Elbasan/Rama “promovon” Mimin dhe “thumbon” ish-ministrin Beqja, për ndërtimet pa leje në mjediset e spitalit

618
Nga Lindita MALO
Nis “stuhia” e fushatës elektorale, udhëheqësit dhe klanet e “Rilindjes” presin me ankth hartimin dhe publikimin e listës së kandidatëve
Kryeministri duket se kishte vendosur t’i impononte edhe Taulant Ballës, gjithçka lidhur me Mimin e Mbrojtjes, aq sa në një moment ai u shpreh se “Mimi javën tjetër nis fushatën bashkë me ju në Elbasan”, porosi e cila mori “OK” të menjëhershëm dhe gjithë përulësi nga Balla. 
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ndodhur gjatë një vizite të (pa) njoftuar në qytetin e Elbasanit, për të vizituar qendrën e re të Hemodializës në spitalin “Xhaferr Kongoli”, është shprehur i pakënaqur nga ndërtimet pa leje dhe vendimeve absurde të gjykatave, të cilat nuk kanë lejuar ndërtimin e një muri rrethues që do të ndante ambientet e spitalit nga banesat e ndërtuara aty përreth. Kryeministri u shpreh se “këto do të marrin fund me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi, e cila do të spastrojë njëherë e mirë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit”. Në fjalën e tij kryeministri , (ndoshta edhe si padashje) ka thumbuar edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja kur deklaroi se “shembja e gjithë objekteve pa leje në oborrin e Spitalit Rajonal të Elbasanit, e këtyre farmacive e klinikave private që janë pjesë e rrjetit korruptiv, do të shkëpusë përgjithmonë zinxhirin e ndryshkur që po pengon investimet në Elbasan”. Kryeministri Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, deputetët Taulant Balla, Mimi Kodheli, Evis Kushi dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini ka vizituar qendrën e re të Hemodializës në Elbasan. Investimi i kryer nga qeveria kap vlerën e disa miliona eurove dhe u vjen në ndihmë të gjithë atyre pacientëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar. Aktualisht trajtohen 91 pacientë, të cilët prej një muaji e marrin trajtimin e specializuar në spitalin e Elbasanit. Por vizita e kryeministrit Rama në Elbasan, duket se kishte edhe një tjetër specifikë, atë të promovimit të Mimit të Mbrojtjes e cila thuhet se “kryeson listën e kandidatëve për deputet të qarkut Elbasan”. Madje gjatë vizitës së tij kryeministri nuk ka pranuar të ketë pranë edhe mediat e tjera veç ERTV, e cila ka transmetuar live gjithë takimet e tij, nga Spitali Rajonal ku inauguroi Repartin e Dializës, e deri tek dreka në një familje fermeri, ku nuk la pa shijuar “domaten dhe specin djegës me gjizë të Shushicës”. Promovimi i Mimit të Mbrojtjes ka ardhur pas kontestimeve që dega lokale, kryesia dhe deputetët aktualë i bënë emrit të saj, që është vendosur në krye të listës, nga Rama. Kryeministri duket se kishte vendosur t’i impononte edhe Taulant Ballës, gjithçka lidhur me Mimin e Mbrojtjes, aq sa në një moment ai u shpreh se “Mimi javën tjetër nis fushatën bashkë me ju në Elbasan”, porosi e cila mori “OK” të menjëhershme nga Balla. Por kryeministri gjatë vizitës së tij në Elbasan, nuk ka munguar të shkojë edhe në Cërrik, atje ku ndikimi socialist është pothuajse zero, pasi LSI ka bazën e saj të fuqishme. Rama ka “inauguruar” në Cërrik shëtitoren në qendër të qytetit, duke deklaruar se “investimet e qeverisë nuk do të mungojnë për qytetin tuaj edhe në 4 vitet e ardhshme”. Rama u ndal edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Pasi kryeministri është njohur nga afër me këtë impiant, për të pranishmit është shfaqur një dokumentar, i cili solli në vëmendje të gjithë rrugën e gjatë të kthimit në landfillin modern. I pranishëm ishte edhe kreu Ministrisë Mjedisit Lefter Koka, i cili ka vlerësuar këtë investim të thithur nga dikasteri tij për qytetin e Elbasanit. Zoti Koka deklaroi se “Elbasani tashmë e tutje, falë këtij landfilli kaq modern, do të jetë më i pastër, pasi ne investuam aq sa nuk u investuan në 25 vite të marra bashkë, duke eliminuar fushën e dikurshme të plehrave të Elbasanit që ishte kthyer në plagë të tmerrshme për ajrin, banorët, bimësinë dhe gjithçka tjetër, duke sjellë sot një tjetër realitet. Në 4 vjet ne tjetërsuam mjedisin në shkallë vendi, morëm në ruajtje florën dhe faunën, e cila po shkatërrohej nga dora vrastare e njeriut dhe me mbështetjen e ndonjë ish-ministri apo pushtetari. Ne sot ndjehemi krenarë për atë çfarë kemi bërë për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë në fushën e mjedisit”- deklaroi zoti Koka. 
Sigal