Ditën që morëm lajmin se Vaçe Zela kish vdekur në Bazel të Zvicrës, gruaja ime, do më tregoi një ngjarje interesante, që nuk ma kish treguar më parë. Në pranverën e vitit 1958, ajo ish dërguar nga Vlora në Tiranë në një kurs disa muajsh për t’u përgatitur si udhëheqëse pionierësh. Në këtë kurs, për të njëjtin qëllim, kish ardhur nga Lushnja, edhe Vaçe Zela.
Dhe gruaja tregon: “Rastisi që në ditën e parë të na vinin për të fjetur bashkë me Vaçen, në një krevat marinarësh. Unë isha tri muajshe shtatzanë me fëmijën tim të parë. Dhe, për t’u ruajtur, flija poshtë, ndërsa në katin e lartë të krevatit, flinte Vaçja. Që në fillim më ra në sy se ajo ishte një vajzë e shkathët, gazmore e shumë e dashur. Po ishte edhe çapkëne, me vete mbante një kitarë, që nuk e hiqte nga dora… Gjithë ditën ne mësonim, në teori dhe praktikë në Pallatin e Pionierit të Tiranës. Mësonim se ç’duhet të dinim për t’u bërë udhëheqëse të mira pionierësh. Po mbasditet e mbrëmjet i kishim të lira. Dhe Vaçja e thjeshtë, komunikuese dhe e dashur, si rrallë të tjerat, na kish hyrë në zëmër. Po në zëmër e në shpirt na kishin hyrë edhe këngët e saj. Dhe ne çuditeshim, ku paska qenë ajo, vajza artiste nga Lushnja, që nuk e kishim njohur më parë? Duhet të ketë qenë atëherë 18-19 vjeçe. I binte kitarës dhe këndonte aq bukur, sa që na pëlqente të rrinim edhe pa fjetur, veç ta dëgjonim… Ishim me fat që fjetorja e konviktit ndodhej e vetmuar, larg banesave të tjera. Dhe kënga e Vaçes, që jehonte, nuk shqetësonte njeri. Megjithatë, krevati ynë gjendej pranë dritares me vështrim nga rruga, ku grumbulloheshin shumë njerëz, veçanërisht të rinj. Vaçja, ulur lartë mbi krevat, këndonte me kitarë, e poshtë në rrugë të rinjtë që thërrisnin: “Edhe një këngë, edhe një”… Dhe çdo mbrëmje e njëjta pamje; Vaçja jepte koncerte, ne të entuziazmuara duartrokisnim, e njerëzit në rrugë, pas heshtjeve solemne, përsëritnin të gëzuar: “Biz”. Ishim nja 20 vajza të reja dhe këngët aq të bukura të Vaçes, prej të cilave edhe disa spanjolle, i kërkonim, se na pëlqenin. Po një nga shoqet tona, një natë i tha: “Të lutem, mos e ngreh shumë zërin, se po u ankua njeri te drejtorja, na piu e zeza”… Ndërsa Vaçja buzëgas, si gjithmonë, do t’i përgjigjej :“Po ne, moj motër, nuk rrahim as shajmë njeri, ne këndojmë..”..Fjalët e Vaçes i mbuluam me duartrokitje, ndërsa ajo do të niste këngën : “Në një arë, në një o moj, lëndinë./ Trëndelinë, o moj, trëndelinë”……:…
Të them të drejtën, mua edhe pse më pëlqente ta gdhinim natën me këngë, edhe shqetësohesha. Kisha një fëmijë tre muajsh në bark, e më duhej të mbaja regjim… Këtë ma kishin thënë edhe të tjerët. Megjithatë, edhe unë, si të tjerat, humbitnim në këngët e bukura të Vaçes dhe harronim vetveten. Po s’më harrohet një ndodhi e jashtëzakonshme. Kishte kaluar mezi i natës. Vaçja befas, duke përshëndetur me dorë, pushoi këngën. Po, nga rruga vinin të thirrurat e të rinjve: “Jo, jo, vazhdo, edhe disa këngë, edhe disa”… Atëherë, vajza që në vitet e ardhshme, do të bëhej “mbretëresha e këngës shqiptare”, iu drejtua të rinjve: “Shikoni, këtu kemi edhe një bebe. Dale, ta pyesim edhe atë, të shohim ç’do na thotë… Mu afrua, vuri veshin te barku im dhe pyeti: “Po ti bebush, si thua, të mos këndojë tezja jote? Po unë për ty këndoj, këndoj edhe për ata vëllezërit e tu, që dëgjojnë jashtë në rrugë. Atyre u bëj serenatë. Po, unë të kuptoj edhe ty, vogëlush, ti kërkon të flesh, do të flejë edhe mami yt, se është lodhur ? Mirë. mirë… Pastaj, Vaçja hodhi vështrimin nga unë, më buzëqeshi dhe pasi mbështeti poshtë te muri kitarën, u shtri të flinte, duke më thënë: “Nuse, unë i dëgjoj fëmijët, se për ata kemi ardhur këtu, në Tiranë, ndërsa të rinjtë le të presin gjer nesër në mbrëmje. Të nesërmen, gjer natën vonë, e njëjta pamje, Vaçja me kitarë e me këngët e saj të mahnitshme, do të shfaqej përsëri, me koncertin e saj të bukur recital..…”.
Kur lindi e nisi të rritej im bir, Alqi, vëreja me kuriozitet edhe zërin e tij. Se, me naivitet kam menduar, që ndoshta ai ka fituar diçka nga ato meloditë e këngëve të bukura të Vaçe Zekës, se mbase zëri i saj ka ndikuar te zëri vogëlushit. Por kam mbetur e zhgënjyer. Djali im, i rritur në një mjedis lab, as labçe nuk di të këndojë… Po zërin e Vaçes me këngët e saj i pëlqen t’i dëgjoj çdo ditë….

















