Dyshohet se ndihmoi ‘bosin’ turk të kriptomonedhave të arratisej, arrestohet Edevaldo Haxhi

218
Sigal

Kapet nga policia 36-vjeçari Edevaldo Haxhi, i dyshuar se ndihmoi arratisjen e turkut Faruk Fatih Ozer, themelues i kompanisë së kriptomonedhave Thodex i kërkuar për mashtrim kompjuterik.

Burime nga policia bënë me dije se Haxhi është shoqëruar pak para mesnatës, nga krimi kibernetik i Policisë së Shtetit. Ai po merret në pyetje në lidhje me të dhënat që ka për vendndodhjen dhe aktivitetin e paligjshëm të turkut Faruk Ozer.

Mësohet se 36-vjeçari po mbahet ende i shoqëruar dhe pritet t’i komunikohet arresti. Ndërkohë ai ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk e njihte Fatih Ozerin.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti.

27-vjeçari Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike “thodex” që kap vlerën rreth 2 miliardë dollar.

Mediat turke shkruajnë se Haxhiu ndihmoi turkun Ozer të strehohej dhe nga aeroporti e çoi në hotel.