Fakti i trishtë pse askush nuk e transmeton protestën (1.3 MLD €) të banorëve të Bërxullës

141
Sigal

Prej rreth 6 muajsh banorët e Bërxullës vijojnë luftën e tyre me qeverinë për të kërkuar të drejtën që i takon. Projekti i rrugës Thumanë-Kashar i dhënë me koncesion nga qeveria oligarkut Bashkim Ulaj përfshin një pjesë të madhe të tokave të banorëve të kësaj zone që shteti ka vendosur t’i shpronësojë, por me çmim referencë.

Nëse ndodh kështu, banorët do të marrin shifra qesharake, tërësisht jashtë realitetit për tokat e tyre. Ata pranojnë ta lirojnë tokën, por këmbëngulin nëpërmjet protestave që shteti dhe kompania Gener 2 të bien dakord që të shpërblehen me çmimin e tregut.

Prej shumë muajsh ata qëndrojnë me zemër në dorë duke ruajtur pronat e tyre se mos kompania nis punimet pa i dëmshpërblyer. Pasi protestuan për shumë muaj në tokat e tyre dhe nuk u dëgjuan nga askush, banorët e Bërxullës nuk e ndalin rezistencën e tyre.

Kërkesa e tyre është të negociojnë me qeverinë, por deri më tani askush nga ky institucion nuk e “ka vënë ujin në zjarr”. Derisa të ndodhë e kundërta, protestat do të vazhdojnë, ndërkohë që tashmë ata kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve të tjerë. Asnjë politikan nuk ka shkuar t’i përkrahë dhe asnjë media nuk i transmeton protestat e tyre pasi oligarku është person i pushtetshëm me lidhje të forta qeveritare.

Kemi parë që një numër i madh njerëzish të protestojnë në shtëpinë e BBV për Luiz Ejllin. Natyrisht kjo është e drejta e tyre, por nëse do të ishte e njëjta revoltë, ndoshta edhe më shumë për hallin e këtyre njerëzve të cilëve po u grabitet prona për “2 lekë” mbase Shqipëria do të ishte një vend më i mirë.

Protesta e banorëve të Bërxullës shtrihet vetëm 14 minuta nga shtëpia e “Big Brother”. Ata kanë kërcënuar se do të vetëflijohen nëse mos-reagimi nga ana e qeverisë vazhdon. Ulaj ka përfituar 1.3 MLD € për këtë koncesion, por banorët janë shprehur se për tokat e tyre do të derdhin gjak nëse nuk vlerësohen me çmim tregu./JOQ