Durrësi shndërrohet në “kosh plehrash”, banorët të shqetësuar: Koronën e kemi në shesh

568
Sigal

Qyteti i Durrësit është pushtuar nga mbeturinat. Nga pamjet duket qartë që koshat janë të tejmbushur dhe të papastruar.

Përgjatë gjithë qytetit situata është e njëjtë. Nëpër kosha nuk ka më vend, plehrat po zaptojnë trotuaret dhe rrugët, ndërsa era e keqe është përhapur gjithandej. Banorët e shqetësuar tregojnë se kjo situatë vazhdon prej afro 1 jave.

“Skandal është dhe nuk është vetëm këtu është në gjithë Durrësin. Kam një javë e më shumë që i shoh këtu. Po na vijnë tek kafja. Po na hyjnë brenda në shtëpi”, thonë disa prej banorëve.

Në këtë kohë pandemie kur higjiena duhet të jetë maksimale Durrësi po qelbet nga era e keqe, dhe banorë kanë frikë se mos sëmuren.

“Ja ku e kam shtëpinë vijnë mikrobet, mizat vjen erë e keqe epidemia është. Kryeministri thotë rujuni nga korona, po ja ku e kemi koronën në shesh”, thonë ata.

Po pse ky qytet që është duke pritur turistët është në këtë gjendje kaq katastrofike?

Kjo situatë është krijuar pas mbylljes së vend depozitimeve në Porto Romano. Bashkia e Durrësit pret një fond shtesë nga Ministria e Financave.

Drejtuesit e Bashkisë së Durrësit thonë se kanë arritur një marrëveshje provizore me impiantin e përpunimit në Sharrë, që mbetjet do të depozitohen aty deri sa të gjendet një zgjidhje tjetër.

Nisja e punimeve për Parkun e fëmijëve në Porto Romano duhet të mendohej nga strukturat të qeverisjes qendrore përpara se kjo që po ndodh në Durrës është e paprecedent.