Evdal NURI/ Farmacistët dhe mjekët, biznes në kurriz të pacientëve

613
Sigal

Korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e mjekëve tanë është e gjithanshme dhe tronditëse

Pa asnjë vizitë, pa asnjë analizë, vetëm duke të parë në sy të vënë diagnozën dhe të japin ilaçe nga më të shtrenjtat. Po kjo është e vërtetë! Natyrisht që është e drejta e farmacistit të shesë ilaçet, por ai nuk ka tagrin për të vendosur diagnozat për pacientë të ndryshëm që paraqiten në farmacinë e tij. Shqipëria, normalisht, që nuk mund të bëhet nga sot-nesër Amerikë, që për të marrë medikamentin me të lehtë të duhet të bësh analiza të gjata e të presh radhën e programuar për vizitë mjekësore. Tek ne, dyert dhe raftet e farmacive nuk janë hapur, por janë shqyer si të jenë dyqane apo pika shumice. Farmacistët kanë marrë kompetencat e mjekut dhe po na shesin ilaçet si të jenë karamele. Ajo që ndodh këtu, rallë ndodh në vendet e tjera.

Pa kryer asnjë vizitë, pa bërë asnjë analizë, vetëm duke u mbështetur në disa ankesa të të sëmurit, farmacisti guxon të japë ilaçe nga me të ndryshmet, duke filluar nga antibiotikët e duke përfunduar me medikamente që mund t’i rekomandojë vetëm specialisti.

Është edhe faji i vetë qytetarëve, të cilët nuk duan të kuptojnë se receta është përfundim i një procesi të gjatë që mjeku kryen. Ai pasi ka dëgjuar ankesat, ka kryer vizitën, ka bërë analizat, si përfundim ka mbushur recetën në përputhje me sëmundjen. Atëherë si është mundur që një farmacist arrin të kuptojë sëmundjen vetëm duke e parë të sëmurin me sy, ose akoma më keq duke dëgjuar përshkrimin e të afërmeve të tij. Farmacistët janë kthyer në tregtarë të kualifikuar, vetëm për të shitur ilaçe të shtrenjta. Fjala vjen për tensionin mjeku të rekomandon Analapril dhe Atenanol, që nuk kushton me tepër se 300(treqind ) lekë në muaj. Farmacisti të bën moral që këto nuk të bëjnë efekt, të bëjnë propagandë duke të rekomanduar që të zëvendësohen me Aprovel dhe Nebilet, të cilat kushtojnë 600 (gjashtëmijë) lekë. Por a është e mundur që një pensionist me 14 000 lekë në muaj të marrë 600 lekë vetëm ilaçe? Kjo është e pamundur!

Përfundimisht mjeku dhe farmacisti ia kanë “ bërë me hile” të sëmurit dhe po pasurohen mbi dhimbjen dhe vuajtjet e tij. Gjithçka mund të quhet ky trajtim, po vetëm humanizëm jo! Për arsye financiare shumë të sëmurë i bien shkurt, shkojnë në farmaci, paraqesin shqetësimet, japin lekët në dorë dhe mendojnë se do të shërohen. Mirë po ç’ndodh? Hallexhiu që e sheh farmacistin si “Perëndi” i shtyrë nga sëmundja dhe nga sorollatja që bëjnë mjekët, të cilët duan edhe ata pjesën e tyre, binden edhe e marrin ilaçin me bindjen se shpëtuan nga vizitat dhe analizat e panevojshme, që të marrin kohë edhe para. Të gjithë i dinë pasojat negative të kësaj praktike, por askush nuk i zbaton duke e lënë këtë problem jetik pa zgjidhje. Përfundimisht të sëmurit i vjen e keqja jo vetëm nga paaftësia dhe pakujdesia e mjekut në diagnostikimin e sëmundjes dhe trajtimin e saj, por dhe nga abuzimi i hapur i farmacistit për dhënien e ilaçeve me qëllim fitimin dhe jo shërimin.

Mjekëve dhe farmacistëve u mungon ndjenja e humanizmit, që aq bukur e ka formuluar Hipokrati, dhe ata kanë bërë betimin, por e kanë mësuar vetëm për të marrë diplomën.

Korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e mjekëve tanë është e gjithanshme dhe tronditëse. Shumë mjekë krijojnë edhe lidhje me farmacistët dhe gjatë vizitave japin rekomandime se ku duhet të blejnë ilaçet pacientët, pasi mjeku merr 10% të çmimit të recetës. Duhet të theksoj se, këto nuk duhen përgjithësuar, pasi ka mjekë me të vërtetë humanë.

Aktualisht ka shenja pozitive të një kthese nga qeveria e re, por të mos harrojmë që edhe qeveritë e mëparshme kanë bërë shumë premtime, por pak punë. Ndryshimet do të ndodhin me vështirësi pasi duhen thyer konceptet që janë rrënjosur prej dekadash e janë kthyer në norma morale. Kjo është gjendja e mjekësisë gjatë 23 viteve të një tranzicioni të gjatë. Se sa do të vazhdojë kjo praktikë e gabuar dhe si do të zgjidhet askush s’është në gjendje të përgjigjet.

Punonjësit e shëndetësisë kërkojnë që të mos preken nga reforma masive

Këshilli Kombëtar i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë, u mblodh së fundmi për të shqyrtuar punën e kësaj sindikate gjatë periudhës 1-vjeçare dhe nga analiza përkatëse, u arrit në konkluzionin se sindikata ka qenë shumë apatike dhe se duhet të fillojë reformimi e ndryshimi edhe i organizatës sindikale. Për këtë arsye u parashtruan disa kërkesa drejtuar ministrit të Shëndetësisë, të cilat vijojnë si më poshtë:

– Ministri i Shëndetësisë, duhet të nënshkruajë me patjetër Kontratën Kolektive të Parë me këtë sindikatë shëndetësie, e cila ka qenë kontraktuese që nga viti 1994 e deri në fund të këtij viti. Është sindikata më e madhe në vend, e cila ka aktualisht 56 mijë kontrata të nivelit të dytë, në fuqi deri në vitet 2014 dhe 2015.

– I pohon gjithashtu ministrit të Shëndetësisë që sindikata është gjithmonë në mbështetje të reformës në shëndetësi, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Por është sakaq, edhe në mbrojtje të interesave të punonjësve të shëndetësisë. Kështu, ajo kërkon që reforma të mos fokusohet në lëvizje e në prekje të tyre, dhe mendon se nëse do të ketë reformë, ajo duhet të reformohet në administratën burokratike të institucioneve shëndetësore, të cilat janë fryrë së tepërmi dhe duhet të fillojë një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore. Por nuk ka për mendimin tonë, punonjës të tepërt të sistemit shëndetësor, sepse ne jemi vendi që kemi më pak punonjës shëndetësorë për 1 mijë banorë.

– Ajo që i pohohet tjetër ministrit të Shëndetësisë është që kushtet e punonjësve të shëndetësisë lënë për të dëshiruar. Ata janë gjithmonë në kushte jo të mira pune dhe janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet apo rrezatimet si dhe probleme të tjera të mëdha, pikërisht për mungesë të kushteve mbrojtëse në punë.

– Përveç kësaj, i kërkohet ministrit të Shëndetësisë që të vlerësojë edhe çështjen e pagave të punonjësve shëndetësorë, të cilët edhe pse këtë vit me heqjen e taksimit për pagat e ulëta, kanë përfituar disi, sërish mbeten me pagat më të ulëtat në Europë.

– Gjithashtu, i pohojmë ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale që punonjësit e shëndetësisë të sektorit publik e privat (rreth 30 mijë punonjës), nuk kanë gjetur ende përfaqësimin e duhur në Këshillin Kombëtar të Punës. Ata përfaqësohen ndoshta nga disa sindikata fantazmë, persona të vetë emëruar, ose nepotikë.

Ja faktet skandaloze në spitale

Mungon ilaçi i Hepatit B

Mungesa e ilaçeve nëpër spitalet dhe farmacitë shqiptare po kthehet në një rreth vicioz. Ilaçi më i fundit që duket se nuk sigurohet dot nga spitalet tona është ai i Hepatit B. Hepatiti B është një nga infeksionet serioze më të zakonshme të mëlçisë. Ai shkaktohet nga virusi i hepatitit B(HBV), i cili sulmon mëlçinë. Mungesa e këtij ilaçi është përgjegjësi dyfish për autoritetet spitalore pasi Hepatiti B është një infeksion që të shumtën e rasteve merret nga mungesa e sterilitetit dhe kushtet skandaloze që kanë spitalet tona. Ky ilaç përveçse nuk sigurohet nga spitali dhe pacienti duhet ta sigurojë vetë, kushton edhe shumë për një ekonomi mesatare në Shqipëri. 30 kokrra prej këtij ilaçi kushtojnë 150 mijë lekë të vjetra. Histori personale të pacientëve që e vuajnë mungesën e këtij ilaçi janë të shumtë. Njëri prej tyre, i cili është shprehur për “Telegraf”, tregon odisenë që i është dashur të kalojë, dhe kalon aktualisht, në spitalet tona. Pas një operacioni të detyrueshëm dhe qëndrimit në spital ky pacient u diagnostifikua edhe me Hepatit B, infeksion i marrë prej kushteve që ishin në spitalin ku ishte shtruar. Pas këtij diagnostifikimi pacienti kishte fluturuar edhe jashtë vendit për t’u siguruar për këtë diagnozë, e cila ishte konfirmuar. Sot e kësaj dite ky pacienti “gëzon dhuratën” që mori nga spitalet shqiptare dhe vuan të luftojë këtë infeksion, për të cilin ilaçet një muaj garantohen dhe dy muaj jo.

Mungon eko në poliklinikë

Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet përgjegjëse të shëndetësisë duke lënë pas fjalët e mira për reformim në mjekësi, duhet të marrin hapa seriozë dhe realë drejt përmirësimit të kushteve nëpër spitalet shqiptare. Një problem tjetër që vuajnë spitalet tona është mungesa e aparateve të diagnostifikimit të sëmundjeve. Këtë mungesë po e vuan edhe Poliklinika e Specialiteteve tek Bërryli në Tiranë. Prej më shumë se 1 muaj e gjysmë në këtë poliklinikë pacientët po vuajnë mungesën e aparatit të ekos. Të gjithë ata që shkojnë aty për të bërë një eko të thjeshtë, kthehen direkt nga personeli mjekësor dhe drejtohen për tek subjektet private, si alternativën e vetme që kanë. Përveçse shteti nuk po i garanton pacientëve të saj as kushtet më minimale të shëndetësisë, ai po i shkund edhe xhepat duke i drejtuar tek çmimet e kripura të privatit. Hapa konkrete duhen ndërmarrë sa më shpejt në të mirë të pacientëve dhe njerëzve që kanë varur shpresat tek reformimi i shëndetësisë shqiptare.