të marrë kohët e fundit nga ky shtet, pasi vërtetimi i vjetër ka skaduar. Për informacion se si të merrni vërtetime policore nga shtete të tjera lexoni këtu.

Nëse keni qenë ndonjëherë i dënuar me vendim gjyqësor: duhet të sillni vendimin e plotë nga Gjykata e Rrethit të përkthyer në Anglisht e të noterizuar, pavarësisht nëse ju është dhënë amnistia, falje, apo nëse dënimi është rehabilituar.

Nëse keni kryer shërbimin ushtarak: 1 vërtetim ushtarak për të gjithë aplikantët meshkuj 18 vjeç e lart, pavarësisht nëse e keni kryer apo jo shërbimin ushtarak; si dhe për aplikantet femra që kanë kryer shërbim të mëparshëm ushtarak. Ju duhet të aplikoni tek Posta Shqiptare që ta merrni këtë vërtetim.

Udhëzimet dhe procedura e Intervistës

Ju duhet t’i dërgoni të gjitha dokumentet origjinale me postë të shpejtë në Seksionin Konsullor 2 javë para datë suaj të intervistës përveç pasaportës dhe vizitës mjekësore të cilat do t’i sillni në ditën tuaj të intervistës. Nëse Seksioni Konsullor kërkon informacion shtesë apo dokumente shtesë nga ju në ditën tuaj të intervistës, ju duhet t’i dërgoni ato me postën e shpejtë duke hyrë tek llogaria juaj dhe duke zgjedhur “Seksioni Konsullor më ka kërkuar dokumente shtesë” e duke i bashkëngjitur dokumenteve fletën e autorizimit të korrierit.

Ricaktimi apo anulimi i intervistës suaj

Nëse ju nuk keni mundësi reale për t’u paraqitur në datën e caktuar të intervistës, duhet të njoftoni me email tek [email protected] sa më shpejt. Përfshini emër mbiemër, numrin e çështjes tuaj, datëlindjen, arsyen për vonesën dhe kohën e sugjeruar për takimin e ri. Mund të ketë një kohë të konsiderueshme pritjeje deri sa t’ju caktohet takimi i ri, ndaj përpiquni të paraqiteni në datën fillestare të takimit. Për disa kategori vizash me bazë familjare apo bazë punësimi, një vizë bëhet e mundur brenda muajit në të cilin ju caktua takimi për intervistë nga NVC-ja. Aplikantët e lotarisë DV duhet të kenë parasysh që vizat e lotarisë janë numerikisht të limituara dhe duhen lëshuar deri më datë 30 shtator të programit të lotarisë. Nuk ka asnjë garanci që një vizë lotarie do të jetë në dispozicion në datën e ricaktuar. Nëse një aplikanti Lotarie nuk i është lëshuar një vizë në muajin në të cilin atij i ishte caktuar intervista nga KCC, vizat e vëna në dispozicion të aplikantëve të Lotarisë mund të mos jenë të garantuara për ta. Aplikantët e lotarisë që kërkojnë nga Seksioni Konsullor ricaktim të datës së intervistës së tyre në muaj të mëvonshëm rrezikojnë seriozisht shansin për të marrë vizë. Konsultoni Buletinin e Vizave përpara se të kërkoni ricaktim të intervistës. Duhet të kini parasysh: Ju duhet të regjistroni online takimin tuaj origjinal nga NVC ose KCC përpara se të mund të ricaktoni takimin. Ricaktimi mundësohet vetëm në një datë pas datës së caktuar të intervistës tuaj.

Procedurat e kontrollit të sigurisë

Të gjithë vizitorët në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara duhet të ndjekin disa procedura sigurie. Ai vizitor që refuzon të kontrollohet nga personeli i sigurisë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nuk do të lejohet të hyjë. Për të shmangur vonesat në hyrje për ju dhe për ata pas jush, sillni vetëm çfarë ju është kërkuar për intervistën tuaj.

Personat shoqërues

Avokatët nuk lejohen që të shoqërojnë klientët e tyre në sallën e pritjes apo në intervistë. Vetëm personat e mëposhtëm mund të shoqërojnë një aplikant për vizë në intervistën e tyre: · Aplikant me aftësi të kufizuara: Aplikantët mund të shoqërohen nga NJË person për ta ndihmuar nëse ata janë të moshuar, të pamundur, apo minorenë.

Tarifat e vizave imigruese

Nëse ju nuk i keni paguar të gjitha tarifat e aplikimit për vizë nëpërmjet NVC-së, apo qendrës së caktimit të takimeve për vizat K të fejesës, përgatituni që ta paguani këto tarifa në ditën tuaj të intervistës. Të gjitha tarifat duhen paguar ose në Dollarë Amerikanë, ose në Lekë. Seksioni Konsullor pranon vetëm para në dorë . Kini parasysh që nëse gjendeni i pakualifikuar për të marrë një vizë, tarifa e aplikimit për vizë nuk rimbursohet. Një listë e plotë e tarifave gjendet këtu.

Mos bëni plane udhëtimi jashtë Shqipërisë

Nëse viza juaj u miratua, ambasada do ta mbajë pasaportën tuaj për përgatitjen e paketës imigruese dhe për printimin e vizës në pasaportën tuaj. Pasaporta do të kthehet vetëm me anë të shërbimit postar. Mos bëni plane udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara derisa të keni marrë pasaportën tuaj me vizë në dorëzim.