ERRU paralajmëron rritje të çmimit të ujit

205
Sigal

Vendimi i ri i Entit Rregullator të Ujit i hap rrugën shoqërive të ujsjellës-kanalizimeve që të rrisin çmimin e ujit, për të mbuluar vjedhjet, shpenzimet e luksit dhe punësimet në administratë. Qytetet e Korçës, Beratit, Lezhës,Tiranës, Pogradecit, Kukësit, Librazhdit, Matit etj. edhe pse morën 7 miliard lekë subvencione, pritet të rrisin përsëri çmimet

 

Më të prekur: Tiranë, Korçë, Berat-Kuçovë, Lezhë, Pogradec, Kukës, Librazhd, Mat, Ersekë dhe Tropojë

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve  në jo pak raste janë akuzuar për keqmenaxhim, ndërkohë që pavarësisht reformës të ndërmarrë para disa vitesh, nuk kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për t’u vetëfinancuar, duke vazhduar të jenë të variuar nga subvencionet  e qeverisë.

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar metodologjinë e re të përllogaritjes së tarifave të ujit, duke paralajmëruar edhe rritje të tyre në disa qytete. Vendimi i ri parashikon vendosjen e tarifave nën metodën “çmimi tavan”, që parashikon që nga pagesat e ujit, të mbulohen jo vetëm nevojat për të ardhura të shoqërisë, për mbulimin e kostove të operimit, por edhe mbulimin e kostove të investimeve që kryhen nga ujësjellësit.

Sipas Entit Rregullator të Ujit, metodologjia e re e vendosjes së tarifave ka si qëllim një rregullim me efektiv të sektorit me anë të tarifave të shërbimeve, si edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve. Kjo metodë synon përmirësimin në periudhën afatmesme të shërbimeve me një ndërlidhje efektive çmim (tarife) – cilësi të shërbimeve, duke nënkuptuar se kostot për rritjen e cilësisë duhet të paguhen nga qytetarët. Kjo formë përllogaritjeje e çmimit do të fillojë të aplikohet gradualisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht me shoqëritë, të cilat aktualisht mbulojnë mbi 100% të kostove  të operimit dhe mirëmbajtjes, me anë të tarifave.

Referuar raportit vjetor të fundit të ERRU-së, në këto shoqëri përfshihen: ujësjellësit në: Tiranë, Korçë, Berat-Kuçovë, Lezhë, Pogradec, Kukës, Librazhd, Mat, Ersekë dhe Tropojë. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve  në jo pak raste janë akuzuar për keqmeaxhim, ndërkohë që pavarësisht reformës të ndërmarrë para disa vitesh, nuk kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për t’u vetëfinancuar, duke vazhduar të jenë të variuar nga subvencionet  e qeverisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë vitit 2020, këto institucione morën në total 712.7 milion lekë subvencione apo 99% të buxhetit të planifikuar. Paralelisht, të dhënat në sector për ujin pa të ardhura, si dhe humbjet në rrjet janë tejet të larta.

Konkretisht ERRU ka sqaruar shoqëritë UK deri tani në aplikimin e tyre për tarifa pranë tij kanë synuar kryesisht mbulimin deri në 100% të kostove të operim mirëmbajtjes.

“Një numër mjaft i vogël shoqërish kanë synuar që të mbulojnë me tarifa edhe një përqindje të kostove totale ku përfshihen edhe kostot e amortizimit, të interesave dhe të pricipalit të huave apo kredive të financuara nga donantorët e huaj. Janë pothuajse të përjashtuara rastet kur shoqëritë kanë aplikuar pranë ERRU-së që me tarifat e shërbimeve të mbulojnë në të ardhmen edhe nevojat e planifikuara për investime fizike. Ky është faktori kryesor që ERRU në vendosjen e tarifave ka aplikuar metodën “Kosto Plus” me periudhë rregullatore 1 vjeçare” thuhet në shpjegimin e Entit për metodologjinë.

Enti ka pranuar se gjendja aktuale dhe nevoja e përmirësimit të performancës së sektorit kërkon një konceptim më të avancuar të metodologjisë së vendosjes së tarifave nga ERRU. Por ndër reshta shihet qartë se nevoja e lartë për investime në sektor nuk do të mund të mbulohet vetëm me mbështetjen e buxhetit, donatorëve apo tarifave aktuale ndaj rritja e tyre është e pashmangshme.

“Metodologjia e avancuar e “Çmimit Tavan” si pjesë e kësaj metodologjie kërkon domosdoshmërisht që shoqëria të ketë një Plan Biznesi 5 vjeçar që synon përmbushjen e kërkesave të mësipërme për sektorin e UK, si dhe të kushteve që përmbajnë Direktivat Evropiane për ujin e pijshëm dhe për ujërat e ndotura.

Duke pasur parasysh gjendjen dhe specifikat e sektorit e të shoqërive UK, që operojnë në të, metodologjia e rishikuar e vendosjes së tarifave supozon ende edhe përdorimin e metodologjisë së mëparshme “Kosto Plus” për shoqëritë, që ende nuk propozojnë të mbulojnë mbi 100% të kostove O&M. Për shoqëritë e tjera do të përdoret metodologjia e re e “Çmimit Tavan”, e cila domosdoshmërisht është e bazuar në një Plan Biznesi 5 vjeçar të shoqërisë UK” vlerëson Enti.

Kostot kapitale llogariten vetëm për tarifën volumetrike të shërbimit të rregulluar kur shoqëria mbulon mbi 100% kostot e pranuara operacionale, por të dhënat për këto kosto do të raportohen në çdo aplikim. Shoqëria mund të propozojë nivel më të ulët të të ardhurave nga tarifa volumetrike se sa të ardhurat e nevojshme të llogaritura për mbulimin 100% të kostove kur kjo : justifikohet bazuar në kriteret e vendosjes së tarifave që përdor ERRU në këtë metodologji” ,-thuhet në metodologji sipas Monitor.