Firma që po mashtron metalurgët e Burrelit

702
Sigal

Janë lëshuar urdhra e vendime që bien ndesh me Kodin e Punës dhe marrëveshjet e mëparshme mes dy palëve

Nuk janë firmat ato që zemërojnë, irritojnë dhe që nuk zbatojnë akt-marrëveshjet, kontratat që tallin dhe nëpërkëmbin punëmarrësit, por është qeveria dhe Ministra e Ekonomisë në ikje që kanë heshtur dhe i kanë lejuar firmave të kryejnë veprime të tilla. Por janë dhe vetë firmat që nuk ndikohen dhe imponohen nga 2 mbrojtësit, sindikata e Kol Nikollës dhe konfederata e Gëzim Kalasë, e cila gjithnjë ky i fundit ka favorizuar qeverinë për 8 vite të qeverisjes së Sali Berishës, duke kundërshtuar pa të drejtë sindikatën e Kol Nikollës. Ka qenë në krah të punonjësve. Ndërsa Gëzim Kalaja në vend të përkrahjes e quante Sali Berishën burrë shteti, madje kur Kol Nikolla dilte në mbrojtje të punonjësve është kundërshtuar nga Gëzim Kalaja, duke u bërë pre në interes të qeverisë, që nëse është apo jo burrë shteti sipas Gëzim Kalasë e dha verdikti i popullit në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Situata

Është firma “Albkrom” që menaxhon Uzinën e Ferrokromit Burrel, e cila ka mashtruar punonjësit e vet se në fillim të gushtit të këtij vitit do të nisë puna në OFK, ky premtim jo vetëm që nuk ndodhi, e cila ka marrë  reagimin e kundërshtisë së përfaqësuesve të sindikatës, por administratori i “Albkrom” ka lëshuar urdhra e vendime që bien ndesh me Kodin e Punës dhe marrëveshjet e mëparshme mes metalurgëve dhe firmës koncesionare. “Ndryshimi i kontratës së mëparshme, u shprehën sindikalistët e UFK-së Burrel, bëhet vetëm kur palët bien dakord. Ne, e kemi thënë me zë të lartë, fillimisht duhet të nënshkruhet kontrata kolektive e punës dhe pastaj ajo individuale. Kontrata kolektive duhet firmosur të paktën 60 ditë para asaj individuale”,-sqarojnë metalurgët e Burrelit. Këto sqarime vijnë pas presionit të administratorit lokal Telat Haxhiu ndaj metalurgëve, në mënyrë që ato të nënshkruajnë kontratën individuale. “Janë thirrur metalurgët në seri dhe u është bërë presion për të nënshkruar një kontratë individuale që nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe është diskriminuese për 85 metalurgët e Burrelit. “Ne,- thanë sindikalistët -do të rezistojmë deri në fund, pasi kontrata e re është e ndryshuar nga ajo e para, pasi kjo e dyta përmban vetëm detyrimet për metalurgët, pra është tërësisht diskriminuese dhe antiligjore”. Firma ka ftuar metalurgët të paraqiten çdo ditë në orën 08-12:00 në uzinë, ndërkohë që, pagesa mbetet ajo e marrëveshjes së mëparshme, 50 % e pagës, ose 24 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që, në asnjë nen të Kodit të Punës nuk thuhet se, punëtorët do të punojnë me kohë të pjesshme, kështu argumentojnë metalurgët e UFK-së Burrel. Një urdhër tjetër i ardhur për metalurgët është ai i transferimit të tyre në objekte të tjera, larg UFK-së. Edhe ky urdhër është kundërshtuar, me mendimin se nuk janë të profilizuar për punë të tjera përveç furrave të shkrirjes së kromit. “Vendimet e fundit janë totalisht të padrejta, shprehen metalurgët. Jemi të befasuar, kur na kërkohet të nënshkruajmë kontrata dymujore, ndërkohë që, paga është përgjysmuar nga 60 mijë lekë në muaj në 35 mijë lekë në muaj për metalurgët që do të punojnë në fronte të tjera me kohë të plotë. Ajo që të çudit është vendimi për të evidentuar gjendjen e punëtorëve që paguhen me 50 % çdo mëngjes, ndërkohë që në marrëveshje është shkruar e zeza mbi të bardhë: Metalurgët e mbetur pa punë për faj të koncesionarit do të paguhen me 50 % të pagës, ndërkohë tani kërkohet evidentimi i tyre çdo ditë, duke shkelur me të dyja këmbët marrëveshjen e mëparshme mes metalurgëve dhe subjektit në fjalë”. Drejtues të lartë të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, por edhe zyrtar lokal i janë drejtuar Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama me letra dhe i kanë kërkuar zgjidhjen e kërkesave të metalurgëve të Burrelit, pasi aktualisht ato janë të mashtruar dhe të pashpresë.