Filip Haxhari: Rikthehet kultivimi i orizit në Fushën e Zadrimës

RIKTHEHET KULTIVIMI I ORIZIT NË FUSHËN E ZADRIMËS

Një mrekulli nga “Mrizi i Zanave”, që ndodh pas 30 vjetësh

Sot, përvoja e mirë e Mrizit të Zanave, është një dëshmi e gjallë e konkrete që kultivimi i orizit në SHQIPËRI, jo vetëm është një mundësi reale, por mund të realizohen edhe rendimente të larta e cilësi prodhimi shumë të mira.

Sigal

 Pas shumë e shumë vitesh, bima e orizit dhe orizorja e saj u shfaqen mrekullisht e në mënyrë të papritur e të pabesueshme, me madhështinë e krenarinë e tyre, në horizontet e “vendlindjes” së saj, në fushën e Zadrimës; në tokën e shumëmirënjohur për historinë e mençurinë e njerëzve të saj, për traditat shekullore, për kulturën e pasur të kësaj zone e për prodhimtarinë e lartë e cilësore të bimëve bujqësore, sidomos të drithërave si ORIZI e misri, por edhe të vreshtarisë, ullishteve, të pemëtarise, të perimeve, etj, etj.

Pikërisht këtu, pas rreth 30 vitesh, biri i një familjeje të thjeshtë të kësaj toke, Altin Prenga, me një vullnet e këmbëngulje të rrallë, pas shumë perpjekjeve e jo pa pak sfida e vështirësi, por me përkushtimin që e karakterizon, arriti të kultivojë këtë bimë, duke besuar në te dhe duke hedhur farën e parë të orizit në këto toka.

Një mrekulli e gjallë dhe konkrete…

Sot, përvoja e mirë e Mrizit të Zanave, është një dëshmi e gjallë e konkrete që kultivimi i orizit në SHQIPËRI, jo vetëm është një mundësi reale, por mund të realizohen edhe rendimente të larta e cilësi prodhimi shumë të mira.

Duke kryer mbjelljen e kësaj bime, Altin Prenga, jo vetëm u bë pionieri i parë i rikthimit dhe i kultivimit të orizit në Shqipëri, por është edhe bashkatdhetari i parë që e bëri të mundur futjen e Shqipërisë në listën e FAO-s, si një ndër 122 vendet që kultivojnë e prodhojnë këtë bimë në shkallë boterore.

Shqipëria ka fatin e madh sepse është një ndër vendet europiane që ka kushtet më të përshtatshme për zhvillimin e kësaj kulture, për faktin se klima e thatë dhe e nxehtë e vendit tonë, së bashku me tokat pjellore dhe të pashfrytëzuara, dhe me rezervat e mëdha ujore që ka ky vend (që, fatkeqësisht nuk shfrytëzohen e, si rrjedhim, shkojnë dëm e derdhen vetëm në det), jo vetëm janë shanse reale për zhvillimin e kësaj kulture në Shqipëri, por garantojnë rendimente shumë të larta dhe cilësi të kokrrës shumë më të mira se ai që vjen nga jashtë.

Shqipëria ka gjithashtu edhe një treg të mirë të këtij produkti, sepse vendi ynë është edhe një konsumues i madh i këtij produkti, me rreth 9 kg oriz të zhveshur (të bardhë, ose rreth 15 kg oriz çeltik) për frymë të popullsisë në vit, dhe kjo për faktin se orizi ka një vend të veçantë në traditën kulinare dhe në dietën ushqimore të popullsisë shqiptare, për vlerat e larta ushqyese e dietike dhe për përdorimin e përditshëm e të shumanshëm;

Orizi, siç thotë populli, është edhe drith i vlefshëm (bukë), është edhe ushqim i mirë (gjellë).

Nga ana tjetër:

  • Orizi është një nga bimët më fitim prurëse nga të gjitha drithërat e tjera (sepse jep 1 deri 2 herë më shumë të ardhura në krahasim më misrin dhe 2 deri 3 herë më shumë se gruri), mbasi ka kapacitet shumë të lartë prodhues, kërkon pak shpenzime për kultivimin e prodhimin e tij dhe shitet me çmim të lartë në treg për shkak të vlerave të tij të larta ushqyese;
  • Orizi është bima më e përshtatshme për zhvillimin e aplikimin e ekonomisë qarkulluese, zbatimi i së cilës është konsideruar sot si modeli më i mirë i zhillimit ekonomik dhe rruga e vetme për shpëtimin e globit tokësor;
  • Orizi është bima më e përshtatshme për shfrytëzimin e:
  • tokave të papunuara e të lëna djerr të fshatarëve;
  • tokave që kanë karakteristika fiziko-kimike e pjellori të ulët dhe ato që janë të papërshtatshme për kulturat e tjera bujqësore,
  • tokave të ndotura, tokave bazike e acide, por sidomos edhe
  • tokave të kripura të vendit tonë…

Duke bëre të mundur realizimin e rendimenteve të mira e prodhimin në vend të orizit dhe, në të njejtën kohë, përfitimin e këtyre tokave, përmirësimin e cilësive të tyre dhe shfrytëzimin e tyre.

  • Mbi të gjitha, orizi i prodhuar në vend, është i një cilësie shumë më të mirë se ai që vjen nga jashtë, shumë më i shijshëm, më i sigurtë nga ana shëndetësore dhe më i përshtatshëm për gatim e që përputhet në mënyre perfekte me kërkesat, me kulturën e përgatitjes e me traditën e gatimit e të konsumit të popullsisë shqiptare.

Por siç dihet, orizi, ështe një bimë që rritet në prani të ujit, dhe si e tillë ka nevojë, në radhe të parë, për ndërtimin e oxhakëve, sistemimin e orizores dhe nivelimin perfekt të sipërfaqes së saj, si premisa e padiskutueshme dhe e vetme për të marrë rendimente shumë të larta në këtë bimë.

Ky proces pune sot nuk mund të mendohet e të kryehet as me forcën e krahut (sepse, në radhë të parë, është i pa arritshëm të realizohet në mënyrë artizanale e, së dyti, fatkeqësisht, kjo fuqi punëtore sot mungon totalisht në zonat rurale), por as duke sjellë në vend ndonjë traktor ose zetor tjetër për të punuar tokat e fshatarëve (përfshirë këtu edhe ato të orizores) siç është vepruar fatkeqësisht deri më sot (duke e shndërruar Shqipërinë në një park të “gjalle” e të “larmishëm” me të gjithë tipet, llojet e modelet e traktorëve/zetorëve të prodhuar në vende të ndryshme të botës nga Lufta e dyte Botërore deri më sot, pa makineritë e agregatët e nevojshëm dhe pa pjesë këmbimi …

Unë mendoj se për zhvillimin e kulturës së orizit në Shqipëri dhe të tërë bujqësisë shqiptare e për të realizuar objektivat e përcaktura nga agjenda e vitit 2030, e vetmja rrugë e mundshme dhe e leverdisshme që mund të aplikohet, është ajo e futjes së teknologjisë komplete të mekanizimit, të kultivimit e të prodhimit të kësaj kulture, duke e mbështetur fuqimisht këtë sektor jetik për vendin tonë, në radhë të parë duke e shpallë orizin si “bime strategjike” për këtë vend, dhe pastaj duke ndërtuar nje PROGRAM KOMBËTAR për zhvillimin e orizit, në mënyrë që kjo bimë të kultivohet e të zhvillohet në vend duke garantuar rendimente shumë të larta prodhimi, cilësi shumë të mira të produkteve të fituara dhe kosto të ulët të prodhimit, që rrisin edhe mundësinë e konkurimit me sukses në tregun e lirë të këtyre produkteve e mbi të gjitha afron mundësinë reale  për bashkëpunimin mes fshatarëve e formimin e grupeve e të formave kooperativiste, që janë edhe rezultati tjetër më fantastik e më social (njerëzor) i këtij programi.

Sot, siç dihet, të gjitha nevojat e popullsisë shqiptare me oriz furnizohen nga jashtë, nëpërmjet importit, i cili sjell në vend jo ato lloje e cilësi produkti që kërkohen e që preferohen nga konsumatori shqiptar (e turistat e shumtë që vizitojnë vendin tonë), ose ato produkte që përshtaten me kulturën e preferencën kulinare të tij, apo që janë në përputhje me artin dhe mënyrën e pregatitjes e të përdorimit në guzhinën kombëtare, por ato produkte të “kommodity” që janë më të disponueshme në treg e kushtojnë më lirë dhe, në shumë raste, janë me cilësi mjaft skadente e të pasigurta nga ana shëndetësore e, mbi të gjitha, duke shkarkuar mbi konsumatorin shqiptar fluktuazionet në bursën e këmbimit dhe rritjen e çmimeve të këtij produkti në treg.

Në këtë mënyrë, vetëm për periudhën 2025-2030, do të nevojiten, për të plotësuar të gjitha kërkesat e vendit tonë me këtë produkt, rreth 200.000 mijë ton oriz i zhveshur (i bardhë), i cili do të kushtojë, në bazë të çmimeve të sotme, në rreth 97-98 milion Euro.

Sikur 1/3 e kësaj shifre të investohet sot për futjen e teknologjisë komplete për kultivimin e prodhimin e tërë orizit në vend, për përpunimin e seleksionimin e farërave të zgjedhura të kësaj bime, për fuqizimin dhe rritjen e kapacitetit ujitës/kullues të zonave ku do të shtrihet kultura e orizit dhe për zhveshjen e përpunimin total të tij në vend, Shqipëria, brenda vitit 2030, do të sigurojë:prodhimin e gjithë sasisë së nevojshëm të këtij produkti (për konsum dhe për farë) në vend,

zhveshjen, përpunimin e standartizimin e orizit dhe zhvillimin e gjithë industrisë agro-ushqimore të këtij produkti në vend

  1. furnizimin me një produkt kombëtar që është shumë më i shijshëm dhe shumë më cilësor se ai që vjen nga jashtë;
  2. krijimin e mijëra vendeve të reja pune dhe zhvillim të pa parë të zonave rurale ku do të shtrihet kjo bimë;
  3. një vlerë të shumëfishtë prodhimi ndaj vlerës fillestare të investuar për këtë bimë strategjike (3-4 herë më shumë), etj., etj.

Prandaj, unë i bëj thirrje Qeverisë, organeve të pushtetit qëndror dhe lokal, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, investitorëve privatë, të huaj dhe atyre të vendit, e gjithë pronarëve e prodhuesve lokalë, që ta mbështesin e të investojnë në këtë sektor të rëndësishëm e fitimprurës të ekonomisë me të gjitha mundesitë dhe format e mundëshme (me ndihma, me kredi bankare, me pjesemarrje direkte, etj.), sepse çdo investim në këtë sektor të rëndësishem për vendin tonë,    ka një rikthim të shpejtë e të sigurtë ekonomik dhe një leverdi të jashtëzakonshme e të shumanshme: EKONOMIKE, POLITIKE E SOCIALE…. përveçse mund të bëhet një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur edhe për bimët e tjera të bujqësisë shqiptare dhe një rrugë e mirëfilltë për përparimin e ekonomisë së vendit tonë.

Duke qenë edhe realiteti i vetëm aktual i kultivimit të orizit në Shqipëri, ky realitet përbën një bazë didaktike të mirë për studiuesit, studentët e Universitetit Bujqësor dhe të shkollave të mesme Profesionale, në demostrimin e mundësisë së rritjes e të karakteristikave fizike-biologjike të bimës dhe në teknologjinë e kultivimit të kësaj kulture.

Unë dëshiroj gjithashtu të falenderoj z. Altin Prenga e familjen e tij për ftesën që më kanë bërë sot dhe u jam shumë mirënjohës, për përkushtimin dhe këmbënguljen e tyre në realizimin e mbjelljes e të kultivimit të kësaj kulture, por edhe për faktin se, në këto vite, në këto orizore, më kanë lejuar e mbështetur për të provuar lloje të reja të orizit, për të eksperimentuar mënyra e forma të ndryshme të mbjelljes së kësaj bime, afate e doza të shpërndarjes së farërave, mënyrat e hedhjes dhe dozat e plehërimit kimik, afatet më të përshtatshme dhe mënyrat e spërkatjes me herbicide për luftimin e barërave të këqia në orizore, etj. etj, duke i kthyer këto fusha në parcela eksperimentale e në një bazë të vërtetë shkencore për studimet e mia e për të më furnizuar atë limfë të çmuar e të nevojshme që kisha si specialist e shkencëtar i kësaj bime, në mënyre që të arrij të propozoj formën më të përshtatshme dhe mundësinë më reale të shtrirjes dhe të kultivimit të orizit në vendin tonë.