“Erdhi Rama në Athinë na mbylli ambasadën”/ Tensionohen qytetarët pas mbylljes së ambasadës shqiptare

45

Një punonjës i ambasadës shqiptare në Athinë rezultoi i prekur me Covid-19, duke bërë që ky institucion të mbyllë dyer.

Kjo ka shkaktuar tensione të qytetarët, të cilën prisnin para ambasadës për të marrë shërbimet e nevojshme. Në një video të publikuar nga gazetari që jeton dhe punon në Greqi, Shpëtim Zinxhiria, duket qartë tensioni mes qytetarëve.

“Sot na erdhi Edi Rama në Athinë, na mbylli ambasadën”, thotë një qytetare.

Ndërkohë, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, njofton të gjithë qytetarët për mbylljen e ambienteve të Ambasadës në kushtet e marrjes së informacionit në orët e vona të ditës së djeshme për infektimin e një specialisti të Ambasadës, i cili pas kryerjes së testimit përkatës rezultoi pozitiv ndaj Covid-19, duke u detyruar kështu të ndërmarrin masa urgjente dhe ekstreme.

Gjithashtu, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë sistemi ka pësuar një defekt teknik, të cilin po zgjidhet dhe ndërkohë janë marrë masa të menjëhershme për dezinfektimin e të gjitha ambienteve të saj. Për sa më lart, Ambasada e Republikës së Shqipërisë mbetet në pritje të të gjithë rezultateve të testimeve të kryera për Covid-19, të cilave konsujt dhe punonjësit e saj i janë nënshtruar, për t’ju rikthyer shërbimit sa më shpejt dhe të sigurt.

Brenda pasdites së sotme të gjithë qytetarët do të njoftohen nëse Ambasada do të vijojë të qëndrojë e mbyllur edhe ditën e nesërme, apo do t’i rikthehet punës pa ndalur, edhe përtej orarit, si zakonisht.

Ambasada i bën thirrje qytetarëve të mos paraqiten pranë ambienteve të saj dhe të respektojnë këtë njoftim duke mbrojtur në këtë mënyrë veten dhe të afërmit. Takimi i gjithsecilit do të spostohet në momentin më të afërt dhe të sigurt.