Sigal

Jakup B. GJOÇA

Sot maxhoranca do të votojë ligjin që rrëzon Reformën në Drejtësi dhe i jep kompetenca emërimi KLD-së dhe Kryeprokurores. Opozita: Të huajt e vetingut si ofiçina e riparimit të mjeteve të ndërtimit

Kuvendi para një jave nuk votoi prejekt-ligjin “Për gjyqtarët dhe prokurorët”, sepse maxhoranca nuk mundi të sigurojë 84 vota. Opozita, PD dhe LSI nuk i dhanë votat, sepse ky projektligj, de fakto, rrëzon gjithë reformën në drejtësi, duke u rikthyer sërish tek ai sistem i drejtësisë i mëparshmi, ku Kryeprokurorja e Përkohshme dhe KLD-ja të kenë të kompetenca kushtetuese të emërojnë sërish gjyqtarë dhe prokurorë.

Maxhoranca kërkon të kapë gjithë sistemin e drejtësisë

Maxhoranca, deri tani nuk është e interesuar të ndërtojë institucionet e reja të drejtësisë, sikurse KLGJ, KLP, KED, SPAK, BKH, sepse, përpiqet, që në të gjitha këto institucione të përzgjedhë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, që i ka nën influencën e vet. Kështu, bëri maxhoranca, qëllimisht zvarriti afatet kushtetuese të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe, sa i mbaroi mandati kryeprokurorit Llalla, me një ligj, që ishte në kundërshtim me Reformën në Drejtësi dhe me Kushtetutën, emëroi Kryprokurore të Përkohshme me votat e maxhorancës, pa konsensusin e opozitës, e cila deri tani, vepron nën urdhrat e maxhorancës. Prandaj, maxhoranca, për të vepruar analog si me emërimin e kryeprokurores së Përkohshme, kërkon që kjo kryeprokurore, e cila nuk ka konsensusin e Opozitës, siç e kërkon domosdoshmërish edhe Kushtetuta, të bëjë emërime të prokurorëve, që këta të emëruar të saj, të plotësojnë vendet vakante në KLP, dhe në institucionet e tjera. Po kështu, edhe KLD-ja e cila tashmë është tërësisht nën influencën politike të maxhorancës, të bëjë emërime të gjyqtarëve. Pasi të jenë bërë këto emërime, atëherë, maxhoranca do të ketë të gjithë kandidatët e saj në të gjitha institucionet e reja të Drejtësisë, dhe kështu, do të ketë nën kontroll gjithë sistemin e drejtësisë dhe do të diktojë edhe vendimmarrjet e Gjyqësorit.

Taulant Balla, fajëson vetëm opozitën

Maxhoranca arriti që të votoheshin për anëtarë të Komisioneve të Vetingut, gjyqtarë që nuk kanë integritetin profesional, dhe me kompetencat kushtetuese që kanë, deri tani, në shumicën e rasteve kanë bërë gjykime më shumë propagandistike, selektive. Komisioni i Vetingut, më shumë se sa hetim, në disa raste domethënëse po kryen një lloj vlerësimi bazuar në perceptime publike, pavarësisht burimeve të pakufizuara që ka në dispozicion për të zbuluar prova të plota. Dy rastet më të fundit të verifikimit të gjyqtarit të Kushtetueses, Gani Dizdari dhe anëtarit të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, duken qartësisht se trupat e vetingut janë bazuar në informacionet mediatike, më shume se sa ato shkresore, gjatë rivlerësimit të tyre. Komisioni i Vetingut qartësisht po hedh në publik materiale propagandistike kundër gjyqtarëve, në pamundësi për të zbuluar të vërteta ligjore, të cilat mund të shërbejnë për shkarkimin e tyre nga detyra. Taulant Balla, me cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, dje bëri fajtore PD-në për zvarritjen e procesit të Vetingut, për shkak të çadrës që ngriti para zgjedhjeve, duke mos votuar ligjin e vetingut. Taulant Balla, duke deformuar të vërtetën, i kërkon opozitës që të votojë sot projektligjin, që rrëzon reformën në drejtësi me pretendimin se “Këtu bëhet fjalë për një detyrim të qartë të çdo force politike të përgjegjshme, që sikurse të gjithë bashkë kemi votuar paketën e reformës në drejtësi dy vite më parë, kështu na duhet edhe tani të rivendosim një afat”, duke bërë propagandë politike, dhe duke fshehur të vërtetën, që ky projektligj rrëzon pikërisht paketën e reformës në drejtësi. Përse Balla nuk kërkoi edhe konsensusin e opozitës për emërimin e kryeprokurores së Përkohshme? Si mund t’i besohet tani kësaj kryeprokuroreje, që të bëjë emërime, derisa kjo nuk e ka besimin e opozitës?