Ekonomia në situatë të vështirë – Qeveria nuk duhet të vonojë stimujt

639
Sigal

EDITORIAL MONITOR 922 / Shqipëria nuk ka ende kompani të listuara në bursë apo një treg të zhvilluar  kapitalesh, ku të matet në çdo moment pulsi i kapitalit, investitorëve e sipërmarrësve dhe që do të reflektonte për të gjithë shoqërinë, ndikimin ekonomik të një ngjarje apo fenomeni në një vend tipik të ekonomisë së tregut të lirë.

Por, kjo nuk do të thotë se fenomeni i shfaqur për shkak të koronavirusit nuk ka ndikim në ekonominë tonë. Ndalimi i qarkullimit në vend, një masë e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e një armiku tinëzar dhe të padukshëm, ka paralizuar aktivitetin ekonomik në vend, duke prodhuar një situatë që, nëse vazhdon gjatë, mund të ketë pasoja katastrofike për sipërmarrjet, por edhe për individët. Ekonomia e vendit tonë po hyn në një territor të paeksploruar më parë.

Të ardhurat e munguara, që vijnë nga pezullimi i aktivitetit ekonomik dhe prishja e zinxhirit në shumë sektorë, – nëse llogaritet që rënia e qarkullimit vjetor në ekonomi të reduktohet me të paktën 50%, vlerësohet të jenë rreth 25 milionë euro në ditë (bazuar në raportimet e xhiros vjetore të bizneseve).

Nëse situata vazhdon e tillë për të paktën një muaj, humbjet do të llogariteshin në gati 700 milionë euro, ose rreth 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse vazhdon më gjatë, në një ekonomi pak produktive, të varur nga vetëpunësimi dhe që bazohet mbi aktivitetin e thjeshtë tregtar dhe të shërbimeve, pasojat do të ishin të pallogaritshme. Mjafton të përmendim se 44% e shifrës së afarizmit në vend vjen nga tregtia dhe rreth 15% nga shërbimet, që janë direkt të goditura (përveç pjesës së ushqimeve që ka shënuar rritje, si rrjedhojë e panikut të krijuar dhe kërkesës për t’u vetizoluar).

Kjo goditje vjen pas tërmetit të 26 nëntorit, që preku rëndë zemrën ekonomike të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit, dy qytete që kontribuojnë në rreth gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Turizmi, që ishte më i dëmtuari nga tërmeti, tashmë mori goditjen e radhës me anulimin e prenotimeve, të paktën për periudhën mars-maj, sipas operatorëve.

Në këtë situatë, vetë biznesi do ta ketë tepër të vështirë të rimëkëmbet pa ndihmë. Për më tepër që ekonomia shqiptare ka dhe karakteristikën e nivelit të lartë të vetëpunësimit, me rreth 35% të totalit, që nuk kanë se ku ta shkarkojnë humbjen.

Italia dhe vendet e tjera të Europës po hartojnë paketa masash të jashtëzakonshme. Italia, si më e goditura deri tani, që në javën e parë pezulloi pagesat e sigurimeve shoqërore në industrinë e turizmit për të gjithë vendin, teksa ky sektor rezultoi më i prekuri. Për të vetëpunësuarit që mbyllin aktivitetin, Italia do të japë 500 euro në muaj. Për marsin janë pezulluar dhe pagesat e TVSH-së. Masat pritet të shtrihen në të gjithë shtetet e BE-së. Komisioni Europian ka pezulluar Paktin e Stabilitetit, në mënyrë që shtetet të shpenzojnë për të përballuar rrethanat e jashtëzakonshme të shkaktuara nga epidemia e koronavirusit, duke pasur “bekimin” e Komisionit nëse tejkalojnë kufijtë e deficiteve buxhetore.

Për vitin 2020, të gjitha vendet anëtare do të jenë në gjendje të shpenzojnë “gjithçka që do të nevojitet” për shërbime shëndetësore, mbështetje për bizneset dhe veçanërisht bizneset e vogla e të mesme, në sektorët që do të preken më së shumti nga recesioni ekonomik, i shkaktuar nga një krizë shëndetësore. Edhe bankat qendrore kudo në botë kanë ndërmarrë një sërë masash stimuluese për të luftuar pasojat ekonomike, që po vijnë nga përhapja e koronavirusit.

Shqipëria është ende në fazën e emergjencës shëndetësore, por pasojat në ekonomi nuk do të vonojnë, ato do të godasin e do të ndihen fort. Bizneset kanë filluar të parashtrojnë kërkesat e tyre, si shtyrje të afatit të dorëzimit të pasqyrave, pezullim të pagesave fiskale, rimbursim të dëmeve, pezullim të aktiviteteve të mbyllura nga koronavirusi (në mënyrë që të mos paguajnë taksat) etj. Deri tani, e vetmja masë e miratuar, është ajo për mundësinë e pezullimit të pagesave të kredive për tre muaj, që do të ishte në kosto të bankave të nivelit të dytë. Por kjo pa një mbështetje të premtuar nga Banka Qendrore rrezikon të jetë gjysmake.

Është e sigurt që biznesi nuk do të mund t’ia dalë i vetëm. Është e pashmangshme që kjo kosto do të duhet të përballohet edhe nga buxheti dhe për këtë duhet të fillohet të mendohet që tani. Një rishikim i buxhetit, që do të orientonte burimet e lira në drejtim të përballimit të situatës dhe plotësimit të një pjese të kërkesave të bizneseve, do të ishte i domosdoshëm. Duke ndjekur shembullin e shteteve të Europës, ekonomia shqiptare nuk mund të lihet e vetme të shërohet nga ky virus, përndryshe do të rrezikonte të kalonte në kolaps.

Edhe një fjalë të fundit për të gjithë politikëbërësit në Shqipëri. Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar nga faktorë jopolitikë na gjen në Shqipëri me një situatë dramatike për sa i përket komunikimit mes institucioneve vendimmarrëse. Parlamenti gjysmak, ku mungesa e Opozitës reale i ul totalisht vlerën e mundësinë e imponimit.

Qeveria, që në vend të një organi kolegjial ku dëgjohen edhe zërat e individëve të përgjegjshëm, i ka lënë vendin dhe planin e parë Solistit që bën one man show, por jo me vendime, por shumë më tepër me media sociale. Presidenti, i cili as që duket se komunikon me Qeverinë, në kushtet kur ende ka një komision mazhorance që ende nuk thotë se ka ndërprerë punën për shkarkimin e tij, nuk duket t’i shkojë as ndër mend të thërrasë Këshill Sigurimi Kombëtar.

Dramaticiteti i situatës ku ndodhemi, veçanërisht kur nuk do të mund të shpresonim shumë nga jashtë sa kohë edhe miqtë e tjerë nëpër botë ndodhen pothuaj në këto kushte, kërkon një kërcim në nivelin e perceptimit të detyrimeve të secilit aktor përpara shoqërisë, por edhe kombit, se ajo që po luhet tejkalon interesat e ngushta të një grupimi apo shoqërie, por rrezikon të lërë një damkë për kombin tonë.