Figurat e shquara kombëtare në ekstazën zogolliane të plumbit e litarit

738
Sigal

Gëzim Prengzi

Historia e Ahmet Zogut si dhe e gjithë klasës politike të asaj kohe është një histori ku atentati dhe eliminimi fizik i kundërshtarit shihej si armë normale politike. Zogu u mbijetoi shumë atentateve, zbuloi shumë tentativa për atentat, por edhe organizoi dhe urdhëroi shumë të tilla. Eliminimi mbështetej mbi një filozofi që sot duket shumë barbare, por që në atë kohë ishte pjesë e lojës. Raporti i Zogut me kundërshtarët politikë është tejet interesante, ai përfshin joshjen, korruptimin, tundimin po aq sa edhe dhunën dhe eliminimin fizik. Historia e dëshmon shpesh që ai dinte të përdorte të gjitha mënyrat. Noli dhe Konica, dy kundërshtarë të ashpër, që u bënë më pas aleatë, janë një aspekt i qëndrimeve të Zogut ndaj kundërshtarëve, ashtu si të tjerë që u kthyen e bashkëjetuan me të. Noli ishte padyshim kundërshtari më klasik dhe më i njohur i Ahmet Zogut në historinë e viteve ’20. Pas largimit nga Shqipëria, në dhjetor 1924, Noli u end nëpër Evropë duke tentuar të organizonte një lëvizje politike por pa sukses. Marrëdhëniet mes Zogut dhe peshkop Nolit mbetën problematike në rrjedhën e viteve, por mëria mes tyre filloi të zbehet. Në mes të viteve ’30 Zogu i dërgoi atij 890$ sipas një kërkese që vetë Noli i kishte bëre për të paguar shpenzimet e mjekimit.

Më pas, ata vendosën një raport normal. Me 1936, pas largimit të Mehdi Frashërit, Zogu ftoi Nolin të merrte drejtimin e Qeverisë Shqiptare, por ky refuzoi me argumentin se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Historia me Konicën është edhe më komplekse, por më pak dramatike. Ishin njohur në vitin 1914 në Durrës në kohën e Princ Vidit dhe kishin kaluar ca kohë në Vjenë, vitet 1917-18. Në fillim të viteve ’20 Konica u bë një kritik i madh, jo vetëm i Zogut, por edhe i gjithë klasës politike shqiptare, përfshire edhe mikun e tij Fan Nolin. Gjatë fillim viteve ’20 nuk i pushoi kritikat për Zogun në gazetën “Dielli”, por pas ngjarjeve të 1924-s, kundërshtoi Nolin për lëvizjen e tij dhe u afrua sërish me Zogun. Nuk dihet se si u vendos komunikimi mes tyre, por në vitin 1926, Zogu e emëroi Konicën ambasador të Shqipërisë në Uashington, detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1939. Zogu e dinte qëndrimin e Konicës dhe konsideratën që ai kishte për të, por nuk e ngacmoi asnjëherë. Por raporti i Zogut me Nolin dhe Konicën nuk ishte më tipiku.

Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Luigj Gurakuqi, ndryshe nga ata, u bënë pre e atentateve të tij deri në eliminimin fizik. Protagonist i jetës politike shqiptare në vitet 1908-1924 Bajram Curri u ftoh me Zogun qysh me lidhjen e krushqisë që ky i fundit pati lidhur me familjen Kryeziu të Gjakovës me të cilët Bajram Curri kishte hasmëri të vjetra. Që nga ai moment Bajram Curri u bë një kundërshtar i flaktë i qeverisë duke kulmuar në ngjarjet e Qershorit të 1924-s. Pas kthimit në pushtet të Zogut, ai ishte i vetmi që mund t’i bënte atij rezistencë. Në janar të vitit 1925 Bajram Curri u tërhoq në Krasniqe, ku në marrëveshje me bajraktarin e zonës Sali Man Mulosmanin nisi veprimet kundër Zogut. Më 9 janar 1925 ata morën Tropojën, por pas mobilizimit të ushtrisë dhe dërgimit në krye të forcave të vet ministrit të brendshëm Cen bej Kryeziu: “Currin gjallë a vdekë duhet ta vini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet ma”. Ahmet Zogu miratoi një fond të veçantë, “Fondi i hjeksave” (vrasës me pagesë) për të kapur e eliminuar kundërshtaret e tij ndër ta edhe Bajram Currin dhe mbështetësit e përkrahësit e tij. Në shkurt 1925 ai vari në litar në Krumë përkrahësin e Bajram Currit nga Malësia e Gjakovës, Hoxhë Zogun, Gjelosh Ramën e Tarçuk Ramën. Ndërsa Bajram Curri u vra më 29 mars 1925 nga forcat qeveritare në Grykën e Dragobisë. Pas vrasjes së tij Zogu internoi në Kosovë Bajraktarin e Krasniqes Sali Manin dhe familjen e tij me Rexhep Abdullahin dhe fëmijët Idriz Mulosmanin e Jaho Mulosmanin, ku jetuan deri në vitin 1931 dhe kur u kthyen në vendlindje shtëpinë e gjetën të djegur nga zogistët. Vrasja e Luigj Gurakuqit implikoi Tiranën shumë më tepër se çdo atentat tjetër politik. Më 2 Mars 1925 ndërsa dilte nga hotel “Cavur” ku po darkonte me dy miq u qëllua me tre plumba nga një shkodran i quajtur Balto Stamolla. Gurakuqi ndërroi jetë në spital. Ndërsa vrasja e Hasan Prishtinës duket të jetë më e komplikuar, ai kishte qenë dy herë organizator i vërtetuar i atentateve kundër Zogut, i pari në shtëpinë e Presidentit kur shpërtheu pa e vrarë atë, dhe së dyti në Vjenë ku ishte njohur fajtor edhe nga gjykata e atij vendi. Hasan Prishtina me 14 gusht 1933 u vra në rrugën Cimisqi të Selanikut nga Ibrahim Çela, një shqiptar nga Maqedonia. Ky deklaroi në gjyq se Hasan Prishtina i kishte kërkuar të shkonte në Shqipëri e të vriste Zogun. Avni Rrustemi, veprimtar i shquar, kryetar i shoqërisë “Bashkimi” ishte duke ecur me Hoxhë Kadriun, më 20 prill 1924, në rrugën e Bamit, kur një person që iu afrua nga mbrapa e qëlloi me revolver. Ky quhej Isuf Reçi, një shërbëtor i vjetër i Esat pashë Toptanit. Pas 48 orësh në spitalin civil të Tiranës Avni Rrustemi vdiq.

Mbështetësit e opozitës ngarkuan me përgjegjësi Ahmet Zogun për atentatin. Varrimi i Avni Rrustemit nisi më 28 prill 1924 nga Tirana,vijoi në Durrës e prej këtu në Vlorë ku do të prehej përfundimisht. Elez Isuf Ndreu, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e me atdhedashuri të fortë që nuk iu përul as forcës brutale dhe as arit të huaj, një nga veprimtarët më të shquar në Lëvizjen e Qershorit 1924 u vra nga zogistët në kazermat e Peshkopisë, më 26 dhjetor 1924 nga zogistët. Shote Galica pas vdekjes së të shoqit Azem Galica, në korrik 1924 vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor 1924 luftoi kundër forcave serbe e bjellogardiste të forcave të Ahmet Zogut, ku në masakrat që kryen ata humbi 22 anëtarë të familjes. Më 3 korrik 1927 Shote Galica u vendos në Shqipëri në Fushë-Kruje ku edhe vdiq e braktisur nga qeveria e Zogut. Ahmet Zogu nuk kursen as klerin shqiptar nga litari. Më 5 mars 1927 vari Dom Gjon Gazullin. Gjoni më 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë e në Austri. Ishte kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog. Shumë shpejt më 2 janar 1927 u dënua me vdekje dhe u var në litar më 5 mars 1927.