Fiton tenderin 140 milionë lekë, firma punon vetëm me 1 punëtor

508
Sigal

LIBRAZHD/ Nuk dihet se kur do të përfundojë rikonstruksioni i shkollës në fshatin Gushëshpatë të Komunës Polis

Duket e çuditshme, por është e vërtetë se firma ndërtuese “Shqiponja 06”, e cila ka fituar tenderin për rikonstruksionin e shkollës në fshatin Gushëshpatë të Komunës së Polisit me një fond prej 140 milionë lekë ka nisur punimet vetë me një punëtorë. Tenderi është fituar që para një viti dhe fill pas pak muajve kanë nisur punimet. Deri këtu çdo gjë është në rregull, por metoda se si ka vepruar firma për të punuar ka habitur të gjithë, sepse çdo ditë aty shikon që vjen vërdallë godinës vetëm një punëtor. Aty nuk ka shumë punëtorë dhe as makineri. Kjo është edhe arsyeja që firma nuk ka mundur dot të mbaronte në afatin e përcaktuar rikonstruksionin e shkollës, sepse çfarë mund të bëjnë më parë vetëm dy duart e tij. Madje, banorët e zonës thonë se, punëtori në fjalë do një ditë të ndërrojë skelat që përdor dhe jo më që të përfundojë brenda afatit një shkollë të tërë. Dhe mesa duket është faji i këtij punëtori që prej tre javësh  ende nuk ka filluar mësimi dhe nuk dihet se kur do të përfundojë kjo shkollë. Kështu rreth 150 nxënës  vazhdojnë të rrinë në shtëpi. Për ata, ende nuk janë mbyllur pushimet e verës. Sipas banorëve dhe prindërve që shkojnë e interesohen dita- ditës se si po ecin punimet bëhet e ditur se, firma ka nisur punimet mbrapsht. Fillimisht po punohet nga muret dhe nuk po rikonstrukturohen pjesët që janë më të domosdoshme. Madje banorët thonë, se fajin e ka punëtori, i cili nuk hipën dot në majë të çatisë, sepse i merren mend e nuk punon dot në lartësi, prandaj dhe puna ka nisur nga muret. Sipas të dhënave, kontrata para tre ditësh ka mbushur një vit që është lidhur (më datë 27.9.2012) midis Komunës Polis dhe firmës “Shqiponja 06” dhe fondi i akorduar nga qeveria shqiptare është 140 milionë lekë. Në kontratë thuhet qartë se punimet duhet të përfundonin në afatin kohor të 120 ditëve nga dita e lidhjes së kontratës. Punimet për rikonstruksionin e saj filluan, sipas procedurës së rregullt, por puna ka filluar nga muret rrethuese dhe ndërtesa është totalisht e shkatërruar dhe në të shikon vetëm një punëtor, i cili ka 8 muaj që punon aty. Madje, shumë herë banorët e zonës, këshilltarët e komunës, kanë ngritur dhe dilemat e tyre që në fillim për mënyrën e tenderimit të kësaj shkolle dhe sot siç shikohet lë për të dëshiruar. Meqenëse ka filluar viti i ri shkollor 2013-2014, nxënësve dhe mësuesve për të zhvilluar mësimin u janë gjetur dy banesa të shkatërruara, përkatësisht ajo e familjarit Qerim Tarushi që është si një kolibe dhe ajo e Selim Guberit një ndërtesë që është duke u shembur. Por duke parë kushtet prindërit nuk kanë pranuar të çojnë fëmijët e tyre në këto ambiente që janë jashtë të gjitha standardeve. Prindërit kanë bllokuar mësimin që nga dita e parë dhe aktualisht 150 nxënës janë në shtëpi në pritje të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së tyre. Prindërit e pyetur nga “Telegraf”, deklaruan se, fëmijët e tyre do të shkojnë në vetëm në shkollën e tyre dhe në asnjë ambient tjetër të papërshtatshëm dhe mbi të gjitha të rrezikshëm për jetën e tyre.

Mashtrimet

Kjo është e njëjta firmë që ka kryer punimet në Ujësjellësin Liras – Stranik të Komunës së Stravanit dhe ishin banorët e zonës, të cilët denoncuan në “Telegraf” abuzimin që u bë me fondin, sepse në çezmat e tyre nuk shkon pikë uji. Por me sa duket kjo firmë ka gjetur një mundësi shumë të mirë në rrethin e Librazhdit për të fituar tenderat, sepse punë nuk bën, askush nuk ankohet dhe lekët e fondeve përfundojnë në “xhepin e saj”. Mesa duket populli i Librazhdit është i urtë që nuk po ndihet nga këto firma fantazim që gënjen qytetarët dhe tallet me Buxhetin e Shtetit.

Skandali i tenderit

Gazeta “Telegraf” në një shkrim të datës 10 dhjetor 2012, ka hedhur dyshime për mënyrën e tenderimit të kësaj shkolle një tender i paracaktuar, ku firma fituese “Shqiponja 06” nuk ka qenë e rregullt dhe fituesi është selektuar. Kanë qenë tre subjekte që kanë marrë pjesë në tender “Bajrami” sh.p.k me 119 milionë lekë, “Aldok” 134 milionë lekë dhe “Shqiponja 06” me 141 milionë lekë dhe fituese është shpallur “Shqiponja 06” me vlerën e lekëve më të lartë se të tjerat, kur sipas ligjit duhej të fitonte vlera më e ulët. Pra kontrata është lidhur me operatorin “Shqiponja 06” sh.p.k me Nr. NIPT K77524602L, me vlerën e ofertës 14.110.420 (katërmbëdhjetë milionë e njëqind e dhjetë mijë e katërqind e njëzet) lekë, ku është hedhur dyshim dhe për certifikatën ISO 9001-2008. Kjo firmë ka bërë dhe mjaft punime të tjera në këtë komunë që askush nuk e di se si kanë përfunduar.