Drejtori i Bujqësisë: Për vitin 2014 do rriten 30 % investimet

685
Sigal

ELBASAN/Shkëlqim Elezi: Prioritet, përveç subvencionit, mbetet përmirësimi i sistemit vaditës

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Elbasan, Shkëlqim Elezi flet për synimet e këtij institucioni për vitin 2014 e në vazhdim. Ai rendit projektet e reja, duke theksuar këtu se ka bërë një kërkesë për rritje fondi për blegtorinë nga 30%. Për ‘të, problem kryesorë mbetet vaditja, pasi shumë fermerë, kryesisht në zonën e Dumresë, kanë probleme në këtë drejtim…

Zoti Elezi! Cilat kanë qenë disa nga problemet që ju keni gjetur në këtë drejtori?

-Problem ka qenë aplikimi që kanë bërë fermerët për skemat që mbështesin bujqësinë, ku kanë marrë financiarisht në masën 50% të tyre kurse pjesa tjetër kanë mbetur e palikuiduar ende. Problem shqetësues kanë qenë dhe tokat e pa ndara, tokat e pafrytshme, tokat inproduktive, tokat e Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat aktualisht janë të pezulluara. Janë rreth 10 mijë e 500 hektarë tokë për të cilat pritet të dalë një vendim i ri i qeverisë për proceduar e mëtejshme se si do të veprohet me këto toka, që për momentin nuk mund të përdoren nga askush.

Cilat janë projektet ose objektivat për vitin 2014?

-Për vitin 2014 kemi sugjeruar skema të reja, të cilat mbështesin bujqësinë si subvencionet për njësitë e prodhimit, rehabilitimin e ullishteve të vjetra, rritja e fondit për blegtorinë, ku ka qenë në masën 30% dhe ne kemi kërkuar të bëhet 50%, i cili do të ndihmojë të gjithë blegtorinë në Qarkun e Elbasanit, duke i shtuar dhe të ardhurat blegtorëve elbasanas. Gjithashtu, synojmë krijimin e fondeve të reja blegtorale dhe të blegtorisë, ku mendojmë që në total të ketë një rritje të fondit në masën 40% në krahasim me vitet e kaluara. Këtë vit del dhe urdhri i ri i Ministrisë së Bujqësisë në mbështetje të VKM-së, i cili do të japë dhe detaje për të gjitha skemat, duke u ardhur në ndihmë të gjithë fermerëve të Qarkut të Elbasanit, pasi ky është dhe synimi i kësaj drejtorie.

Cili është investimi konkret i fermerëve të Elbasanit?

-Karakteristikë e Qarkut Elbasan është se vetë pozita gjeografike, ku 30% e saj është fushë 30 % është kundrinore dhe 30% është malore, kjo bën që, në fushë ku kemi perime në sera, në zonën kundrinore kemi frutikulturë e blegtori dhe në zonën malore kemi blegtoritë e imta. Mbi këtë bazë, bëhet dhe subvencionimi… Por ne kemi dhe një përparësi, pasi prodhimet tona dalin në treg dy javë para Maqedonisë. Ajo që vlen të përmend është se, na janë ofruar donatorë të huaj për të zhvilluar agro-biznesin në Qarkun e Elbasanit. Të interesuar kanë qenë dhe për tokat e pandara.

Cili është problemi më shqetësues për fermerët?

-Problem më i madh për të gjithë fermerët e qarkut është vaditja. Nëse ne arrijmë që t’i çojmë ujin për të vaditur në arë, atëherë fermerit i ke bërë çdo gjë që i nevojitet pasi në fakt në qarkun tonë, shumë fermerë vuajnë për vaditje. E rëndësishme mbetet ajo që fermerët elbasanas, nuk lenë një pëllëmbë tokë pa punuar.