Një militant i majtë, një “kontribuues” në para dhe vota gjatë dy fushatave elektorale dhe që sot mban një post drejtues në një prej institucioneve në Elbasan, një mik i deputetëve dhe ndonjë ministri, është bërë milioner, duke shfrytëzuar jo pak, por një kompani me 22 lypsa, gra e fëmijë prej disa vitesh.
Ja mekanizmi i shfrytëzimit të lypësve
Ky skandal ka dalë fare rastësisht, kur një gazetar i një televizioni lokal e ka pyetur një grua që lypte rrugëve të qytetit krejt rastësisht, se “sa fiton në muaj dhe kujt ja jep lekët?”. Përgjigja ishte e natyrshme për gruan e rraskapitur e shprehur në dialektin e saj, se “ohu lekët i merr bosi, bosin e kemi drejtor dhe nuk na jep as lekët bukës dhe djathit, ai u ba milioner, mjerë ne hallexhinjtë”. Historia vazhdon. Lypësja duke vazhduar rrëfimin e saj për gazetarin e një media lokale tregon se “kemi mbi 2 vjet që jetojmë në një banesë 1 katëshe në periferi, mblidhemi nga Cërriku, Peqini, dhe Elbasani, atje ushqehemi keq e mos ma keq, dhe nuk na japin as lekët për një paketë cigare, shpesh fëmijët që mbajmë në krahë na sëmuren, por bosi na i sjell infermierin tek banesa dhe atje edhe pa vizituar fare na bën gjilpërat, kurse për ne nuk pyet fare”. Gruaja e lodhur dhe e kërrusur nga hallet ka treguar: “ Unë kam 3 vjet e gjysmë që lyp, jam ma e vjetra, në ditë ka raste që mbledhim edhe 30 mijë lekë të vjetra, por nuk kemi shansin t’i fshehim, sepse ai ka vënë njerëz që na ruajnë dhe kontrollojnë, kurse kur bie shi na marrin me makinë dhe na zbresin tek vendet e caktuara, ka raste kur na dërgojnë edhe në Tiranë, sidomos për festa Bajrami Krishtlindjet, kurse gjatë verës vendin e kemi tek Mali Robit, Golem dhe në Durrës, pasi andej ka para, na thonë rojet e bosit”. Duke folur natyrshëm dhe pa e ditur se fliste me një gazetar, gruaja, e cila nuk i kalonte të 35 vitet dhe që dukej sikur të ishte 50 vjeç, tregoi se “ato rojet e veta na thonë se bosi është mik me një ministër, i ka krahët e ngrohta, njihet edhe me deputetë, ndaj mos flisni me njeri se ju merr lumi”. Gruaja së fundi ka futur edhe një kunatën e saj në “zanatin” e vet, dhe ajo lyp bashkë me djalin e saj 4 vjeçar në rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe kthehet prej andej pasdite vonë. Një rrëfim drithërues, një skandal i padëgjuar që bashkëjeton si diçka normale me jetën e përditshme, dhe një drejtues apo zyrtar i emëruar, pa i ditur biografinë jetësore, të kaluarën e tij, duke u mjaftuar vetëm me votat e siguruara apo paratë e dhëna në fushata. Kjo ngjarje dhe ky rrëfim i një realiteti të turpshëm, e bën më urgjente miratimin e ligjit mbi dekriminalizimin, e bën më urgjente transparencën e parave që vijnë e mbushin kasafortat e partive politike, për të larguar nga postet njerëzit parazitë, ordinerë dhe me të kaluar kriminale. Me paratë e pista ata tentojnë ta blejnë të kaluarën, por i gënjen mendja. Realisht ky “zyrtar” ( që nuk mund të quhet i tillë kurrë), që prej 3-4 vitesh merret me një “biznes” të paligjshëm, duke shfrytëzuar qeniet njerëzore dhe duke vënë miliona me gjakun e tyre, duhet të përgjigjet e pakta për 6 nene të Kodit Penal. Por lind pyetja: Si ka mundur të fshihet dhe të vegjetojë kaq mrekullisht ky gjoja militant partie, që sot gëzon dhe përfiton edhe të mirat materiale nga posti që mban? Fakti është se si ky zyrtar, apo ky drejtues, ka me dhjetëra e me qindra sot në institucionet tona. Ka aq shumë sa që prej 25 vitesh, po pushtojnë zyrat dhe postet në qendër dhe në bazë. Ka prej tyre që merren edhe me prostitucionin, që menaxhojnë lypësit, trafiqet dhe lloj-lloj pisllëqesh të tjera, duke u bërë bosë të parave dhe milionave të pista.
Organet e shtetit, palë me krimin
Një tjetër fakt tronditës është hezitimi dhe bërja palë edhe e organeve të drejtësisë me persona të këtyre kallëpeve, aq sa sipas burimeve tepër të besueshme, ka prej këtyre bosëve që japin pjesë të caktuara parash tek njerëzit e strukturave policore dhe atyre të drejtësisë, për t’i pasur miq në një ditë të vështirë. Ky realitet, sa i turpshëm, aq edhe tronditës, ka zaptuar një pjesë të atyre që sot mbajnë poste në qendër dhe në bazë, pasi, sipas një llogaritje të thjeshtë, me paratë e rrogës ata nuk do të blinin aq prona sa kanë si troje, apartamente, lokale, apo makina të shtrenjta. Duke parë dhe njohur realitetin e sotëm në Shqipëri, natyrisht përgjigja e shumë pyetjeve vjen natyrshëm. Pavarësisht se flasin shumë, askush nga politika nuk e dëshiron dekriminalizimin, askush nga politika nuk e dëshiron reformimin e organeve të drejtësisë, pasi kjo do t’u largonte atyre tentakulat, me të cilat ato pasurohen dhe mbajnë gjatë pushtetin. Milionat e fushatave dhe milionat e sponsorizimeve të tjera, mund t’i japin vetëm ata që e kanë shkelur dhe vazhdojnë ta shkelin ligjin, dhe jo ata që me rrogën e buxhetorit mbajnë me bukë familjet e tyre, dhe që detyrohen të mbushin edhe sheshet e fushatave për të votuar pastaj me hir apo me pahir për “alternativën më të mirë”.





















