EMRI/ Arrestohet shefi i stërvitjes së RENEA-s, ja çfarë ju gjet në makinë

138
Sigal

Një efektiv i forcave speciale RENEA është vënë në pranga nga policia, pasi në një makinë luksoze me të cilën ai udhëtonte janë gjetur një shumë e madhe parash.

Efektivi i RENEA-s, Altin Morina është prangosur gjatë mesditës së sotme dhe akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Finalizohet nga Forca e Posaçme ‘Shqiponja’ operacioni policor i koduar ‘Fast’, falë inteligjencës informative.

Vihet në pranga për pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje e të ardhurave dhe shpërdorim detyre një 43-vjeçar, punonjës policie në Repartin Renea.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale shuma të madhe në euro, paund e lekë shqiptare.

Mesditën e sotme, falë inteligjencës informative se një shtetas (punonjës police), qarkullonte me automjet tip ‘Audi’ dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash, menjëherë shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Fast’.

Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar së bashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special Renea.

Gjatë kontrollit dhe kryerjes së automjetit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund.

Nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për vepra penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘Fshehja e të ardhurave’  dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.