E majtë apo e djathtë? Meta për Partinë e Lirisë: Është patriotike, nuk do të bojkotojmë zgjedhje

“Partia e Lirisë është patriotike që do të ndezë shpresën”.

Kështu deklaroi Ilir Meta, një ditë pasi mori drejtimin e partisë së re, teksa LSI ndryshoi emrin.

NOA

I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp, nëse Partia e Lirisë është e majtë apo e djathtë, Meta nuk zbuloi një ideologji të qartë të subjektit të ri politik, por theksoi se është patriotike dhe gjithëpërfshirëse.

“Partia e Lirisë, është liria. Sovraniteti është i majtë apo i djathtë? Është gjithëpërfshirëse. Këtu jemi në një moment ku nuk kemi të bëjmë me të majtë apo të djathë. PS është e majtë? Partia e Lirisë është patriotike që do të ndezë shpresën”, deklaroi Meta.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore, Meta tha se nuk do të bojkotojnë asnjë lloj procesi jo vetëm zgjedhor.

“Partia e Lirisë për aq kohë sa do të jem lider i saj nuk do të bojkotojë asgjë në këtë vend, as seanca plenare, aq më tepër për të bojkotuar zgjedhjet. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është një dezertor, kapitullues, i blerë, si ai që digjte mandatet ose është me probleme.

Unë nuk jam naiv që të pres demokraci daneze në Shqipëri. Partia e Lirisë është e vendosur të marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet dhe është e bindur në një triumf të madh”, deklaroi Meta.