Dyshohet se goditi futbollistin e Partizanit me shishe, teksa festonte për golin e shënuar, shpallet në kërkim 47-vjeçari

114
Sigal

Një 47-vjeçar dyshohet se është autori, i cili ka dhunuar me shishe me ujë të ngrirë futbollistin e Partizanit.

Policia e ka shpallur në kërkim dhe ka ngritur ndaj tij akuzën “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”.

Tedi Cara ishte protagonist në minutën e 14-të me një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, por e shijoi vetëm për pak sekonda, sepse në momentin kur po shkonte të festonte te pankina, u godit nga një shishe dhe u gjakos.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”,  ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij.