Fillon vjedhja dhe dëmtimi i pemëtarisë

551
Sigal

Për të mbrojtur pasurinë e tyre, fermerët po përleshen me hajdutët

SARANDË/ Në dy komunat me emër të n/prefekturës së Sarandës, Lukovë dhe Xarrë, ish NB-të e famshme të kohës së socializmit, NB Lukovë e NB Vrinë, sot gjenden nën masakrën që i bëhet pemëtarisë, ullirit dhe agrumes. Ndonëse, biologjikisht, nuk i ka ardhur koha e vjeljes, ajo ka filluar në ullishtet e bregdetit. Por ka filluar me vjedhje dhe dëmtime, prerje e masakrime, deri edhe në dhune ndaj pronarëve të tyre. Veprime që shkatërrojnë investimin shekullorë dhe të sotëm të banorëve të kësaj zone. Tanimë ky është kthyer në fenomen, por as pushteti lokal dhe as shteti nuk ndërhynë për ta ngadalësuar, pale më për ta frenuar. Po zhduket pema shekullore, pema e bekuar si simboli i paqes në botë. Po ky fenomen ka filluar edhe në Komunën e Xarrës dhe Bashkinë e Konispolit në plantacionet me agrume. Me të vërtetë qeveritë e çdo lloj ngjyre politike e kanë quajtur si shkolla dhe modeli i zhvillimit të bujqësisë shqiptare, por masat mbrojtëse të këtij investimi, investim i arritur edhe me subvencionim shtetëror, janë për të dëshiruar. Ka filluar vjedhja masive deri në përplasje me armë midis hajdutëve dhe fermerëve, siç edhe ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fushën e Rrahut, në afërsi të fshatit Mursi. Një përplasje disaorëshe me armë, deri sa hajdutët u detyruan të largohen nga parcelat me agrume. Jemi të pambrojtur, thonë fermerët, pasi dy orë përleshje me armë (çifte) dhe askush nga policia nuk erdhi në ndihmë. Ndoshta vijën ditën për të numëruar kapsollat e çifteve se sa fishekë kemi hedhur. Prodhimi i ri sa ka filluar dhe jemi të kërcënuar, jo vetëm me dëm ekonomik, por edhe me jetë. Vijnë me makina dhe futen si në mallin e tyre e askush nuk u thotë gjë. Nuk dimë si do na vejë halli, thonë fermerët.