Edhe në festimin e Kurban Bajramit, liderët politikë shkëmbejnë replika

476
Sigal

Basha: “Xhamia nisi punimet, por vendimi i qeverisë i ndaloi”

Rama:“Nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat”

Kryetari i PD-së, njëherazi kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha,  uroi dje  besimtarët myslimanë, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Urimin e tij për çdo shqiptar, pavarësisht nëse jeton brenda apo jashtë kufijve administrativë, zoti Basha e përcolli nga selia e Komunitetit Mysliman. Zoti Basha kujtoi se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, ato që e bëjnë shoqërinë të ecë përpara.  “Çdo besimtari mysliman shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e Preshevës, shqiptarëve që jetojnë kudo në botë, dua t’u uroj: “Gëzuar Kurban Bajramin”! Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare dhe po kështu shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush, familjet tuaja dhe  për çdo shqiptar! Kjo është një ditë kur kremtohet dashuria për Zotin dhe dashuria për njeri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten. “Zoti na ka bërë sprovë për njeri-tjetrin”- thotë Libri i Shenjtë, ndaj si kjo ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, për të bërë diçka të mirë, për njeri-tjetrin, për familjen, për shoqërinë, ato që e bëjnë shoqërinë të ecë përpara dhe që u falin lumturi, prindërve, fëmijëve dhe mbarë qytetarëve. Dua të falënderoj me këtë rast, të gjithë besimtarët, imamët dhe Klerin, të cilët bënë të mundur kremtimin e kësaj dite edhe sot, ndonëse në kushte jo  optimale dhe shpresoj me ndihmën e Zotit, në vitet e ardhshme, çdo sprovë e mbetur, të tejkalohet me sukses!”  Duke iu përgjigjur interesimit të medias, lidhur me projektin e Xhamisë së madhe, ndërtimi i së cilës u ndërpre vetëm pak ditë para kremtimit të Kurban Bajramit,  zoti Basha ka uruar që qeveria dhe Komuniteti Mysliman të arrijnë të shndërrojnë në realitet ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës, i lënë në harresë për dekada me radhë. “Pa dyshim, ka qenë një sprovë e madhe, një sprovë të cilën Bashkia e Tiranës, pas dekadash harrese e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet. Siç e dini, pas kësaj ka pasur një vendim i cili ka ndaluar punimet. Tashmë, çështja është midis Komunitetit Mysliman dhe qeverisë dhe unë uroj me gjithë zemër që projekti i Xhamisë të ecë përpara” – theksoi z. Basha, duke uruar  që së shpejti të inaugurohet edhe tempulli i tyre, kryeqendra botërore e bektashizmit.  “Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, sot dua t’i drejtoj një thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave të këtij komuniteti të cilët përfaqësojnë pa dyshim një ndër virtytet më unike të kombit tonë, atë të tolerancës e gjithëpërfshirjes dhe t’i uroj “Gëzuar festën e Kurban Bajramit!”, t’u uroj dhe shpresoj sa më shpejt të inaugurojmë edhe tempullin e tyre, kryeqendrën botërore të bektashizmit. Uroj që kjo festë, bashkë me lajmet e mira, të vazhdojë të rrezatojë dritë dhe mirësi, jo vetëm mbi pjesëtarët e këtij komuniteti të madh dhe të shtrirë anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare por mbi çdo shqiptar të çdo besimi fetar, mbi çdo shqiptar, krijesë dhe besimtari të Zotit!”

Rama:Sigurova Komunitetin se nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat

Por këtij qëndrimi i ka ardhur pas dhe argumenti i Kryeministri, Edi Rama. Pas urimit për besimtarët myslimanë, Rama shprehu qartë se tashmë qeveria është e vendosur të respektojë vendimin e KKT.  “Ishte kënaqësi që për herë të parë si Kryeministër erdha këtu dhe urova “Gëzuar!” në këtë ditë kaq të shënuar, mikun tim Selim Muça, si dhe të gjithë përfaqësuesit e lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe një herë që nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat. Nga ana tjetër, familjarisht do të jemi edhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli, ku jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet. Pikë referimi e munguar për besimtarët myslimanë, pikë referimi që me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar edhe arkitektonike, edhe urbanistike, një zonë të qytetit, ku sigurisht do të shtohet një xhami, por me ndryshimin e bërë nuk do të humbasë i gjithë parku.” Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë edhe në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku në një prononcim për mediat u shpreh: “Jemi një vend i pasur edhe për faktin se kemi Komunitetin Bektashi, ku është gjithmonë një kënaqësi e qetë që të vish të takohesh, të urosh dhe të marrësh rrezatimin e të gjithë qetësisë së këtij komuniteti përmes përfaqësuesve të vetë të nderuar. Kështu që edhe një herë; Gëzuar këtë ditë kaq të shënuar dhe kaq të posaçme, veçanërisht për të gjithë besimtarët myslimanë, por që është një ditë e posaçme për të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që njësoj si unë, edhe ju të gjithë merrni urime nga të katër anët, pa dallim përkatësie fetare.”