Fejton: Thoma Goga: Nga çmimet “Shpëtova” pensionin dhe tensionin…

107
Sigal

Nga defteri i Çeços / Ëndrra e pensionistëve: Të shkojnë tek një restorant “alla frenga”.  Plaka ime nuk e di se pensioni ynë nuk del as për te “qoftëria me thërrime”

Doni të dini si e fillova Vitin e Ri, mo? Ua rrëfej unë. Më hëngri veshët plaka ime e vetme. Kushedi sa herë më kishte thënë:

– Nuk më çove, që nuk më çove një herë në restorant “alla frenga”, o qyq. Ca burra çojnë gratë që marrin “hua”, kurse ti nuk më çon mua… Atë çast m’u ngrit tensioni që…ç’të të them. Plaka ime nuk e di se pensioni ynë nuk del as për te “qofteria me thërrime”… Nejse, u nisëm të marrim pensionin. U nisëm me qejf se këtë muaj kishim shumë pare. Na dha “qiveria” ca shtesa, sa u këput në tajare…Për plakën time, që nuk e kam marrë “hua”, në djall të vejë pensioni. Harrova tensionin dhe sa mora pensionin, kthyem në restorantin aty ngjitur. Pa vënë sumatriçen në karrike, erdhi kamerieri. Ishte një shul i gjatë. Flokët i ndrinin, sikur t’i kishte lyer me gjalpë dhie.

– Do haç apo do piç?- më tha. Plaka shqeu sytë.

– Ta lexojmë pak këtë defterin, që ju i thoni “meny”, – ja ktheva. – Jemi që jemi t’i hedhim një sy. Nga mënyra se si foli kamerieri dhe nga mënyra se si është shkruar kjo palo “meny”, kuptova dhe nivelin e shërbimit. Pa shkuar në faqen e fundit të saj, erdhi “shuli”.

– Hë, e kënduat apo jo?

– E kënduam, po ca gjëra nuk i marrim vesh. Ja, fjala vjen, ç’është kjo “pushkë në zgarë”. Nuk ka rrezik të shpërthejë?

– Qyqja, do na gjejë ndonjë hata, Çeço!- ulëriu plaka.

– Qetësohu, – tha “shuli”.- Është “peshk në zgarë”.

– Po kjo “kafshë në furrë”, shoqëruar me “gallatë jeshile”?

– Kemi “kofshë në furrë”, shoqëruar me “sallatë”, – sqaroi “shuli”.

– Si janë këto “pidhje me limon”?

– Kafsho gjuhën, malukat, – m’u hodh plaka.- E dashke dhe me limon…

– Duro e dëgjo, moj plakë. Ky defteri kështu lexon…

– Jo, jo, janë “midhje me limon”,- sqaroi kamerieri.

– Ç’do të thotë “kar-ka-lec i fërkuar”?

– Nuk e kupton, o mavri? Janë “karkaleca të fërguar”.

– Dakord, po mos e ndani me rrokje, se ta shpif.

– O vëlla, e kemi ndarë me thikë, jo me ashtu si thua ti…Provoje një herë zotrote, mbase të pëlqen.

– Jo, jo kështu nuk e ha kurrë…

– T’i haç vetë e t’i keç hallall,- ja ktheu plaka.

– Lexoj këtu “Koqe në tigan”, – vazhdova unë.

– Na e shpife Çeço. Ç’janë këto, mo?- ngriti zërin plaka.

– Peshk “koce” në tigan, o mavri,- tha “shuli”.

– Më fal se të lodha. Dhe një pyetje të fundit. Ç’është kjo “Vër e badhë – 800

lekë” dhe “Vër e zezë – 1000 lekë”?

– Kështu i themi verës,- sqaroi “shuli”. – Ti qënke i humburi dynjasë, nuk e ke provuar asnjë herë? Të zezat janë më të mira, ndaj është më shtrenjtë.

– Po pse është më e shtrenjtë?

– Do jetë si vër’ e sat’ tëme, rrufjani qenit, – i bërtiti plaka “shulit” dhe u ngrit.

– Më falni, keni bërë drejtshkrim ju?- pyeta unë.

– Në lokalin tonë nuk e kemi gatuar kurrë. E ç’është ky?…

– Edhe këtë ta haç vetë, e ta keç harram, – ulëriu plaka. – Çoju Çeço e shkojmë te oxhaku ynë! U ngritëm dhe ikëm. U vërvitëm te oxhaku ynë. Është "restoranti“ më i lirë. Bukë thekur me vaj e kripë… Ja kështu, që thoni ju. Atë ditë shpëtova edhe tensionin edhe pensionin…