Dyshohen se thyen kabinën në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës, policia arreston një 33-vjeçar dhe shpall në kërkim një tjetër

100
Sigal

Policia e Divjakës vuri në pranga një 33 vjeçar dhe shpalli në kërkim një tjetër, protestues të cilët akuzohen se kanë thyer kabinën në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës gjatë tubimit të të premtes.

Dhjetëra banorë të Divjakës kanë protestuar sërish edhe dje për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Turizmit që vendos një tra me pagesë për të hyrë në parkun natyror që përfshin plazhin dhe Lagunën e Karavastasë.

Ata u përplasën me policinë dhe thyen kabinën e vendosur në shenjë revolte.

Njoftimi nga Policia Divjakë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 33 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi S. K., 40 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, pasi gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, në Divjakë, kanë kryer veprime të dhunshme dhe si pasojë kanë thyer kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. Sh., J. M., N. Gj., D. P. dhe L. Gj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Ndërsa protesta e banorëve të Divjakës kundër traut vijon, Policia lokale ka proceduar penalisht kryetarin e Partisë Demokratike atje, Eduart Sharka, si dhe katër banorë që janë angazhuar në protestë prej dy ditësh.

Midis personave të proceduar është edhe një 71-vjeçar.

Policia i akuzon ata se nuk i janë bindur thirrjeve të forcave të rendit. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. Sh., 64 vjeç, J. M., 46 vjeç, N. Gj., 71 vjeç, D. P., 29 vjeç dhe L. Gj., 64 vjeç.

Këta shtetas, ditën e djeshme, kanë organizuar një protestë në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës dhe nuk u janë bindur thirrjeve të punonjësve të Policisë, për të zhbllokuar rrugën, me qëllim normalizimin e lëvizjes në këtë zonë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme”, sqaroi Policia.